Fjalori

SHPREHJE TË HUAZUARA TË PAASIMILUARA

Kërkimi më sipër vepron vetëm në këtë shtojcë. Kliko këtu për t'u kthyer në fjalorin kryesor.
A B C D E F G H I J L M N O P Q R S T U V W

Shprehje që fillojnë me “A”

Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.

A bene placitum (a béne plaçítum) lat. sipas dëshirës, sipas vullnetit; fig. diçka që bëhet sipas vullnetit të dikujt, me pëlqim të lirë, të padiktuar nga dikush.

A capite ad calcem (a kápite ad kálcem) lat. që nga koka deri te këmba / te thembra; fig. që nga fillimi deri në fund; nga alfa te omega; në mënyrë të plotë, pa harruar asgjë.

A capite usque ad ungues pedum (a kápite úskue ad úngues pédum) lat. që nga koka deri te thonjtë e këmbëve; në të gjithë trupin, krejt; i tëri; tërësisht; nga maja e flokut te thonjtë e këmbëve.

A contrario (a kontrário) lat. nga e kundërta, në të kundërtën, në anën tjetër; përkundrazi; duke treguar të kundërtën; në pozicion të kundërt (për një argument ose një shpjegim që mbështetet në logjikën e kundërt).

A fortiori (a forcióri ) lat. 1. Nga më e forta, nga një arsye më e fortë. 2. Aq më tepër; aq më shumë. 3. Prej një njeriu më të fuqishëm.

A latere (a látere) lat. 1. drejt. Plotësues, suplementar (për një dispozitë a nen që ka funksion plotësues e jo kryesor). 2. fig. Nga ana, nga krahu, miqësisht, me miqësi.

A limine (a límine) lat. 1. Në prag, në fillim. 2. Përnjëherësh, sa hap e mbyll sytë; pa pritur më shumë. 3. Medoemos, si dy e dy bëjnë katër; sikur qeni qepën ta hajë.

A lineis excidere (a líneis ekscídere) lat. 1. Të dalësh nga linjat, të veprosh jashtë kufijve të përcaktuar, të kryesh veprime të jashtëligjshme. 2. fig. Të humbasësh rrugën; të dredhosh / të lakosh rrugën (Tertuliani).

A l’improviste (a l’emprovístë) frëngj. papandehur; në mënyrë të paparashikuar; pa paralajmërim; në çastin kur nuk pritej.

A majori ad minus (a majóri ad mínus) lat., logj. nga më e madhja te më e vogla (për të argumentuar se nëse diçka vlen për një gjë më të madhe, atëherë ajo do të vlejë edhe për një gjë më të vogël); a maximis ad minima; kund. a minori ad majus.

A maximis ad minima (a máksimis ad mínima) lat., logj. nga më të mëdhatë tek më të voglat; shih A majori ad minus.

A minis ad maxima (a mínis ad máksima) lat., logj. nga më e vogla te më të mëdhatë; fig. nga ato më pak të rëndësishmet deri te më të rëndësishmet.?

A minori ad majus (a minóri ad május) lat., logj. nga më të voglat te më e madhja; kund. a majori ad minus.

A mundo condita (a múndo kóndita) lat. qysh nga krijimi i botës, prej një kohe shumë të largët; që në kohën e baba Qemos, që në kohën e Noes.

A novo (a nóvo) lat. nga e para; nga fillimi (për diçka që është bërë nga fillimi, pa marrë parasysh se si ishte më parë, p. sh. një projekt, një studim etj.); ex novo.

A pedibus usque ad caput (a pédibus úskue ad káput) lat. 1. Nga këmbët te koka; nga fundi në fillim; në tërësi. 2. fig. Pa lënë asgjë pa përmendur; me hollësi, fill e për pe.

A posse ad esse (a póse ad ése) lat., filoz. nga e mundshmja tek e arritshmja, nga mundësia te realiteti (kalimi nga diçka e mundshme në diçka që bëhet reale).

A posteriori (a posterióri) lat., filoz. 1. Nga pas; duke u nisur nga ajo që vjen pas, nga fakti te shkaku; nga e pasmja (argument, gjykim etj.). 2. Duke u nisur prej fakteve e provave pasi ka ndodhur diçka; duke u nisur nga të dhënat e përvojës; kund. a priori (Kanti).

A prima etatae (a príma etáte) lat. qysh nga fëmijëria e hershme; që në djep (për tipare a karakteristika që dikush i ka trashëguar që nga mosha më e vogël).

A principio ordiamur (a príncipio ordiámur) lat. le të fillojmë nga e para, nga pika zero (për të nxitur një fillim të qartë e të organizuar të një veprimtarie, të një projekti, të një pune të re etj.) (Ciceroni).

A priori (a prióri) lat. 1. Para përvojës; duke u nisur nga të dhënat e mëparshme; nga paraardhësja; nga e mëparshmja; që më parë, që në fillim; pavarësisht nga përvoja / nga faktet etj. 2. Me logjikë, me hamendje; pa vëzhguar faktet; kund. a posteriori (Kanti).

A verbis ad verbera (a vérbis ad vérbera) lat. nga fjalët te goditjet / te grushtet / te kërbaçi / te kamzhiku; nga fjalët dhe argumentet në veprime të dhunshme mes palëve; me kulaç e me kërbaç (kur debati a diskutimi për një çështje a problem të ndërlikuar kthehet shpejt në një konflikt fizik).

Ab abrupto (ab abrúpto) lat. shih Ex abrupto.

Ab absurdo (ab absúrdo) lat., filoz. nga absurdja, nga e pamundura; nga e kundërta; pa pasur parasysh rrjedhojat (metodë që përdorej në filozofi etj. për të argumentuar se diçka është e vërtetë, nëse e kundërta e saj do të ishte absurde).

Ab abuso (ab abúzo) lat. nga abuzimi ose nga përdorimi i gabuar; sipas përdorimit të keq ose me anë të keqpërdorimit, duke shpërdoruar diçka (për shembull, kur interpretimi i një ligji a i një vendimi bëhet kundër qëllimit të vërtetë që ka ai ose shfrytëzohet në mënyrë të papërshtatshme).

Ab aeterno (ab etérno) lat. 1. Nga e përjetshmja, nga e pafundmja, që nga pafundësia; prej një kohe shumë të largët, që kur nuk mbahet mend, kur nuk i dihet prejardhja; nga fillimi më i parë. 2. Prej amëshimit; në pavdekësi (në filozofi e në teologji kjo shprehje lidhet me diçka që është e përjetshme ose e pafundme në kohë, si jeta pas vdekjes, përjetësia e shpirtit etj.); in aeternum; ad vitam aeternam.

Ab antiquo (ab antíkuo) lat. që nga antikiteti, qysh nga kohët më të vjetra; së lashti, që në lashtësi; historikisht.

Ab asino ad boves (ab ázino ad bóve) lat., iron. nga gomari te qetë; fig. kalimi në pozita më të mira, por të pamjaftueshme për t’ia arritur qëllimit, sepse nuk ka ndonjë ndryshim i madh; kund. ab equis ad asinos.

Ab asino lanam (ab ázino lánam) lat., iron. nga leshi i gomarit; të kërkosh lesh nga gomari; fig. të bësh diçka që nuk mund të bëhet; të nxjerrësh dhjamë nga pleshti, të harxhosh sapun në lesh të zi (përdoret në një situatë kur dikush përpiqet të bëjë diçka, e cila është jashtë çdo mundësie).

Ab equis ad asinos (ab ékuis ad ázinos) lat. nga kali në gomar; fig. kthim prapa; rënia në një pozitë shumë të ulët; të zbresësh nga shala e të hipësh në samar; kund. ab asino ad boves.

Ab extra (ab ékstra) lat. nga jashtë; që vjen nga jashtë, nga burime të jashtme; që ndikohet ose e ka burimin nga një faktor i jashtëm juridik ose filozofik; që nuk buron nga mendja / nga arsyeja; kund. ab intra.

Ab haedis scindere oves (ab hédis scíndere óves) lat. ndaj delet nga kecat / nga dhitë (shprehja vjen nga Bibla, ku delet pëfaqësojnë njerëzit e drejtë, ndërsa kecat përfaqësojnë mëkatarët); fig. veçoj të padobishmen nga e dobishmja; dalloj të keqen nga e mira a të drejtën nga e padrejta; ndaj egjrën nga gruri; ndaj bykun nga gruri / nga kokrrat.

Ab hinc (ab hink) lat. nga këtu, prej këtu, këtej e tutje; që këtej; nga kjo kohë (pra, diçka fillon ose ndodh nga vendi i këtushëm, ku është përdorur fjala).

Ab hoc et ab hac (ab hok et ab hak ) lat. nga kjo dhe nga ajo; prej këtej dhe prej andej; duke i përmendur të gjitha (shprehja përdoret për një problem a për një situatë, e cila duhet vështruar në anë të ndryshme, duke e diskutuar mbarë e prapë).

Ab hodierno (ab hodiérno ) lat. që sot, që tani, që nga dita e sotme; prej këtij momenti e tutje.

Ab imis / fundamentis (ab ímis / fundaméntis) lat. që nga thellësia e themeleve; tërësisht; në të gjitha pjesët (për të treguar se diçka është bërë mbi baza të forta e të qëndrueshme).

Ab imo pectore (ab ímo péktore) lat. nga thellësia e zemrës; nga telbi i zemrës; fig. me sinqeritet të plotë, me zemër në dorë (kur diçka thuhet a shkruhet haptas e çiltërisht).

Ab incunabulis (ab inkunábulis) lat. 1. Që në djep, që prej lindjes; qysh nga fëmijëria e parë. 2. Që nga prejardhja; nga vetë fillimi (për të treguar fillimin e një tradite, lindjen e një ideje, krijimin e një institucioni, zhvillimin e një ngjarjeje etj. që nga momenti më i hershëm).

Ab incunabulis mundi (ab inkunábulis múndi) lat. që nga djepi i botës; që nga fillimet e botës (Zenoni).

Ab initio (ab início) lat. që nga fillimi; qysh nga e para (kur diçka bëhet ashtu siç ka qenë qysh në fillim, pa i lënë asgjëmangut).

Ab intra (ab íntra) lat. nga brenda; nga ana e brendshme; përbrenda; brenda kufijve të një konteksti të caktuar, duke e dalluar atë që vjen nga situata e jashtme; kund. ab extra.

Ab irato (ab iráto) lat. i nxitur nga zemërimi; në gjendje zemërimi; duke qenë i zermëruar, në zemërim e sipër.

Ab Jove principium (ab Jóve principíum) lat. 1. Fillimi / origjina nga Jovi / nga Jupiteri; nevojitet të fillohet nga Zoti. 2. fig. Për të gjitha gjërat duhet nisur nga më e rëndësishmja, nga pika kryesore; të rifillohet nga gjithçka dhe nga gjithkush që është kryesori (Virgjili).

Ab ore ad aurem (ab óre ad áurem) lat. nga goja në vesh; fig. diçka është thënë dhe është përcjellë te dikush drejtpërdrejt, pa asnjë ndryshim, në mënyrë të qartë dhe pa u pashtrembëruar.

Ab origine (ab orígine) lat. nga fillimi; nga origjina / nga prejardhja / nga burimi; nga a-ja (për diçka që zhvillohet pa asnjë ndërprerje qysh nga fillimi ose pa ndonjë ndryshim thelbësor në rrjedhën e saj); ab ovo.

Ab ovo (ab óvo) lat. që me vezën, prej vezës; nga vetë fillimi; që nga lindja (në ligjërim përdoret kur dikush fillon të tregojë një histori shumë të largët, nga faza e saj më e hershme, që nga koha e Adamit dhe të Evës); ab origine (Horaci).

Ab ovo usque ad mala (ab óvo úskue ad mála) lat. nga veza deri te mollët; fig. nga fillimi deri në fund, pa përjashtuar asgjë; duke i përfshirë të gjitha ngjarjet me hollësitë e tyre (sipas traditës romake drekën e fillonin me vezë dhe e mbaronin me fruta).

Ab urbe condita (ab úrbe kóndita) lat. që nga themelimi i qytetit / i Romës; shumë kohë më parë; që në kohët më të lashta; që nga fillimet e qytetërimit (Sueutoni).

Aberratio criminis (aberrácio kríminis) lat., drejt. gabim në krim, krim i bërë nga padija (term i pathjeshtë që përdoret në drejtësi e në kriminaslistikë për një akt kriminal, që bëhet në rrethana të jashtëzakonshme e të papritura ose kur ai që ka kryer krimin është ndikuar nga faktorë të jashtëm, që e bëjnë të gabojë në kryerjen e veprës penale); aberratio delicti.

Aberratio delicti (aberrácio delíkti) lat., drejt. shih Aberratio criminis.

Abhorrentes lacrimae (abhorréntes lákrime) lat. lotim i kotë; lotë që të frikësojnë, lotë që të shtyjnë larg; lotë krokodili (për situata të forta emocionuese ose dramatike, kur lotët të sjellin ndjenja të thella trishtimi, ankthi, frike etj.).

Abrakadabra (abrakadábra) lat., gr., vjet. marrëzi; absurditet; diçka e ngatërruar dhe e pakuptueshme; kot më kot (formulë mistike).

Absente reo (absénte réo) lat., drejt. në mungesë të të akuzuarit / të të pandehurit (kur një gjykim ose një vendim merret kur i pandehuri nuk është i pranishëm në procesin gjyqësor).

Absolutum dominium (absolútum dominium) lat. pushtet absolut / i pakufizuar.

Abusus non tollit usum (abúzus non tóllit úzum) lat. gabimi / abuzimi / shpërdorimi nuk përjashton përdorimin (shprehja përdoret që nga koha e së drejtës antike dhe do të thotë se të ndalosh gabimin / abuzimin / shpërdorimin, nuk do të thotë të ndalosh edhe përdorimin; f. v., nuk mund të ndalosh pijet alkoolike vetëm se disa njerëz e teprojnë me to).

Acta est fabula (ákta est fábula) lat. komedia mbaroi; farsa u luajt; ra perdja; fig. gjithçka mori fund, gjithçka mbaroi (për një ngjarje a periudhë historike, që ka mbaruar dhe nuk ka rëndësi ose ndikim në të ardhmen); la comedia e finita.

Acta mortalia (ákta mortália) lat. veprim njerëzor; punë e të vdekshmëve; fig. vepra të përkohshme.

Acta non verba (ákta non vérba) lat. vepra, jo fjalë; punë jo llafe (një moto që nxit njerëzit për të punuar dhe jo të merren vetëm me fjalë pa bërë asgjë).

Acta probant se ipsa (ákta próbant se ípsa) lat. veprat / aktet provojnë vetveten; veprat flasin vetë; veprat janë fakte (shprehja përdoret në drejtësi etj.).

Acti labores jucundi / sunt (ákti labóres jukúndi / sunt) lat. punët e mira / e mbaruara janë të këndshme / të kënaqshme; fig. kur një punë e vështirë përfundon me sukses, është burim kënaqësie

Actio est reactio (ákcio est reákcio) lat., mek. veprimi / aksioni është reagim / kundërveprim; çdo veprim ka një reagim të barabartë dhe në drejtim të kundërt; çdo veprim që bëhet shkakton një reagim të kundërt në të njëjtën masë ose me të njëjtin intensitet, sipas ligjit të tretë të lëvizjes (Njutoni).

Actis testantibus (áktis testántibus) lat., drejt. sipas dëshmisë së veprimeve / së akteve; në bazë të dokumenteve.

Actum est (áktum est) lat. çështja është përfunduar, veprimi është kryer, gjithçka ka marrë fund (kur një veprim, një debat, një çështje etj. është mbyllur dhe nuk ka më nevojë për veprime të tjera).

Actus purus (áktus púrus) lat., fioz., teol. akt i kulluar; veprim i pastër, i njëmendtë, që është bërë pa ndonjë motiv të fshehtë.

Actus reus (áktus réus) lat., drejt. akt a veprim i fajshëm, i paligjshëm; shkelje e ligjit / e normave (term i pathjeshtë për të shënuar një sjellje a një veprim të paligjshëm të dikujt për ta quajtur atë si autor të një vepre penale).

Acu rem tetigisti (áku rem tetigísti) lat. e ke qëlluar / e prekur çështjen me gjilpërë; fig. i ke rënë në të, e ke gjetur; e the të vërtetën ashtu siç është; prek thelbin e problemit me qartësi e përpikmëri, sikurse të prekësh diçka me majën e një gjilpëre; ke goditur në shenjë; ke vënë pikat mbi i.

Acutum ingenium (akútum ingénium) lat. mendje e mprehtë; fig. kokë e mençur; njeri i mençur, i urtë dhe mendjemprehtë; i aftë për të ndërmarrë vendime të zgjuara dhe për t’i zgjidhur problemet shpejt e me mençuri.

Ad absurdum (ad absúrdum) lat. deri në absurditet; në mënyrë absurde, sa është jashtë mendjes (term i pathjeshtë kryesisht në logjikë: për të provuar një përfundim duhet që shpeshherë të ngrihen hipoteza nga e panjohura); reductio ad absurdum.

Ad abundantiam (ad abundánciam) lat., drejt. me tepri, për më tepër, për plotësi, për më shumë siguri (për të dhënë argumente shtesë edhe kur ato nuk janë të domosdoshme, por shërbejnë për të përforcuar një vendim, një provë etj.).

Ad acta (ad ácta) lat., zyr. drejt në aktet, te punët e kryera; në arkiv (për çështje që janë zgjidhur, janë kryer dhe duhen arkivuar).

Ad aperturam libri (ad apertúram líbri) lat. me një të hapur të librit, me leximin e parë, shumë lehtë; aty për aty (kur lexojmë diçka dhe e kuptojmë pa vështirësi).

Ad arbitrium (ad arbítrium) lat. 1. Arbitrarisht. 2. Sipas vullnetit ose dëshirës së dikujt.

Ad astra (ad ástra) lat. shih Per aspera ad astra.

Ad augusta per angusta (ad augústa per angústa) lat., lart. përmes vështirësive te më e larta; drejt majës përmes pengesave; nëpërmjet vështirësive / përmes rrugëve a sfidave të vështira drejt arritjeve të madhërishme; mund të arrish fitore vetëm duke kapërcyer vështirësi të mëdha; lavdia a suksesi kërkojnë sakrifica.

Ad bene placitum (ad béne plácitum) lat. sipas dëshirës a sipas shijes; sipas vullnetit; si të mendohet se është më mirë (për të vlerësuar një veprim, një sjellje, një vendim etj., që është pranuar a është mirëpritur nga të tjerët); ad libitum.

Ad Calendas Graecas (ad caléndas grékas) lat. në kalendat greke; fig. kurrë, asnjëherë; kur të bëhen dy ditë bashkë; kur të bashkohet qielli me tokën (sipas fjalës “kalendë”, me të cilën romakët shënonin ditën e parë të muajit, kur mbyllej afati i shlyerjes së borxheve, kurse grekët nuk kishin kalenda).

Ad captandum vulgus (ad kaptándum vúlgus) lat. për të kapur masat / popullin, për të qenë në favor të masave; t’i bësh thirrje turmës, masës së njerëzve (kur për një çështje të rëndësishme duhet t’i drejtohesh gjykimit popullor për të vendosur përfundimisht ose kur politikanët bëjnë premtime të mëdha për të tërhequr popullin dhe për të marrë votat e tyre).

Ad colaturam (ad colatúram) lat. deri te thërrimet; fig. me hollësi të madhe; imtësisht, hollësisht; fill e për pe; më pe e më gjilpërë.

Ad damnum addetur iniuria (ad dámnum addétur iniúria) lat., drejt. sipas fajit / dëmit do të vendoset dhe dënimi / ndëshkimi; dënimi duhet të jetë në përpjesëtim me shkallën e dëmit.

Ad dies vitae (ad díes víte) lat. deri në fund të jetës; përgjithmonë; për jetë e mot; sa të jetë jeta.

Ad discendum nulla aetas sera / videtur (ad discendum núlla étas séra / vidétur) lat. për të mësuar, asnjë moshë nuk është e vonuar; kurrë nuk është vonë për të fituar dije ose për të filluar një profesion të ri (sipas shprehjes së Horacit “Nulla age vita est ad discendum sera”- në asnjë periudhë të jetës nuk është vonë për të mësuar).

Ad erumenam (ad eruménam) lat. 1. Me qesen, me kuletën e vet. 2. fig. Nga vetja; sipas dëshirës vetjake, ashtu si më intereson mua.

Ad eundem / gradum (ad eúndem / grádum) lat. në të njëjtën shkallë / gradë; në po atë shkallë / nivel; me të njëjtin status / gradë.

Ad exemplum (ad ekzémplum) lat. për shembull, sipas shembullit; duke zbatuar a duke ndjekur një shembull të caktuar (duke sjellë një rast konkret, i cili përligj vërtetësinë e një argumenti etj.).

Ad extremum (ad ektrémum) lat. 1. Deri në pikën / në skajin ekstrem. 2. Më në fund; së fundi; në përmbyllje; për ta përmbyllur. 3. Nga fundi; në çastet e fundit të jetës; në fund të gjithçkaje.

Ad finem (shkurt. ad fin.) (ad fínem) lat. deri në fund (për të treguar fundin e një kapitulli, të një libri ose mund të nënkuptojë se një pjesë muzikore duhet luajtur deri në fund etj.).

Ad fontes (ad fóntes) lat. te burimet, te gurra, te fillimet origjinale, te tekstet e lashta ose te burimet themelore për të gjetur të vërtetën.

Ad futuram memoriem (ad futúram memoriam) lat. për kujtim në të ardhmen; për kujtim, në kujtim.

Ad gloriam (ad glóriam) lat. për lavdi, për nder; për emër, për nam (kur njerëzit bëjnë veprime për të përfituar një nder të veçantë a për lavdi).

Ad gloriam non est satis unius opinio (ad glóriam non est sátis június opinió) lat. për famën / për lavdinë nuk mjafton vetëm një opinion; që të bëhesh i njohur, duhet të flasin të gjithë; trim i mirë me shokë shumë.

Ad gustum (ad gústum) lat. për shije, sipas shijes; sipas dëshirës a pëlqimit.

Ad hoc (ad hok) lat. 1. Për këtë, me këtë rast; për këtë qëllim, për qëllimin e përcaktuar; i posaçëm; i veçantë; për rast të veçantë, veçanërisht për rastin e dhënë (për një komision, një këshill etj., të krijuar për një çështje a një problem të ngutshëm). 2. Kalimthi, meqë ra fjala.

Ad hominem (ad hóminem) lat. sipas njeriut, për njeriun, në lidhje me njeriun; që thuhet për karakterin a ndjenjat e dikujt (një argument, një dëshmi etj.); i pambështetur në të dhëna reale (kur pjesëmarrësit nuk diskutojnë rreth argumentit që sjell dikush, por merrem me vetë atë që e ka parashtruar, duke e nëpërkëmbur a duke hedhur poshtë mendimin e tij); argumentum ad hominem.

Ad honorem / honores (ad honórem / honóres) lat., lart. për nderim / për nderime; për nder (si ndajshtim për të shënuar detyra e poste të larta).

Ad id (ad id) lat. për këtë punë / qëllim / detyrë etj.

Ad infinitum (ad infinítum) lat., filoz., mat. në infinit; deri në pafundësi, pafundësisht; pa fund, pa kufi, pa mbarim; duke formuar një seri të pafundme (në filozofi, në matematikë a në ligjërimin e përditshëm përdoret për diçka që zgjat pafundësisht ose pa ndërprerje).

Ad interim (shkurt. A. i.) (ad ínterim) lat. 1. drejt. Për një kohë, për pak kohë; ndërkohë; përkohësisht. 2. mb. I përkohshëm (shprehja përdoret kryesisht në diplomaci, kur, në mungesë të ambasadorit të një shteti, funksionet e tij i ngarkohen përkohësisht zëvendësit ose dikujt tjetër).

Ad libitum (shkurt. ad lib.) (ad líbitum) lat. 1. Sipas qejfit a dëshirës së dikujt; nga kënaqësia; si të ta dojë zemra; sipas vullnetit. 2. Pa kufizime e formalitete; me improvizim (për të treguar se diçka mund të bëhet pa kufizime, sipas dëshirës së personit); ad placitum.

Ad limites (ad límites) lat. në kufijtë, drejt kufijve; afër fundit (si shenjë e mbarimit të diçkaje).

Ad litteram (ad líteram) lat. shkronjë për shkronjë; fjalë për fjalë; fig. saktësisht; pa ndryshuar asgjë nga origjinali, pa interpretim të lirë; tekstualisht (shprehja përdoret në përkthime a në citime të ndryshme, si dhe për të theksuar vërtetësinë e një shprehjeje a të një rregulli të caktuar); ad verbum; mot à mot; kund. ad sensum.

Ad locum (shkurt ad loc.) (ad lókum) lat., libr. në atë vend, në vendin e duhur / e caktuar; (në citime dhe në bibliografi për të treguar se lexuesi duhet të shikojë një pjesë të veçantë të një teksti ose të një dokumenti).

Ad memoriam (ad memóriam) lat. 1. Për kujtesë, për të mbajtur mend diçka. 2. Për / në kujtim të dikujt.

Ad modos tibicinis saltare (ad módos tibícinis saltáre) lat. kërcen sipas ritmit / melodive të flautistit; fig., keq. i shkon pas qejfit, vepron sipas dëshirave e porosive të dikujt, i plotëson çdo kërkesë e dëshirë; ia duron huqet; i shkon / i vete pas avazit; kërcen / i hedh këmbët sipas avazit të dikujt; kërcen / hedh këmbët siç bie daullja / sipas daulles; shkon pas qerres së dikujt Tit Livi).

Ad modum (ad módum) lat. 1. Sipas mënyrës së...; në stilin e.... pikërisht. 2. Plotësisht, pa asnjë ndryshim.

Ad mortem (ad mórtem) lat. deri në vdekje; ad mortem usque.

Ad mortem fidelis (ad mórtem fidélis) lat. besnik deri në vdekje (për të shprehur përkushtimin e besnikërinë ndaj një njeriu, një ideali, një kauze etj., edhe nëse duhen sakrifica të jashtëzakonshme).

Ad mortem usque (ad mórtem úskue) lat. deri në vdekje.

Ad multos annos (ad múltos ános) lat. Për shumë vjet! (si urim a thirrje në festa etj. për të përshëndetur e për të uruar lumturi për dikë, duke i dëshiruar që të ketë shumë vjet të lumtura e të suksesshme në të ardhmen).

Ad nauseam (ad nauzéam) lat. deri në të vjella; deri në neveritje a mërzitje (përdoret për të treguar se një problem, një shqetësim etj. është diskutuar aq shpesh dhe aq gjatë, sa është bërë i mërzitshëm dhe i padurueshëm); usque ad nauseam.

Ad notanda (ad notánda) lat., libr. 1. Për t’u vënë re, për t’u mbajtur mend. 2. Për t’u shënuar në akte, për t’u nënvizuar në dokumente për rëndësinë që kanë.

Ad notata (ad notáta) lat. 1. Gjërat e shënuara, ato që janë vënë re. 2. Për shënime, për vërejtje.

Ad oculos (ad ókulos) lat. 1. Para syve; sheshit; haptazi; sikur e ke përpara syve, të shohësh diçka me sy, ta shpjegosh në mënyrë sa më konkrete, saqë sendi për të cilin flitet, të duket sikur e sheh me sy. 2. fig. I shpjeguar në mënyrë sa më konkrete (problem, argument, teori etj.).

Ad patres (ad pátres) lat. 1. lart. Te stërgjyshërit; te të parët. 2. iron. Me të shumët; me të vdekurit; në varr, në atë botë, në botën tjetër, në botën e të vdekurve (shprehja përdoret me shaka, por edhe kur kërcënojmë dikë etj.).

Ad pedem litterae (ad pédem líterae) lat. deri te këmba e shkronjës; fig. sipas kuptimit të saktë të fjalëve, pa lëvizur asnjë presje (në përkthime, në përkufizime shkencore etj.).

Ad perpetuum (ad perpétum) lat. 1. I përhershëm, i pandërprerë. 2. Përjetësisht, për një kohë të pacaktuar (për të shënuar kontrata, marrëveshje, memorandume etj., që zgjatin përgjithmonë ose për një kohë shumë të gjatë).

Ad personam (ad persónam) lat. 1. Pikërisht për këtë njeri, për dikë për të cilin po flasim; personalisht (një argument, një veprim etj., që përdoret për të ndikuar në mendimet e ndjenjat bashkëbiseduesit). 2. drejt. Përdoret për një vendim gjyqësor ose për një urdhër, që i adresohet vetëm një njeriu dhe jo gjithë atyre që janë përfshirë në një situatë të ngjashme; personalisht.

Ad placitum (ad plácitum) lat. 1. Sipas dëshirës, sipas pëlqimit, sipas qejfit; ç’të të dojë zemra / e bardha zemër. 2. Arbitrarisht, pa u mbështetur në rregulla e ligje (kur merret një vendim etj.); ad libitum.

Ad pompam (ad pómpam) lat. 1. Në mënyrë pompoze, për solemnitet, për paradë solemne. 2. keq. Si në teatër; sa për sy e faqe, për sytë e botës (organizime, veprimtari, paraqitje etj.).

Ad primum (ad prímum) lat. së pari; në radhë të parë, duke u nisur nga më kryesorja (në një diskutim për një problem etj.).

Ad quem (ad kúem) lat. deri te i cili...; deri kur...; në prani të të cilit...

Ad referendum (ad reférendum) lat. për ta referuar, për ta shqyrtuar; për kumtim; me kusht që t’i drejtohet / t’i adresohet një organi a një personaliteti më të lartë (kur një problem i rëndësishëm ka nevojë të diskutohet më tej, para se të vendoset për të).

Ad rem (ad rem) lat. 1. Për çështjen, për thelbin e çështjes, për gjënë më kryesore. 2. mb. I dobishëm, praktik; argumentum ad rem. 3. Në realitet, në të vërtetë.

Ad rem argumentum (ad rem arguméntum) lat. shih Argumentum ad rem.

Ad rem nihil facit (ad rem níhil fácit) lat. 1. Nuk ka të bëjë me thelbin e çështjes, nuk ka lidhje me këtë problem. 2. fig., keq. I shmanget ose e anashkalon atë që është më e rëndësishme për zgjidhjen e problemit dhe merret me gjëra të panevojshme; flet kodra pas bregut; hidhet degë më degë.

Ad saturationem (ad saturaciónem) lat. 1. Deri në ngopje, deri në atë shkallë sa nuk duhet më, deri në tejmbushje. 2. fig., keq. Deri sa të mbushet kupa; deri sa të mos mbajë më ujë pilafi / orizi, vera.

Ad sensum (ad sénsum) lat. sipas kuptimit, në përputhje me kuptimin; duke u nisur nga kuptimi i vërtetë dhe në lidhje me kontekstin (kur një argument është i bazuar në kuptimin e drejtë të ligjit a të rregullave); kund. ad litteram; ad verbum.

Ad sidera (ad sídera) lat. drejt yjeve, në drejtim të yjeve; deri te yjet; fig. lart e më lart, në kulmin e lavdisë; per aspera ad astra; per aspera ad sidera.

Ad speciem (ad spéciem) lat. 1. Për mostër; si / për model. 2. fig., keq. Për dukje, sa për t’u dukur, për sy e faqe.

Ad sub aeternitas! (ad sub etérnitas) lat. Në përjetësi! Në jetë të jetëve!

Ad summum (ad súmmum) lat. 1. Deri në kulm, në maksimum, derin në pikën më të lartë. 2. Si përfundim (kur bëjmë përmbledhjen e një diskutimi, e një referati etj.).

Ad tempus (ad témpus) lat. shih Pro tempore.

Ad unguem (ad únguem) lat. 1. Deri te thoi; fig. deri te hollësia më e vogël; duke i shkuar deri në fund, pa nënvleftësuar asgjë; fill e për pe. 2. fig. Deri në përkryerje; në mënyrë të përsosur; deri në përsosmëri (Horaci).

Ad unum (ad únum) lat. për një qëllim; për një synim të vetëm.

Ad unum omnes (ad únum ómnes) lat. të gjithë në një, të gjithë pa përjashtim, deri tek i fundit (kur flitet për solidaritet të plotë mes njerëzve të një komunitetit pa bërë dallime) (Tit Livi).

Ad usum (ad úsum) lat. për përdorim; për përdorimin e diçkaje.

Ad usum Delphini (ad úzum Delfíni) lat., iron. për ta përdorur Delfini; në shërbim të Delfinit (shprehja përdoret për një botim të pastruar nga pjesët e padëshirueshme a të papërshtatshme për moshën, si dhe të rregulluar për nevojat e çështjes a të rastit. Dolphin ishte djali i madh i Luigjit XIV); in usum Delphini.

Ad usum externum (ad úzum ekstérnum) lat. për përdorim të jashtëm (kur një dokument etj. është përgatitur për t’u përdorur edhe nga njerëz të tjerë, që është parashikuar për përdorim të jashtëm); kund. ad usum internum.

Ad usum internum (ad úzum intérnum) lat. për përdorim të brendshëm; që nuk mund ta përdorin të gjithë (kryesisht term i pathjeshtë në mjekësi); pro usu interno; kund. ad usum externum.

Ad usum proprium (ad úzum próprium) lat. për përdorim vetjak (kryesisht term i pathjeshtë në mjekësi etj.) e jo për të tjerë (edhe në kontekste të tjera, si për të drejtën e autorit, për pronën intelektuale, të drejtën e përdorimit etj.); pro usu proprio.

Ad valorem (shkurt. ad val.) (ad valórem) lat. 1. fin., ek., drejt. Sipas vlerës (përdoret kryesisht në financa, në ekonomi dhe në ligje, veçanërisht për tatimet dhe tarifat doganore, që përcaktohen si një përqindje e vlerës së një malli ose shërbimi). 2. fig. Sipas meritave, sipas aftësive që ka secili.

Ad verbum (ad vérbum) lat. fjalë për fjalë; tekstualisht, në mënyrë të saktë dhe të plotë, duke iu përmbajtur origjinalit, pa bërë asnjë ndryshim; ad litteram; mot à mot (Ciceroni).

Ad vitam aeternam (ad vítam etérnam) lat. 1. Për jetë të amëshuar; për jetë të jetëve; përgjithmonë; sa të ketë qiell e tokë (përdoret për të treguar diçka që zgjat përjetësisht, si dashuria e përjetshme, detyrime të përjetshme etj.); in saecula saeculorum. 2. mb. I përjetshëm; in aeternam.

Ad vocem (ad vócem) lat. 1. Me zë, me zë të lartë, në mënyrë të qartë e të dukshme për t’u dëgjuar e për t’u kuptuar nga të tjerët. 2. Për të tërhequr vëmendjen; si shënim, si vërejtje.

Ad voluntatem loqui (ad voluntátem lókui) lat. të flasësh sipas dëshirës, ashtu si të vjen për mbarë; të flasësh mbarë e prapë; të flasësh si e ëma e Zeqos majë thanës.

Adam, ubi est? (Ådam, úbi est?) lat. Ku ish ti, Adam?; fig., iron. shprehja biblike përdoret për dikë që shfaqet ose që merr qëndrim me vonesë ndaj një ngjarjeje a ndaj një çështjeje të rëndësishme; kur s’duhet më, kur s’hyn më në punë; si kofini / si koshi pas së vjeli / pas të vjelave.

Adversa fortuna (advérsa fortúna ) lat. në rrethana të papërshtatshme / të disfavorshme; në kushte të vështira.

Advocatus Dei (advokátus déi) lat., fet. avokati i Zotit, mbrojtës i Zotit; fig. ai që mbron të mirën, pozitiven etj.

Advocatus diaboli (advokátus diáboli) lat. 1. Avokati i djallit; prokuror / paditës i regjur, i betuar; fig. mbrojtës i një pikëpamjeje absurde, që hidhet poshtë prej të gjithëve; ai që përligj a që përkrah pa vend dikë që ka gabuar e që nuk e dua (“avokati i djallit” ka për detyrë të paraqesë argumente kundër shenjtërimit të dikujt dhe t’i mbrojë këto deri në fund). 2. fig., keq. Njeri që merret me vogëlsira; çikërrimtar.

Aegri somnia (égri sómnia) lat. ëndrrat e të sëmurit; fig. gjëra të pabesueshme e të çuditshme; gjepura; ëndrra në diell.

Aequa lance (ékua lánce) lat. me pjata peshe të njëjta; me pesha të barabarta; fig. me drejtësi; pa pasion, pa anshmëri;

Aequo animo (ékuo ánimo) lat. 1. Me qetësi; qetë-qetë; pa u turbulluar; me gjak të ftohtë (kur dikush është i aftë të ruajë qetësinë në një situatë të caktuar dhe të veprojë me maturi). 2. Me dashamirësi; me kënaqësi; me trup e me zemër (Ciceroni).

Aequum et bonum (ékuum et bónum) lat. drejt dhe mirë, e drejtë dhe e mirë (si përgjigje e matur dhe e ndershme ndaj një situate a ndonjë vendimi).

Aeternae veritates (etérna veritátes) lat., filoz. të vërtetat e përjetshme; koncepte ose ide të përgjithshme e të padiskutueshme, që janë gjithmonë të vlefshme.

Aeternum vale (etérnum vále) lat. lamtumirë përjetësisht; lamtumira e fundit; një lamtumirë e qetë dhe e sinqertë, me shpresën për një takim tjetër ose për një lidhje që vazhdon pafundësisht, zakonisht për dikë që ka ndërruar jetë; supremum vale; ultimum vale.

Age quod agis (áge kuód ágis) lat., fj. u. 1. Bëj atë që mund / që di të bësh; bëj punën tënde; mos mendo për gjë tjetër, që s’je në gjendje ta bësh. 2. Kujdes për ato që bën; ji i vëmendshëm në ato që po bën; përpiqu ta bësh sa më mirë atë punë që ke marrë përsipër.

Agere sequitur esse (ágere sekúitur ésse) lat., filoz. veprimi buron nga natyra e qenies; mënyra se si vepron një qenie rrjedh nga vetë natyra e saj; veprimi i një qenieje pasqyron thelbin dhe realitetin e saj (Thoma Akuini).

Agnus Dei (ágnus Déi) lat. qengj i Zotit; shqerrë e Perëndisë; fig. njeri i butë, që nuk i ndihet zëri; dikush që është shumë i urtë e që nuk ka asnjë të ligë (Bibla).

Alba avis (álba ávis) lat., fig. zog / shpend i bardhë; fig. gjë e rrallë dhe e pazakontë me ngjyrë të bardhë, për të simbolizuar paqen, pastërtinë etj. ose diçka të çmuar, si shpresa, bekimi, mrekullia etj.

Albo lapillo notare diem (álbo lapílo notáre díem) lat. të shënoj një ditë me guriçkë të bardhë, si ditën më të lumtur; të kesh një ditë të bardhë; të shohësh një ditë të gëzuar (sipas një tradite të hershme, kur ditët shënoheshun në një gur a në një pllakë të bardhë në formën e kalendarit ose kur festohej një ngjarje e rëndësishme); kund. nigro notanda lapillo.

Ale te ipsam (ále te ípsam) lat. ushqe vetveten; fig. mbrohu vetë nga çdo gjë; ruaju; mendo për vete; o Mete për vete.

Alea jacta est (álea jákta est) lat. zaret u hodhën; fig. u bë hapi vendimtar dhe pritet përfundimi; kjo u vendos; lufta / ndeshja filloi, nuk mund të kthehem pas; të dalë ku të dalë; (shprehja përdoret kur merret një vendim i guximshëm dhe i rëndësishëm, pasi është ngurruar për një kohë të gjatë, sikurse Cezari, kundër urdhrit të senatit romak, kapërceu lumin Rubikon); jacta est alea (Ciceroni).

Aleam emere (áleam émere) lat. të blesh një zar; fig. të blesh diçka të panjohur; të blesh derr në thes (kur merr në sy një rrezik, pa qenë i sigurt për përfundimin, sikurse hedhja e zareve në lojërat e fatit).

Alia alios delectant (ália álios deléktant) lat. gjërat e ndryshme pëlqehen nga njerëz të ndryshëm; secili ka shijet e veta; de gustibus non (est) disputandum.

Aliquando bonus dormitat Homerus (alikuándo bónus dórmitat Homérus) lat. ndonjëherë edhe Homeri i mirë / plak dremit / e zë gjumi; fig. jo gjithmonë njeriu është njësoj, i lejon vetes edhe ndonjë lëshim; edhe njerëzit e mëdhenj herë pas here bëjnë gabime; gabimet janë pjesë e natyrshme e qenies njerëzore; quandoque bonus dormitat Homerus (Horaci).

Alit lectio ingenium (álit lékcio ingénium) lat. leximi ushqen talentin; përmes leximit dhe studimit zhvillohen dhe përmirësohen aftësitë intelektuale e krijuese.

Aliud ex alio malum (áliud eks álio málum) lat., prov. një e keqe sjell një tjetër të këqijat ndjekin njëra-tjetrën; e keqja nuk vjen vetëm; e keqja s’ka fund.

Aliud pro alio (áliud pro álio) lat. 1. Tjetër për tjetër; një gjë për një tjetër; diçka në vend të diçkaje tjetër; hane Shan, hane Bagdad. 2. fig. Ngatërresë, rrëmujë; dasmë minjsh.

All in all (oll in oll) angl. gjithçka; që të gjitha; në tërësi.

All right (oll rajt) angl. gjithçka shkon mirë, është si duhet; në rregull; për bukuri.

Alla marcia (ála márça) it., muz. 1. ndajf. Me ritëm marshi. 2. mb. I ekzekutuar me ritëm marshi.

Alma mater (álma máter) lat. 1. Nëna jetëdhënëse / ushqyese; ajo që më ka dhënë gji; ajo që jep ushqimin shpirtëror. 2. Tokë pjellore, si nëna e çdo qenieje të gjallë, kafshe a bime. 3. Universiteti ku është diplomuar dikush; alma parens (Virgjili).

Alma parens (álma párens) lat. prindi jetëdhënës; fig. nëna, vendlindja, atdheu etj.; alma mater.

Alpes superare (álpes superáre) lat. të kalosh alpet; fig. të kapërcesh vështirësi të mëdha; të dalësh në breg.

Alter ab illo (álter ab ílo) lat. një tjetër si ai, i dyti pas atij (shprehja përdoret në renditjen hierarkike, në garat sportive ose për të shënuar dikë a diçka që vjen pas të tjerëve për nga radha a rëndësia) (Virgjili).

Alter ego (álter égo) lat. 1. psikol. Vetja tjetër, një tjetër unë; natyra e dytë e njeriut, personaliteti i dytë i një individi, një anë tjetër e karakterit, që mund të jetë e fshehtë ose e ndryshme nga vetja e tij e zakonshme. 2. fig. Një tjetër si vetja, që ka besim a mendon njëlloj; një shok a mik shumë i ngushtë, të cilit i besoj si vetvetes; zëvendësues; alter idem (Zenoni).

Alter idem (álter ídem) lat. një tjetër i njëjtë (përdoret për të përshkruar dikë a diçka tjetër, që kanë të njëjtat karakteristika, por janë të ndarë ose janë larg njëri-tjetrit); alter ego.

Alter ipse amicus (álter ípse amíkus) lat. miku është uni i dytë; miku është një vetvete e dytë (ide e Ciceronit dhe e Aristotelit, të cilët e kanë parë miqësinë si një nga format më të larta të marrëdhënieve njerëzore).

Altera pars (áltera párs) lat. ana tjetër; pala tjetër (si parim në drejtësi dhe në jetën e shoqërore, për të dëgjuar të dyja palët në gjykimin e një çështjeje, për zgjidhjen e një problemi etj.); audiatur et altera pars.

Altum silentium (áltum siléncium) lat. heshtje e thellë; qetësi e vdekur; fig. gjendje e caktuar shpirtërore kur njerëzit përjetojnë një ndjenjë të thellë qetësie e paqeje (Virgjili).

Amantium irae (ámancium íre) lat. zënka / grindje dashurie, zemërimi i të dashuruarve; fig. mospajtime a grindje që lindin nga ndjenja të thella e të ndërsjellëta për njëri-tjetrin (Terenci).

Amat victoria curam (ámat viktória cúram) lat. fitorja do / kërkon zell / mund / përpjekje / kujdes (Katuli).

Amicitia vitam ornat (amicícia vítam órnat) lat., fj. u. miqësia e zbukuron jetën.

Amicus certus in re incerta cernitur (amicus cértus in re incérta cérnitur) lat., fj. u. miku i vërtetë njihet në vështirësi / në fatkeqësi / në ditë të vështira (Ennius).

Amicus humanum generis (amíkus humánum géneris) lat. mik i racës njerëzore; mik i të gjithëve (përdoret për njerëzit filantropë / bamirës).

Amicus omnibus, amikus nemini (amíkus ómnibus, amíkus némini) lat., prov. mik me të gjithë, mik me askënd; miku i gjithkujt, miku i askujt; kush është mik me të gjithë, nuk është mik i vërtetë për askënd.

Amicus Plato, sed magis amica / est veritas (amíkus Pláto, sed mágis amíka est véritas) lat. jam mik i Platonit, por më shumë jam mik i së vërtetës; e vërteta para së gjithash; ndonjëherë duhen sakrifikuar edhe miqësitë për të qenë me të vërtetën. me të drejtën (Aristoteli).

Amor columbae (ámor kolumbe) lat. dashuri pëllumbi, si dashuria e pëllumbit; fig. dashuri e ëmbël, e pastër dhe e sinqertë.

Amor omnibus idem (ámor ómnibus ídem) lat., prov. dashuria është e njëjtë për të gjithë; dashuria është vlerë universale, si një forcë që e bën atë të ndihet njëlloj te të gjithë.

Amor patrie (ámor pátrie) lat. dashuri për atdheun, atdhedashuri; si dashuria për atdheun.

Amor sui (ámor súi) lat. shih Amour propre (Horaci).

Amor vincit omnia (ámor víncit ómnia) lat. dashuria i fiton të gjitha; dashuria mposht gjithçka; dashuria ngadhënjen mbi çdo gjë; fuqia e dashurisë është më e madhe se çdo gjë tjetër dhe mund të ndikojë në çdo aspekt të jetës e të shoqërisë.

Amoto ludo (amóto lúdo) lat. shakanë anash; ta lëmë shakanë mënjanë; pa tallje, seriozisht.

Amour fou (amúr fu) frëngj. dashuri e çmendur (për të shprehur ndjenja të forta të dashurisë, që shkojnë përtej kufijve të zakonshëm të një marrëdhënieje romantike).

Amour propre (amúr próprë) frëngj. dashuri për vetveten; sedër; vetënderim; dëshirë për vetadmirim; ndjenjë e gjallë e dinjitetit dhe e vlerës vetjake, çka e bën njeriun të vuajë kur e nënvleftësojnë; amor sui.

Analogia entis (análogia éntis) lat., filoz. analogjia e qenies, ngjashmëria e qenieve të shumta që gjallojnë në mënyra të ndryshme (shprehja sintetizon një mënyrë për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet krijuesit dhe krijesave, duke përdorur një analogji midis qenieve / krijesave e qenies / ekzistencës së tyre) (Platoni).

Analogon rationis (análogon raciónis) lat., filoz., logj. analogjia e arsyes; diçka analoge / e afërt me arsyen; një lloj analogjie ose krahasimi, që bëhet mbi baza logjike, arsyetuese (Lajbnici).

Angelus silensius (ángelus silénsius) lat. engjëll i heshtur (për një njeri që është shembull i qetësisë dhe i paqes së thellë).

Anguis in herba (ánguis in hérba) lat. gjapri në bar / në kashtë; fig. rrezik i fshehtë, i padukshëm e vdekjeprurës; një situatë ku rreziku është i padukshëm; një problem shqetësues, që mund të jetë i pranishëm, por nuk është ndier a nuk është zbuluar menjëherë; latet anguis in herba (Virgjili).

Angulus terrarum (ángulus terrárum) lat. 1. Një qoshe e tokës, një cep i botës; vend i largët, por i mrekullueshëm; një pikë e largët në Tokë, që ende nuk është zbuluar. 2. fig. Vend në të cilin dikush e ndien veten si në shtëpinë e vet; kënd i ngrohtë, larg botës së zhurmshme (Horaci).

Anima candida (ánima cándida) lat. shpirt i pastër / i bardhë; fig. njeri i çiltër e i ndershëm; shpirt njeriu, mehlem për plagë.

Animal rationale (ánimal racionále) lat., filoz. kafshë e arsyeshme / racionale (term i pathjeshtë që u përdor nga filozofët e antikitetit për të dalluar njeriun nga kafshët, duke theksuar aftësitë e tij për të ndërtuar, për të drejtuar etj. mbi bazën e arsyes e të intelektit).

Animal symbolicum (ánimal symbólikum) lat., filoz. kafshë simbolike (term i pathjeshtë për të përshkruar njeriun, i cili ka aftësi për të krijuar e për të kuptuar simbole, si dhe për të shprehur mendime e koncepte abstrakte përmes tyre).

Animo deliberato (ánimo deliberáto) lat. me gjykimin e duhur; fig. me vetëdije, pa ngutje, me mendim të qartë; me mendje të ndarë; me mend në kokë (kur kryhet një veprim, kur synohet të arrihet një qëllim etj.).

Animum gloria stimulat (ánimum glória stímulat) lat., prov. lavdia e nxit / e motivon shpirtin; lavdia shton kurajën; lavdia të bën me krahë.

Animus denuntiandi (ánimus denunciándi) lat. shpirti i kundërshtimit, ndjenja e mohimit.

Animus possidendi (ánimus posidéndi) lat. ndjenja e pronësisë / e përvetësimit; mania për të mbajtur në pronësi diçka (tokën, të drejtat etj.); qëllimi për të kontrolluar vetë diçka etj.

Annus horribilis (ánus horíbilis) lat. vit i tmerrshëm; vit i mbrapshtë, vit i keq, një vit plot me fatkeqësi, me probleme shqetësuese a me ndodhi të këqia; kund. annus mirabilis.

Annus luctus (ánus lúktus) lat. viti i hidhërimit, viti i zisë, viti i mbrapshtë; një vit i tërë gjatë të cilit mbahet zi për ndonjë njeri të shquar ose për ndonjë ngjarje tragjike.

Annus mirabilis (ánus mirábilis) lat. vit jashtëzakonshëm; vit i mbarë, vit i shënuar për ngjarje të rëndësishme, vit i mrekullueshëm; viti i mrekullive; kund. annus horribilis.

Ante factum (ánte fáktum) lat. përpara faktit; para ndodhisë a ngjarjes; para se të ndodhë diçka (për një ngjarje, një veprim etj., që ka ndodhur para një momenti të caktuar kur ndodh një gjë tjetër e rëndësishme); kund. post factum.

Ante litteram (ánte líteram) lat. para letrës; para dokumentimit me shkrim; para botimit; pararendës (për një ide, koncept, zbulim, shpikje etj., që ekzistonte ose ishte krijuar para se të dokumentohej zyrtarisht ose të përdorej në formë të shkruar).

Ante lucem (ánte lúcem) lat. para dritës; para lindjes së diellit, para agimit, pa gdhirë; fig. shumë herët, qëmenatë.

Ante meridiem (shkurt. A. m.) (ánte merídiem) lat. para mesditës; paradite (për 12 orët e paradites nga 00.00 deri në 12.00).

Ante mortem (ánte mórtem) lat. para vdekjes (kur diçka ndodh para vdekjes së dikujt); kund. post mortem.

Ante oculos (ánte ókulos) lat. para syve, ndërsy; fig. gjë e qartë dhe e dukshme, që është në vështrimin tonë të drejtpërdrejtë dhe bie në sy menjëherë; diçka që bën mu.

Ante partum (ánte pártum) lat., mjek. para lindjes; periudha para lindjes së fëmijës, kur ndodhin ndryshime ose zhvillime të rëndësishme në trupin e fëmijës; kund. post partum.

Ante portas delicti (ánte pórtas délikti) lat. 1. drejt. Para dyerve të deliktit / të fajit; para kryerjes së krimit; përgatitjet për të bërë një krim, por jo vetë krimi. 2. fig. Situata kur dikush është i ndërgjegjshëm për fajin që mund të bëjë ose për diçka që mund të sjellë pasoja negative.

Antiquis morbis (antíkuis mórbis) lat. 1. mjek. Sëmundje të vjetra; fig. probleme të vjetra që nuk janë zgjidhur ende. 2. fig. Zakone të lashta që gjallojnë edhe sot.

Aperto libro (apérto líbro) lat. me libër të hapur; fig. pa asnjë përgatitje, pa u përgatitur (për diçka që duket qartë dhe është e lehtë për t’u studiuar, për t’u analizuar etj.).

Aperto vivere voto (apérto vívere vóto) lat. të jetosh duke shfaqur haptas vullnetin tënd; të thuash gjithmonë atë që mendon (për dikë që udhëhiqet nga qëllime të larta e të ndritura).

Apparet id etiam caeco (appáret id éciam kéko) lat. atë e sheh edhe i verbri; është e dukshme edhe për të verbrin; edhe një i verbër e sheh këtë; fig. është e qartë si drita e diellit; duket si në pëllëmbë të dorës; duket sheshit diçka (Ciceroni).

Aprés nous / moi le déluge! (apré nu / mua le delýzhë) frëngj. pas nesh / pas meje kiameti le të bëhet!; fig. s’dua t’ia di për asnjë e për asgjë, po e pësova unë, le të bëhet çdo gjë e le ta pësojë kushdo; kur ne po vdesim, le të vdesin të gjithë! (thënie e Luigjit XIV).

Apte dictum (ápte díktum) lat. diçka e thënë mirë dhe në momentin e duhur; thënie e shkurtër e kuptimplotë, që përmbledh / sintetizon një ide a një koncept të rëndësishëm në mënyrë të thukët e të qartë.

Aquila non captat muscas (áquila non cáptat múscas) lat., prov. shqiponja nuk kap miza; fig. njeriu i zoti nuk shqetësohet nga gjëra të vogla; s’tundet mali nga dëbora.

Aquilam volare doces (áquilam voláre dóces) lat., fj. u., iron. mëson shqiponjën të fluturojë; fig. i shpjegon një tjetri diçka që ai e di më mirë nga përvoja e vet; përpiqet t’i mësojë një gjë që ai e di para tij; eja baba të të tregoj arat / vreshtin! i shet kastraveca bostanxhiut!; mëson veza pulën!; unë në Stamboll, ti më tregon minaretë!

Arcadiam postulare (arkádiam postuláre) lat., mit. kërkoj Arkadinë (Arkadia, sipas mitologjisë greke, ishte një vend i qetë dhe i lumtur, kur njerëzit jetonin në harmoni me natyrën); fig. kërkoj diçka të pamundur a të pangjashme; kërkoj qumësht dallëndysheje.

Ardua questio (árdua kuéscio) lat. çështje / pyetje e vështirë; fig. problem i ndërlikuar për t’u zgjidhur, punë që kërkon shumë mundim; diçka e vështirë dhe e lodhshme për t’u arrtitur; udhë / rrugë e përpjetë.

Arenae mandare semina (aréne mandáre sémina) lat. hedh / mbjell farë në rërë; fig. merret me një punë të kotë, humb kohën kot duke bërë diçka që s’jep fryte; e hedh farën në shkëmb; prashit / mih në ujë; mbush / mban ujë me shoshë / me shportë.

Argumenta ponderantur, non numerantur (arguménta ponderántur, non numerántur) lat., logj. argumentet duhen peshuar e jo numëruar; argumentet vlerësohen nga rëndësia, jo nga sasia / nga numri i tyre.

Argumentum ad hominem (arguméntum ad hóminem) lat., logj. argument ndaj njeriut / kundër njeriut; një lloj argumenti logjik i gabuar, ku dikush sulmon dikë që sjell një argument, në vend që të kundërshtojë vetë argumentin dhe të merret me thëlbin e çështjes; ad hominem; kund. argumentum ad rem; argumentum ad invidia.

Argumentum ad ignoratiam (arguméntum ad ignoráciam) lat., logj. argument nga padija / injoranca; gabimi logjik kur pohohet se një gjë është e vërtetë ose e pavërtetë për shkak të mungesës së provave të kundërta, për shembull, “nuk ka prova se nuk ka jetë në hënë, prandaj duhet të ketë jetë në hënë”.

Argumentum ad misericordiam (arguméntum ad mizerikórdiam) lat., logj. argument prej mëshirës / prej keqardhjes; argument që mbështetet në gjendjen emocionale të dikujt dhe jo në faktet objektive (për shembull, për një vendim gjyqësor që dënon dikë).

Argumentum ad rem (arguméntum ad rem) lat., logj. argumenti drejt çështjes; argument ose provë që mbështetet në të dhëna të vërteta, në rrethanat reale, që lidhen drejtpërdrejt me çështjen, që kanë të bëjnë me anët thelbësore të çështjes; ad rem; kund. argumentum ad hominem.

Argumentum ad veritatem (arguméntum ad veritátem) lat., logj. argumenti nga e vërteta; provë objektive; argument që mbështetet në fakte; kund. argumentum ad verecundiam.

Argumentum e contrario (arguméntum eks kontrário) lat., logj. argument / provë që niset nga e kundërta (për shembull, nëse një gjë nuk është e vërtetë, atëherë një gjë tjetër duhet të jetë e vërtetë), duke u përqendruar në kontrastin midis dy pohimeve.

Argumentum ex silentio (arguméntum eks siléncio) lat., logj. argument nga heshtja; argument nga mungesa e informacionit; mënyrë të provuari duke lënë diçka në heshtje për t’u nënkuptuar, kur vetë heshtja shërben si argument.

Argumentum à posteriori (arguméntum à posterióri) lat. argument i mbështetur në përvoja ose në prova të vëzhguara, në fakte që mund të preken; kund. argumentum à priori.

Argumentum à priori (arguméntum a prióri) lat., logj. argument i mbështetur në përfundime paraprake, në hamendësime etj. dhe jo në fakte a në përvoja konkrete; kund. argumentum à posteriori.

Arrectis auribus (arréktis áuribus) lat. me veshë të ngritur; fig. me vëmendje të madhe; duke dëgjuar me shumë kujdes.

Ars discendi (ars discéndi) lat., logj., gjuh. mjeshtëria e të folurit; mjeshtëria e fjalës së bukur (term i pathjeshtë që përfshin mësimin e strukturës së një fjalimi, përdorimin e figurave retorike, mënyrat për të përshtatur stilin dhe tonin e komunikimit në përputhje me llojin e audiencës dhe qëllimet e ligjëruesit).

Ars interpretandi (ars interpretándi) lat., logj., gjuh. arti / mënyra / mjeshtëria / aftësia e të intepretuarit; mjeshtëria e interpretimit / e shpjegimit të fjalëve të huaja në përkthim.

Ars longa, vita aeterna (ars lónga, víta etérna) lat. arti është i gjatë, jeta është e pandërprerë / e përjetshme.

Ars longa, vita brevis (ars lónga, víta brévis) lat. arti / shkenca është e gjatë, jeta / e njeriut është e shkurtër; jeta është kaq e shkurtër, zanati është kaq i gjatë për t’u mësuar e për t’u përsosur; arti dhe veprat jetojnë më gjatë se njeriu (Hipokrati).

Ars oratoria (ars oratória) lat., gjuh. arti i fjalës së bukur; mjeshtëria e gojëtarisë, mjeshtëria oratorike.

Ars poetica (ars poétika) lat., let. arti i poezisë; arti poetik.

Ars scribendi (ars skribéndi) lat., gjuh. art i të shkruarit, procesi i të shkruarit si art.

Ars sterilis (art sterílis) lat., fig. art steril, art i thatë; art që nuk ka asnjë dobi.

Asinus asinum fricat (ázinus ázinum fríkat) lat., përb. gomari gomarin fërkon; fig. budallai budallain lavdëron; një i paditur lëvdon të paditurin (përdoret me ngjyrim negativ për dy njerëz që janë njëlloj të mangët dhe lëvdojnë njëri-tjetrin ose për të përshkruar një situatë kur dikush përfiton padrejtësisht nga një tjetër).

Atra dies (átra díes) lat., fig. ditë e zezë, ditë fatkeqësish të mëdha.

Audentes fortuna juvat (audéntes fortúna júvat) lat., prov. fati i qesh trimit; fati ndihmon ata që janë të guximshëm; fati ndihmon guximtarët; e ka fatin me barrë (pra, njeriu nuk duhet t’i nënshtrohet fatit, por ta kërkojë me guxim atë duke punuar); fortes fortuna adjuvat (Virgjili).

Audiatur et altera pars! (audiátur et áltera párs) lat. le të dëgjohet dhe pala / ana tjetër kundërshtare a fajtore; duhet të dëgjosh të dyja palët para se të japësh vendimin (në një gjyq, në një grindje etj.) (Seneka).

Aura popularis (aúra populáris) lat. fllad / puhi popullore; fig. përkrahje / mbështetje popullore (në zgjedhje, në tubime, në referendume etj.) (Ciceroni).

Aurea mediocritas (aúrea mediókritas) lat. mesi i artë; e mesmja e artë; të mos kesh as shumë e as pak (thuhet për ndonjë zgjidhje ose mënyrë të menduari larg qëndrimeve të skajshme); juste milieu; via media (Horaci).

Aures habent et non audient (áures hábent et non aúdient) lat. kanë veshë dhe nuk dëgjojnë; fig. shprehje biblike që përdoret me ironi për ata që me qëllim nuk janë të vëmendshëm a nuk duan të dëgjojnë diçka për të cilën nuk u vjen mirë) (Bibla).

Aures veritati clandere (áures veritáti klándere) lat. të mbyllësh veshët ndaj së vërtetës; të mos pranosh të vërtetën; bëj veshin të shurdhër para të vërtetave; shtie shurdhat.

Aureum saeculum promittere (áureum séculum promítere) lat. premton shekullin e artë; fig. premton gjëra të mëdha, por të parealizueshme; ta sjell Stambollin mbi Barç.

Aureus ramus (auréus rámus) lat. dega e artë / degë ari; fig. mjet shpëtimi; diçka e çmuar, mundësi e mrekullueshme, gjë e bukur dhe e rrallë (ashtu si dega e artë në mitologjinë greke, që u përdor për të hyrë në vendin e përjetshëm, në parajsë) (Virgjili).

Auribus lupum tenere (aúribus lúpum tenére) lat. mban ujkun për veshi; është shumë i zoti dhe trim, bën të pamundurën, përballon çdo vështirësi; futet në shpellë të arushës; nxjerr dy lëkurë nga një berr / nga një dele.

Aut Caesar, aut nihil / nullus (áut Cézar, áut níhil / núlus) lat. ose Cezar, ose asgjë; ose të jesh i pari / fitimtar (sikurse Cezari, perandori i famshëm romak), ose asgjë; ose të gjitha, ose asgjë (shprehja shpesh përdoret për të përshkruar një situatë kur dikush ose një grup njerëzish janë të detyruar të marrin një vendim të prerë, qoftë për të arritur sukses ose për të dështuar plotësisht, si dhe për të karakterizuar një njeri ambicioz etj.) (Kaligula).

Aut vincere, aut mori (áut víncere, áut móri) lat. o fitimtar, o i rënë; ose të fitosh, ose të vdesësh; ja fitimtar, ja i vdekur; ja fitore, ja vdekje (në situata kur nuk ka një mundësi të tretë) (Ciceroni).

Aut, aut (áut, áut ) lat. ose, ose; ja kështu, ja ashtu; zgjidhje e detyrueshme mes dy gjërave të kundërta a dy mundësive të ndryshme, të cilat nuk mund të përmbushen njëkohësisht.

Avant la lettre (avánt la létrë) frëngj. shih ante litteram.

Ave Maria! (áve María) lat., fet. Lavdi Mari! Të falem Shën Mëri! (lutje e rëndësishme në traditën katolike, kur besimtarët kërkojnë ndihmën dhe mbrojtjen e Shën Mërisë).

Ave, Caesar / imperator, morituri te salutant (Áve, Cézar / imperátor, moríturi te salútant) lat. tungjatjeta / përshëndetje / mirënjohje Cezar / perandor, ata që do të vdesin / së shpejti / të përshëndesin (thënie e gladiatorëve në Arenën e Romës për të përshëndetur Cezarin para se të shkonin në beteja; përdoret për të karakterizuar ata që tregojnë bindje të padiskutueshme dhe përkushtim të madh ndaj një udhëheqësi) (Suetonius).

Avis rara (ávis rára) lat., fig. 1. Zog i rrallë; diçka e veçantë dhe e rrallë, që shfaqet për herë të parë. 2. Njeri i rrallë dhe i jashtëzakonshëm.

Avoir la main dans la pâte (avuár la mên dan la pátë) frëngj. t’i kesh duart në brumë; të përveshësh mëngët; të marrësh vetë pjesë në diçka, të jesh i përfshirë në diçka; të jesh i zhytur në punë.