Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.
Tabula rasa (tábula ráza) lat. 1. Dërrasë / faqe e pashkruar, tabelë e pastër; diçka e pastër / e dëlirë, në të cilin mund të shkruash ç’të duash. 2. iron. Njeri që nuk merr vesh fare, që nuk ka fare njohuri për një fushë a për një çështje të caktuar; që është krejt i paditur; tapë topi; kërcu i pagdhendur. 3. E fshirë; që nuk përmban asgjë (Xhon Lok).
Tacitu consensu (tácitu konsénsu) lat. me marrëveshje të heshtur; sipas marrëveshjes së heshtur; duke rënë dakord në heshtje (në situatat ku një palë nuk shpreh qartë miratimin e saj për një veprim, por e pranon atë duke mos kundërshtuar).
Taedium vitae (tédium víte) lat. mërzitje / lodhje, rraskapitje nga jeta; të velurit / ngopja nga jeta; ndjenjë e thellë e mërzisë ose e zhgënjimit nga jeta; humbja e interesit a e motivimit për gjërat që dikur kanë qenë tërheqëse; mal du siécle (Seneka).
Taliter qualiter (talíter kualíter) lat. 1. Deri diku; deri në njëfarë mase. 2. Në këtë mënyrë, në mënyrën e kërkuar, ashtu siç pritej.
Tel père tel fils (tel pérë tel fís) frëngj. 1. Si i ati dhe i biri; janë njësoj, i kanë ngjarë shumë njëri-tjetrit; fëmija ngjan e sillet si prindët e vet; bëmë baba të të ngjaj. 2. fig. Trashëgimia dhe edukimi kanë një ndikim të madh në formimin e njerëzve.
Temet nosce! (témet nósce) lat. Njih veten / vetveten;! nosce te ipsum.
Tempora mutantur et nos mutamur in illis (témpora mutántur et nos mutámur in íllis) lat. kohët ndryshojnë dhe ne ndryshojmë bashkë me to; koha dhe jeta njerëzore janë të pandashme dhe njerëzit duhet të përshtaten e të ndryshojnë për t'iu përgjigjur këtyre ndryshimeve (Ovidi).
Temporis filia veritas (témporis fília véritas) lat., prov. e vërteta është bijë e kohës; koha e nxjerr të vërtetën në shesh; e vërteta del në dritë me kalimin e kohës.
Tempus fugit (témpus fúgit) lat. koha ikën / kalon; koha fluturon; koha nuk pret; koha rrjedh si uji (shprehje e njohur, e cila shpesh përdoret në letërsi, në art e në diskutime filozofike për të ilustruar konceptin e përkohshmërisë së jetës dhe rëndësinë e shfrytëzimit të kohës) (Virgjili).
Tenere lupum auribus (tenére lúpum aúribus) lat., edhe iron. mban ujkun nga veshët; është trim i madh, nuk merr parasysh asnjë rrezik; nuk di çështë frika; nuk i bën syri tërr; i var zilen ariut; futet në shpellë të arushës; e ha barutin me grusht (Juvenali).
Terra firma (térra fírma) lat. 1. Tokë e fortë, stere; tokë e qëndrueshme. 2. fig. Situatë ose gjendje e qëndrueshme dhe e sigurt; ndjenjë e sigurisë dhe e qëndrueshmërisë në jetën e përditshme.
Terra incognita (térra inkógnita) lat. 1. gjeogr.Tokë e panjohur / e paeksploruar (shprehja ka lindur në kohën e zbulimeve gjeografike dhe është përdorur për herë të parë në hartat e periudhës së Rilindjes, kur territore të panjohura ende nuk ishin zbuluar a dokumentuar). 2. fig. Dikush a diçka ende e panjohur mirë e me hollësi, për çka nuk jep dot opinion. 3. fig. Fushë e panjohur a e pastudiuar në art, në shkencë etj.
Terra mater (térra máter) lat., lart. toka mëmë; mëmëdheu (në letërsi, në mitologji, në filozofi etj. është përdorur për të përshkruar përkujdesjen dhe natyrën jetëdhënëse të Tokës).
Terra nullis (térra núlis) lat., drejt. tokë asnjanëse, zonë neutrale; tokë e askujt (një territor që nuk është i populluar ose që nuk ka një pronar të njohur juridikisht).
Tertium non datur (tércium non dátur) lat., filoz. e treta nuk jepet; të tretë nuk ka; rrugë / mundësi të tretë nuk ka; rrugë të mesme nuk ka; ose…ose, një nga të dyja; ndërmjet dy gjykimeve nuk mund të ekzistojë një i tretë (parim i logjikës klasike, i cili thotë që për çdo çështje ka vetëm dy mundësi të kundërta dhe nuk ekziston një mundësi e tretë) (Aristoteli).
Tertius gaudens (tércius gáudens) lat. i treti që gëzohet, d. m. th. i treti gëzohet; personi i tretë përfiton nga grindja a lufta ndërmjet dy kundërshtarëve politikë.
Testimonium paupertatis (testimónium paupertátis) lat. 1. Dëshmia e varfërisë; dëshmi vobegësie, fukarallëku. 2. fig. Mungesë arsyeje, varfëri mendore; budallallëk me brirë.
Testis temporum (téstis témporum) lat. dëshmitar i kohëve; dikush a diçka që të sjell si të gjallë një dëshmi të saktë nga historia; provë e drejtpërdrejtë e ngjarjeve të kaluara (Ciceroni).
Testis unus, testis nullus (téstis únus, téstis núlus) lat., drejt. një dëshmitar s'është dëshmitar; një dëshmi e vetme nuk është e mjaftueshme për të vërtetuar diçka; është e nevojshme të ketë më shumë se një dëshmitar për të pasur një dëshmi të besueshme e të fortë.
That is the question (dhet is dhë kuésçën) angl. shih To be or not to be, that is the question.
The honey moon (thë háni mun) angl. 1. etnogr. Muaji i hënës; muaji i mjaltit; periudha menjëherë pas fejesës ose pas martesës së një çifti. 2. iron. Lulëzimi, koha më e bukur, periudha e marrëdhënieve më të mira midis dy popujve, midis dy vendeve etj.
Thesaurus rerum omnium memoria (tezáurus rérum ómnium memória) lat., prov. kujtesa është depoja e çdo gjëje; mëmoria është thesari i gjithçkaje; kujtesa ruan gjithçka (Ciceroni).
Time is money (táim iz máni) angl. koha është para / flori (B. Franklin).
Timeo homini unius libri (tímeo hómini únius líbri) lat. frikësohem / druhem nga njeriu i një libri / nga mendjengushti; fig. ruaju prej të paditurit / prej injorantit (Thoma Akuini).
To be or not to be: that is the question (tu bí or not tu bí, dhet is dhe kuésçën) angl. të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja (shprehja e Hamletit në dramën me të njëjtin titull të Shekspirit, që përdoret për të karakterizuar dilemën e madhe në një situatë për jetë a vdekje, kur dikush nuk merr dot një vendim se si duhet të veprojë) (Shekspiri).
Tot capita, tot sensus (tot kápita, tot sénsus) lat., prov. sa koka / njerëz, aq mendime / gjykime; çdo njeri ka mendjen e vet.
Tot capita, tot sententia (tot kápita, tot sentencie) lat., prov. shih Quot capita, tot sensus / sententiae.
Tot homines, quot sententiae (tot hómines, tot senténcie) lat., prov. sa njerëz, aq mendime.
Totis viribus (tótis viribus) lat. me të gjitha forcat; me të gjitha fuqitë.
Toto genere (tóto génere) lat. me çdo lloj mjeti; në çdo mënyrë; duke përfshirë të gjitha mundësitë.
Tour de main (tur dë mên) frëngj. manovër e dorës; fig. veprim i shpejtë dhe i zgjuar; aftësi praktike.
Tours de force (tur dë fórsë) frëngj. 1. Vepër e forcës; pasojë e forcës / e veprimit. 2. fig. arritje e jashtëzakonshme, paraqitje e shkëlqyer etj., që tregon aftësi, forcë ose talent të jashtëzakonshëm (në arte, në sport etj.).
Tout court (tu kur) frëngj. thjesht; vetëm kaq; shkurt; nuk ka nevojë për shpjegime të mëtejshme, sepse është e qartë.
Traduttore traditore (tradutóre traditóre) ital. përkthyesi / është tradhtar (shprehja përdoret gjerësisht në letërsi dhe lidhet me vështirësitë që hasin e pasigurinë që kanë përkthyesit gjatë përkthimit të një vepre, duke e përdorur këtë "tradhti" si një mënyrë për të shpjeguar se përkthimi nuk është kurrë një pasqyrim i përkryer i origjinalit).
Tres mulieres faciunt mundinas (tres muliéres fáciunt múndinas) lat., prov., iron. tri gra bëjnë një treg; tri gra mjaftojnë për të bërë një ditë tregu / pazari (gratë, kur mblidhen, flasin shumë, krijojnë gjallëri, bëjnë zhurmë, siç ndodh në një ditë tregu).
Tu quoque, Brute! (tu kuókue, Brúte!) lat. edhe ti, Brut!; i thuhet me ironi a me habi një miku a një shoku të ngushtë, që të del nga fjala a të thyen besën e dhënë (fjalët e fundit të Jul Cezarit, të thëna në tragjedinë me të njëjtin emër të Shekspirit, kur ai e kupton se Mark Bruti, një mik i ngushtë, është ndër komplotistët që po e vrasin); et tu, Brute!; Etiam tu, mi fili, Brute!
Tu quoque, fili! (tu kuókue, fíli!) lat. edhe ti, bir!; një variant i shprehjes tu quoque, Brute!
Tuer le temps (tu le tâm) frëngj. të vrasësh kohën; të kalosh kohën pa u lodhur e pa e vrarë mendjen për asgjë.
Tulit alter honores (túlit álter honóres) lat. një tjetër i mori nderet; dikush tjetër fitoi nderimet / ai që nuk i meritonte; dikush mbjell e dikush tjetër i merr frytet (Virgjili).
Tutti quanti (túti kuánti) ital. 1. Të gjithë; të gjithë së bashku; të gjithë pa përjashtim. 2. Të tjerat të po atij lloji; dhe gjithë të tjerat.
Tête à tête (tétë a tétë) frëngj. kokë më kokë; fig. vetëm për vetëm të dy; sy më sy; pa dëgjuar të tjerët.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë