Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.
Gala ornithon (γάλα όρνιθον) greq. qumësht pulash; fig. diçka shumë e rrallë, që nuk mund të gjendet; qumësht / tambël dallëndysheje.
Gallina scripsit (galína skrípsit) lat., fig., iron. e ka shkruar pula; fig. është shkruar me shkrim shumë të keq, të ngatërruar e të palexueshëm; është shkruar me këmbët e pulës.
Gaudet patientia duris (gáudet paciéncia dúris) lat., prov., fig. durimi kënaqet / gëzohet me vështirësitë; durimi forcohet / kalitet përmes vështirësive.
Gnothi seauton (γνῶθι σεαυτόν) greq., filoz. Njih vetveten! (shprehja lidhet ngushtë me konceptin e njohjes së brendshme / e vetënjohjes dhe përdoret zakonisht në rastet kur dikush nuk përfill këshillat a vërejtjet e tjetrit, por këmbëngul në të vetën); nosce te ipsum! lat. (Sokrati etj.).
Graeca fides (gréka fídes) lat., iron. shih Fides graeca.
Gramatici certant (grammátici cértant) lat., iron. gramatikanët / njerëzit e dijes hahen / diskutojnë / grinden; fig. thuhet për ata që debatojnë për gjëra të vogla e të parëndësishme, që nuk i interesojnë askujt; për ata që hahen kot, bëjnë fjalë a grinden për diçka fare pa rëndësi; e lagu s’e lagu bishtin dhelpra; zihen për mjekrën e qoses (përdoret për të kritikuar diskutime akademike të panevojshme).
Grandia exempla (grándia ekzémpla) lat. shembuj të mëdhenj / të jashtëzakonshëm; shembuj bindës (për një njeri, për një ngjarje historike, për një zbulim etj., që shërben si shembull për të tjerët).
Gros de l’avenir (gro dë lavënir) frëngj. i mbarsur me të ardhmen; fig. i rëndësishëm për të ardhmen; që ka brenda të ardhmen (shpesh thuhet për njerëz që kanë ide të reja, aftësi, dhunti, talent etj., të cilët mund të kenë një ndikim të madh në zhvillimet e ardhshme, si në art, në shkencë, në biznes a në fusha të tjera) (Lajbnici).
Grosso modo (grósso módo) lat. në mënyrë të përafërt; në përgjithësi; afërsisht; pa hyrë në hollësi; në vija të trasha.
Guarda e passa (guárda e pássa) ital. shiko dhe kalo!; fig. ji i matur e i përmbajtur ndaj gjërave që mund të jenë të pakëndshme a të parëndësishme (Dante Aligieri).
Gutta cavat lapidem (gúta kavát lápidem) lat., prov. pika e ujit gërryen gurin; fig. pavarësisht sa e fortë mund të jetë një pengesë a një sfidë, me durim e këmbëngulje mund t’ia arrijmë qëllimit; me përpjekje të vogla e të përditshme mund të arrijmë rezultate të mëdha; i duruari, i fituari (Ovidi).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë