Fjalori

SHPREHJE TË HUAZUARA TË PAASIMILUARA

Kërkimi më sipër vepron vetëm në këtë shtojcë. Kliko këtu për t'u kthyer në fjalorin kryesor.
A B C D E F G H I J L M N O P Q R S T U V W

Shprehje që fillojnë me “S”

Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.

Sacra scriptura (sákra skriptúra) lat., fet. shkrimi i shenjtë (dy librat e Biblës).

Sacrificium intellectus (sakrifícium inteléktus) lat. flijim intelektit; sakrifikim i arsyes / i mendjes; të hequrit dorë nga bindjet vetjake për hir të besimit të verbër ndaj dikujt a ndaj diçkaje.

Saepe creat moles aspera spina rosas (sépe kréat móles áspera spína rózas) lat., prov. shpesh gjembi i egër lind trëndafila; shpesh ferra nxjerr në dritë trëndafila të butë; fig. nga vështirësitë dhe dhembjet, shpesh lind bukuria, mirësia dhe shpresa.

Sal Atticum (sal áttikum) lat., fig. kripë atike; kripa / zgjuarsia e stilit atikas; mprehtësi mendjeje; stil i mprehtë dhe elegant (shprehja lidhet me Atikën, krahina greke ku ndodhet Athina, që ishte qendra e kulturës dhe e oratorisë në Greqinë e lashtë).

Salix flectitur, sed non frangitur (sáliks fléktitur, sed non frángitur) lat., prov. shelgu lakohet / epet, por nuk thyhet.

Salto mortale (sálto mortále) ital. 1. sport. Kërcim vdekjeprurës; manovër akrobatike e rrezikshme, zakonisht në sportet ekstreme ose në akrobaci. 2. fig. Sipërmarrje vendimtare; moment kritik në jetë, situatë që ka rrezikshmëri të lartë. 3. fig. Hap i dëshpëruar; veprim i guximshëm për të marrë një vendim të vështirë ose për të përballuar situata të rrezikshme.

Salto vitale (sálto vitále) ital. kërcim i jetës / jetësor; veprime që mund të ndryshojnë rrjedhën e jetës, si fillimi i një karriere të re etj.

Salus populi suprema lex / esto (sálus pópuli supréma leks / esto) lat., lart. mirëqenia e popullit është ligji më i lartë (Ciceroni).

Salus publica (sálus públika) lat. mirëqenie shoqërore; mbarëvajtje e shoqërisë; e mira e përbashkët; siguria, mirëqenia dhe interesi i shoqërisë.

Salva me ab ore leonis (sálva me ab óre leónis) lat., fig. shpëtomë nga goja e luanit; më shpëto nga rreziku më i madh; lutje e dikujt për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt, sikurse është goja e luanit (Bibla).

Salvavi animam meam (salvávi ániman méam) lat. shpëtova shpirtin tim; shih Dixi et salvavi animam meam.

Salvo jure (sálvo júre) lat., drejt. me ruajtjen e së drejtës; duke e ruajtur të drejtën; pa dhunuar të drejtën e palës tjetër.

Sancta sanctorum (sánkta sanktórum) lat. 1. E shenjta e të shenjtave; shenjtëria e shenjtërisë; shenjtërorja e shenjtëroreve. 2. Vend i shenjtë; një vend ku mund të futet vetëm një numër i kufizuar njerëzish, një vend për njerëzit e zgjedhur. 3. Rregull i paprekshëm; gjë e shenjtë (Bibla).

Sancta simplicitas (sánkta simlicítas) lat. thjeshtësi e shenjtë; shih O sancta simplicitas!

Sanguine et sudore (sánguine et sudóre) lat. me gjak e me djersë; fig. me sakrifica të jashtëzakonshme e me punë të madhe; çmimi që është paguar për të arritur diçka shumë të rëndësishme.

Sapere aude! (sapére áude!) lat. Guxo të dish / të bëhesh i ditur!; Ki guxim të mësosh!; Të dish do të thotë të guxosh!; njeriu duhet të jetë kurioz për të pyetur e për të mësuar (Horaci).

Sapienti pauca (sapiénti pauka) lat. të mendshmit pak / fjalë; për njeriun e mençur mjaftojnë pak fjalë; sapienti sat.

Sapienti sat (sapiénti sat) lat. për të mençurin mjaft; shih Verbum sat sapienti.

Sat sapienti (sat sapiénti) lat. mjaft për të mençurin; shih Verbum sat sapienti.

Satis superque (sátis supérkue) lat. mjaft dhe më tepër; mëse mjaftueshëm; tej mase; est modus in rebus (përdoret për të theksuar teprinë në çdo gjë).

Satis verborum! (sátis verbórum) lat., iron. Mjaft / boll me llafe!; S’ka nevojë për më shumë fjalë!

Saxa loquuntur (sáksa lokuúntur) lat., prov. gurët flasin; edhe gurët tregojnë / dëshmojnë; gjësendet, veçanërisht ato që janë të vjetra ose historike, mbajnë brenda tyre histori dhe përvoja, duke u dhënë njerëzve mundësi për të mësuar nga e kaluara.

Scio me multa nescire (scío me múlta nescíre) lat. E di se unë nuk di më shumë! E di se unë nuk i di të gjitha! (Sokrati).

Scito te ipsum (scíto te ípsum) lat. Njih vetveten! shih Gnothi seauton.

Scripta manet (skrípta mánent) lat. shih Littera scripta manet.

Se unum hoc shire, nihil se shire (se únum hoc shire, níhil se shire) lat. di një gjë që s'di asgjë; shih Unum scio, quod nihil scio.

Second coming (sékënd káming) angl. 1. fet. Ardhja e dytë (sipas Biblës, koha kur Krishti do të rikthehet për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit, duke vendosur një periudhë të re të drejtësisë dhe të paqes). 2. fig. Simbol i ndryshimeve rrënjësore dhe i shpresës për një fillim të ri në të ardhmen.

Secunda aut adversa fortuna (sekúnda áut advérsa fórtuna) lat. në fatin e mirë ose të keq; si të të vërtitë fati; jeta është e mbushur me ngjarje të papritura dhe njerëzit duhet të jenë të gatshëm të përballen si me sukseset, ashtu edhe me dështimet.

Secundum artem (sekúndum ártem) lat. sipas artit; në bzë të ligjeve të artit; shih Lege artis.

Secundum naturam (sekúndum ártem) lat. sipas natyrës; në përshtatje me natyrën; sipas ligjeve të natyrës.

Self-made-man (sélf-méid-men) angl. 1. Njeri i suksesshëm, njeri që e ka ndërtuar jetën dhe karrierën e tij nga fillimi, duke e fituar çdo arritje nëpërmjet punës së palodhur, vendosmërisë dhe aftësive vetjake, pa ndihmën e të tjerëve; njeri i përkushtuar dhe i motivuar për të arritur qëllimet e tij; dikush që edhe dështimin e sheh si një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur profesionalisht. 2. keq. Njeri që bën vetëm për vete; njeri egoist.

Semina scientiarum (sémina scienciárum) lat. farat e dijes / e shkencës; fig. zanafilla e dijeve; fillesat e shkencës.

Semper idem (sémper ídem) lat. 1. Gjithmonë po ajo gjë; përherë e njëjta gjë; pa asnjë ndryshim; domethënë po ajo këngë e muzikë, po ai avaz; keq. t’i biesh fyellit / kavallit në një vrimë; t’i biesh daulles në një vend. 2. Po ai, gjithmonë i njëjtë; pa asnjë ndryshim; hiq e vër atë; hiq dosën e vër derrin. 3. Gjithmonë po në atë mënyrë.

Senectus ipsa est morbus (senéktus ípsa mórbus) lat., fj. u. vetë pleqëria është sëmundje; pleqëria me të këqija; pleqnia asht delendia (Publilius Syrus).

Senectus primum consulenda (senéktus prímum consulénda) lat., fj. u. pleqëria është ajo që duhet dëgjuar e para; pleqëria është burim urtësie dhe maturie, prandaj duhet të dëgjohet e para; fjala e të moçmit do mbajtur mend; plakut fjalët dëgjoja, por jo gjamën.

Senem juventus pigra mendicum creat (sénem juvéntus pígra méndikum kreat) lat., prov. rinia përtace / dembele e bën plakun lypës; kur përton në të ri, vuan në pleqëri; nuk punove në të ri, rri e qaj në pleqëri.

Sensu lato (sénsu láto) lat. në kuptimin e gjerë; shih Lato sensu.

Sensu stricto (sénsu stríkto) lat. 1. Në kuptimin e ngushtë; duke folur në mënyrë strikte; jo në mënyrë të përgjithshme; kund. sensu lato. 2. Në një kuptim më të saktë; saktësisht, pa dykuptimësi (në drejtësi, në përkufizime shkencore etj.).

Sermo est imago animi (sérmo est imágo ánimi) lat., prov. të folurit / fjala është pasqyrë e shpirtit; qualis vir, talis oratio.

Servus servarum (sérvus servárum) lat. 1. fet. Shërbëtor i shërbëtorëve; besimtar i përkushtuar për të tjerët. 2. keq. Njeri sevil e pa personalitet; dikush që i bëhet baltë pas këpuce dikujt.

Si caecus caecum ducit, ambo in foveam cadunt (si cékus cékum dúcit, ámbo in fóveam kádunt) lat., prov. kur një i verbër shoqëron një të verbër tjetër, bien që të dy në gropë; kur prin i verbri, të gjithë bien në hendek (Bibla).

Si duo faciunt idem, non est idem (si dúo fáciunt ídem, non est ídem) lat. kur dy njerëz / të ndryshëm bëjnë të njëjtën gjë, atëherë kjo është më e njëjta gjë; kur dy njerëz kryejnë të njëjtën punë, kjo nuk bëhet njëlloj; veprimet e njëjta nuk janë të barabarta për shkak të ndryshimeve në rrethana ose në qëllime (Publilius Syrus).

Si licet parva componere magnis (si lícet párva kompónere mágnis) lat. nëse lejohet të krahasohet e vogla me të mëdhatë; në qoftë se mund të krahasojmë diçka të vogël me diçka të madhe; nëse krahasimi nuk është i tepruar (Virgjili).

Si non è vero, è ben trovato (si non è véro, è ben trováto) ital. mund të mos jetë e vërtetë, por është e gjetur mirë; nëse nuk është e vërtetë, është e thënë bukur (për diçka që është shkruar ose është thënë me shpirt krijues, me humor e me fantazi etj., për një ide, një histori, një shprehje etj., që duken të pabesueshme, por shprehen me zgjuarsi dhe në mënyrë krijuese).

Si quaesieris, invenies (si kuezíeris, invénies) lat., prov. po të kërkosh, do të gjesh; kush kërkon, gjen (Bibla).

Si quis dat mannos, ne quaere in dentibus annos (si kuís dat mánnos, ne kuére in déntibus ánnos) lat., prov. në qoftë se dikush të dhuro kuaj / mëzatë, mos ua kërko vitet në dhëmbë; shih Equi donati dentes non inspiciuntur.

Si vis pacem, para bellum (si vis pácem, pára bélum) lat. në do paqe, përgatitu për luftë; paqja nuk është kurrë e sigurt, nëse nuk mbrohet nga roja vigjilente e bajonetave; përgatitja për luftë është mënyra më e mirë për të siguruar paqe; si vis pacem, para pacem (Vegecius).

Si vis pacem, para pacem (si vis pácem, pára pácem) lat. nëse do paqe, përgatit paqen; shih Si vis pacem, para bellum.

Si vivis Romae, romano vivito more (si vívis Rome, románo vívito móre) lat. nëse jeton në Romë, jeto sipas zakonit roman; sipas vendit bëhet kuvendi.

Sic et non (sik e non) lat. po dhe jo; kështu dhe jo kështu (shprehje e ka burimin nga vepra e Pjer Abelarit me të njëjtin titull dhe përdoret për një situatë ku diçka është e saktë në disa rrethana dhe e gabuar në të tjera, duke theksuar kontrastin ose dykuptimësinë, si dhe për të vënë në dukje pikëpmaje të kundërta).

Sic infit (sik ínfit) lat. kështu fillonte; kështu nisi të fliste; ja si fillon rrëfimi.

Sic itur ad astra (sik ítur ad ástra) lat. kështu arrihet / shkohet te yjet; kjo është rruga për tek yjet; fig. kjo është rruga drejt lavdisë; madhështia dhe lavdia arrihen përmes përpjekjeve të mëdha dhe veprimeve të guximshme; për të arritur qëllime të larta a të mëdha, është e nevojshme të punohet fort dhe të bëhen sakrifica; per aspera ad astra (Virgjili).

Sic transit gloria (sik tránzit glória) lat. Kështu kalon lavdia! shih Sic transit gloria mundi.

Sic transit gloria mundi (sik tránzit glória múndi) lat., prov. 1. fet. Kështu kalon në heshtje / nuk përmendet) lavdia / fama e botës / e njërëzimit, e njerëzve (shprehja është përdorur tradicionalisht me ceremoninë e shugurimit të Papëve në Kishën Katolike, si frazë liturgjike për të kujtuar përkohshmërinë e lavdisë tokësore në krahasim me përjetësinë e shpirtit). 2. fig. Shprehja pasqyron përkohshmërinë e arritjeve botërore, dështimet pas ndonjë fitoreje të madhe ose vdekjen e njrëzve të shquar të botës.

Sic vita est (sik víta est) lat. kështu e ka jeta; e tillë është jeta.

Silent leges inter arma (sílent léges ínter árma) lat., prov. ligjet heshtin në mes të armëve / në kohë lufte; ligjet pushojnë nga forca e armëve, nuk veprojnë në kohën e luftës; lufta nuk njeh ligje e kufij (Ciceroni).

Simia simia est, etiam si aurea gestat insignia (símia símia est, étiam si aúrea géstat insígnia) lat., fj. u., iron. majmuni mbetet majmun, edhe po të mbajë shenja dalluese prej ari; natyra dhe thelbi i vërtetë i dikujt nuk ndryshojnë, pavarësisht se çfarë pamjeje të jashtme merr; gomarë, me ar ta veshësh, veshët do t’i duken; gomarë, sado ta stilsësh, “Shti!” do t’i thuash; me thes floriri ta mbështjellësh, po është dru, dru mbetet.

Simila similibus curantur (simíla simílibus kurántur) lat. 1. mjek. Të ngjashmet kurohen / mjekohen me të ngjashmet (substancat që shkaktojnë simptoma te një individ mund të ndihmojnë në shërimin e atij individi kur jepen në sasi të vogla). 2. fig. Në jetën dhe në marrëdhëniet shoqërore, ngjashmëria në përvoja ose në karakteristika mund të çojë në lidhje ose në zgjidhje më të frytshme.

Similis simili gaudet (simílis simíli gáudet) lat., prov. të ngjashmit gëzohen / kënaqen me të ngjashmit; fig., keq. e gjeti dikush shokun njësoj si vetja, ka po ato të meta e dobësi si ai tjetri; si njëri dhe tjetri njësoj janë; u rrokullis tenxhereja e gjeti kapakun; gjeti rrasa vegshin (Aristoteli).

Sine anno (síne áno) (shkurt. s. a.) lat., biblio. pa vit / botimi (për librat).

Sine causa (síne káuza) lat., drejt., filoz. pa shkak, pa arsye, pa motiv.

Sine cura (síne kúra) lat. pa mundim, pa shqetësime; pa e vrarë shumë veten; pa e vrarë kockën.

Sine die (síne díe) lat., drejt. pa datë (për vazhdimin e një procesi); pa afat të caktuar, pa caktuar ditën (shprehja përdoret edhe në diplomaci, kur nuk përcaktohet saktë data a vendi për një takim të rëndësishëm midis palëve).

Sine dubio (síne dúbio) lat. pa dyshim; patjetër; pa pikë dyshimi.

Sine ira et studio (síne íra et stúdio) lat. 1. Pa zemërim e pa pasion; pa inat e zili. 2. Në mënyrë të paanshme; duke mos mbajtur anën e askujt; me drejtësi; objektivisht; me dorë në zemër (Taciti).

Sine loco (shkurt. S. l.) (síne lóko) lat., biblio. pa vend / botimi.

Sine mora (síne móra) lat. pa vonesë; menjëherë; pa humbur kohë; urgjentisht.

Sine nomine (síne nómine) lat., biblio. pa emërtimin / titullin.

Sine prole (síne próle) lat. pa pasardhës; pa trashëgimtar; pa fëmijë.

Sine qua non (síne kuá non) lat. pa të cilën s’bëhet; i domosdoshëm; shih Conditio sine qua non.

Sine spe (síne spe) lat. pa shpresë; në gjendje të dëshpëruar.

Sine tempore (shkurt. S. t.) (síne témpore) lat., biblio. pa titull; pa shënuar titullin (e librit etj.)

Sisyphas opes (sízifas ópes) lat., mit. 1. Punë Sizifi / sizifiane; fig. punë e rëndë, e mundimshme, pa fund e pa rezultat; mundim i kotë (sipas mitologjisë greke, Sizifi u dënua nga Zeusi që të çonte një gur të madh gjer në majë të një kodre, por, sapo i afrohej majës, guri rrokullisej në fund dhe atij i duhej ta bënte këtë gjë pa pushim. 2. Faj a mëkat që dënohet rëndë e që e vuan thuajse për gjithë jetën.

Sit modus in rebus (sit módus in rébus) lat. Çdo gjë të ketë një kufi!; shih Est modus in rebus!

Sit venia verbo (sit vénia vérbo) lat. më falni për fjalët; këkoj lejë për fjalët; me nder zotërisë suaj; me nder jush; në u lejoftë të shprehemi kështu (fjalë hyrëse për të thënë diçka që mund të jetë e rëndë a e pakëndshme, por që është e nevojshme për të thënë / të thuhet).

Soi disant (suá dizân) frëngj., iron. i vetëquajtur, i ashtuquajtur; siç thotë vetë; gjoja; që mendon se është... (kur dikush i jep vetes një status që mund të mos jetë i merituar).

Sol accendit Olympum (sol accendit Olympum) lat. 1. Dielli ndriçon Olimpin! (dielli është simbol i energjisë dhe i fuqisë që ndriçon Olimpin, i cili, sipas mitologjisë greke, është shtëpia e perëndive). 2. fig. Ndez, çon peshë, jep shkas (përdoret për të përshkruar një ngjarje të lavdishme, e cila ka ndikim të madh te njerëzit).

Sol lucet omnibus (sol lúcet ómnibus) lat. dielli ndrit / ndriçon për të gjithë; fig. të gjithë njerëzit kanë të drejtë të gëzojnë të mirat e kësaj bote.

Solus ipse (sólus ípse) lat. ai / ajo vetë.

Sous le manteau (su lë mantó) frëngj. nën pallto; fshehurazi (për një veprim është bërë në mënyrë të fshehtë ose të papritur).

Speculum fallax (spékulum fállaks) lat. pasqyrë e gënjeshtërt (për të përshkruar diçka që nuk pasqyron realitetin, por tregon një imazh të rremë ose të shtrembëruar).

Speculum mentis est facies (spékulum méntis est fácies) lat., prov. fytyra është pasqyrë e mendjes; pamja e jashtme e njeriut, veçanërisht fytyra, pasqyron botën e tij të brendshme.

Speculum sine macula (spékulum síne mácula) lat., fig. pasqyrë pa njolla; pasqyrë e pastër; shembull i ndershmërisë dhe i sinqeritetit.

Spero meliora (spéro melióra) lat. shpresoj për më të mirat; presim gjëra më të mira (për të shprehur shpresën në situata të vështira a të pasigurta, duke këshilluar se, pavarësisht rrethanave, ka besim se gjërat do të përmirësohen).

Spes me delusit (spes me delúzit) lat., fig. më zhgënjeu shpresa; shpresa më mashtroi.

Spes sibi quisque (spes síbi kúiskue) lat. çdokush ka shpresën e tij; secili le të jetë shpresë për veten; secili të besojë vetëm në forcat e mjetet e veta (çdo njeri ka të drejtën dhe mundësinë për të pasur shpresë për të ardhmen e tij ose për situatën e tij vetjake).

Spes ultima (spes última) lat., fig. shpresa e fundit; mjeti i fundit; shih Ultimum refugium.

Spes vincit (spes víncit) lat., prov. shpresa fiton / triumfon; sa kohë ka shpresë, ka fitore.

Speude bradeos (spéude bradéos) lat., fig. Vrapo / nxito ngadalë / lehtë!; shih Festina lente!

Spiri, spera (spíri spéra) lat. sa merr frymë, shpreso (një thirrje për të mos humbur shpresën dhe për të besuar në mundësi pozitive, pavarësisht nga situatat e vështira).

Spiritus rector (spíritus réktor) lat. shpirti drejtues, shpirti prijës; fryma drejtuese, prijëse (njeri që është frymëzues dhe që ka aftësinë të udhëheqë ose drejtojë një grup ose një proces në një drejtim të caktuar).

Sponte sua (spónte súa) lat. sipas vullnetit të vet; me vullnet të lirë; me dashje / me dëshirë; vullnetarisht.

Sponte sua, sine lege (spónte súa, síne lége) lat. me vullnet të lirë, pa ligj; me dëshirën e vet; si t’ia thotë mendja, pa marrë parasysh ligjin (Ovidi).

Stante pede (stánte péde) lat. më këmbë, i gatshëm për të vepruar menjëherë.

State of minde (stéit of máin) angl. gjendje e mendjes; gjendje shpirtërore; mendimet, ndjenjat, qëndrimet etj. që njeriu ka në një moment të caktuar.

Statu quo (státu kuó) lat. gjendja ekzistuese (në gjuhën shqipe përdoret edhe si një fjalë e vetme: statukuo); shih In statu quo.

Status in statu (státus in státu) lat. shtet në shtet; shtet brenda shtetit; grupim i organizuar njerëzish e i mbyllur në vetvete, i cili i kundërvihet organizimit të përgjithshëm me mjete e forma të ndryshme (Teodor Agripa).

Status nascendi (státus nascéndi) lat. status i lindjes; faza e krijimit; gjendja ose statusi i diçkaje që është në procesin e lindjes ose të krijimit (për ide, koncepte, projekte, krijime letrare etj.)

Status praesens (státus prézens) lat. gjendja e tanishme / ekzistuese; gjendja në çastin kur po diskutohet.

Status quo (státus kuó) lat. gjendja ekzistuese; gjendja e tanishme e gjësendeve; në gjendjen ku ndodhemi (përdoret për të treguar ruajtjen e një gjendjeje të caktuar, veçanërisht në kontekste politike, sociale a ekonomike, kur palët e interesuara kërkojnë të mbajnë situatën siç është dhe të mos bëjnë asnjë ndryshim).

Status quo ante (státus kuó ánte) lat. gjendja e mëparshme; gjendja që ka qenë deri në një çast të caktuar (nënkupton që situata duhet të kthehet në mënyrë që të rivendosen kushtet e mëparshme, zakonisht pas një konflikti ose pas një veprimi që ka shkaktuar ndryshim); in statu quo ante.

Step by step (step baj step) angl. hap pas hapi; shkallë-shkallë; gradualisht (përdoret për të përshkruar një proces të organizuar ose të planifikuar, ku çdo hap ndihmon në arritjen e një qëllimi të caktuar, si në procesin mësimor etj.).

Stricto jure (stríkto júre) lat., drejt. me drejtësi juridike / ligjore; në mënyrë rreptësisht ligjore; vetëm sipas ligjit të shkruar.

Stricto sensu (stríkto sénsu) lat. në kuptimin e ngushtë; shih Sensu stricto.

Struggle for existence (stráxhëll for ekzístëns) angl. luftë për ekzistencë; struggle for life.

Struggle for life (stráxhëll for láif) angl. lufta për jetën; lufta për ekzistencë (koncept i njohur që përdoret në shkencat shoqërore për të përshkruar përpjekjet për mbijetesë në natyrë, por edhe në shoqërinë njerëzore, veçanërisht në kontekstin e teorisë së evolucionit të Çarl Darvinit).

Stupor mundi (stupór múndi) lat. mrekulli e botës; diçka e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme, që i lë njerëzit të habitur.

Sua sponte (súa spónte) lat., drejt. me pëlqimin e vet (një veprim që një gjykatë ose palë e interesuar e ndërmerr pa ndonjë kërkesë të jashtme).

Sub aeternitas (sub etérnitas) lat. në përjetësi (një ide që lidhet me përjetësinë, pavdekësinë dhe qëndrueshmërinë e diçkaje që nuk ndikohet nga kalimi i kohës).

Sub conditione (sub kondicióne) lat. 1. fet. Me kusht, në rrethana të caktuara (p. sh. i pagëzuar sub conditione). 2. drejt. Vlen ose ndodh vetëm nëse plotësohet një kusht i caktuar (marrëveshje, kontratë etj.).

Sub divo (sub dívo) lat. jashtë; në ajër të pastër; në qiell të hapur; në natyrë (për një stil jetese që është më afër natyrës ose për një ndjenjë lirie a për të shijuar bukuritë e natyrës).

Sub finem (sub fínem) lat. nga fundi; afër fundit (të jetës etj.).

Sub Jove frigido (sub Jóve frígido) lat. nën Jupiterin e ftohtë; jashtë në natyrë, në mot të ftohtë.

Sub judice (sub judice) lat., drejt. në shqyrtim e sipër (për një çështje gjyqësore).

Sub poena (sub poéna) lat., drejt. (thirrje gjyqi) me paralajmërim për gjobë (në rast mosparaqitjeje).

Sub rosa (sub róza) lat. 1. Nën trëndafil; fig. privatisht; në fshehtësi; larg syve të botës (në antikitet trëndafili simbolizonte sekretin, fshehtësinë). 2. Në mirëbesim të plotë.

Sub silentio (sub siléncio) lat. në heshtje; pa u përmendur, i nënkuptuar, por i pashprehur; në një situatë ku diçka lihet pa u përmendur ose pa u diskutuar zyrtarisht, por tërthorazi mund të ketë ndikim.

Sub specie aeternitatis (sub spécie eterinitátis) lat., filoz. nga pikëpamja e përjetësisë; i vështruar në lidhje me përjetësinë; nën këndvështrimin e përjetësisë.

Sub specie necesitate (sub spécie necéssitate) lat. në formën e domosdoshme, në aspektin e domodoshmërisë; ashtu siç duhet.

Sub voce (sub vóce) lat. 1. spec. Nën këtë zë, nën këtë titull (p. sh., në një fjalor, një term mund të gjendet sub voce të një fjale tjetër më të përgjithshme). 2. fig. Në mënyrë të heshtur ose në mirëbesim.

Sui generis (súi géneris) lat. i veçantë në llojin e vet, në gjininë e vet; origjinali; karakteristikat e veçanta të dikujt a të diçkaje, që e dallojnë atë nga të tjerët.

Sui juris (súi júris) lat., drejt. me të drejtën e vet (dikush që ka aftësi ligjore për të vepruar për veten e tij, pa pasur nevojë për kujdestar ose për avokat mbrojtës).

Summa cum laude (súmma kum láude) lat. me rezultate të shkëlqyera; me vlerësimin më të madh, me lavdërimet më të larta (shprehja përdoret për të vlerësuar ata studentë, që arrijnë suksese të mëdha gjatë viteve të studimit); cum laude; magna cum laude.

Summa summarum (súma sumárum) lat. 1. Shuma e shumave; përmbledhja e gjithçkaje; në fund të fundit, në përfundim të gjithçkaje; thelbi i thelbit; përfundimi, rezultati përmbledhës (përdoret për të shprehur idenë e një përfundimi të përgjithshëm, një përmbledhje a thelbi I diçkaje etj.). 2. Gjithë-gjithë; gjithsej.

Summum malum (súmum málum) lat. e keqja më e madhe; e keqja më e lartë; gjëja më e frikshme; një situatë, një veprim ose një ngjarje, që merrett si burimi më i madh i të këqijave ose i vuajtjeve njerëzore.

Sunt omnes unum (sunt ómnes únum) lat. të gjithë janë njësoj, të gjithë janë një, të gjithë formojnë një tërësi të vetme; pavarësisht dallimeve, të gjithë janë pjesë e një tërësie të vetme, një komunitet, një grup njerëzish etj.

Suo jure (súo júre) lat., drejt. me të drejtën e vet; në të drejtën e vet.

Suo loco (súo lóko) lat. në vendin e vet; atje ku duhet.

Suo tempore (súo témpore) lat. në kohën e vet, në kohën e duhur (për ngjarje a diçka tjetër që rrjedhin natyrshëm e bëhen pa u ngutur).

Suppressio veri (supprésio véri) lat. mbytja / shuarja e zërit të së vërtetës; mbulimi i së vërtetës; fshehja e së vërtetës.

Suprema lex (supréma leks) lat., drejt. ligji suprem, ligji më i lartë (siç është kushtetuta ose ndonjë akt i ligjit të më të lartë, i cili është shumë i rëndësishëm në një shtet a në një shoqëri).

Supremum vale (suprémum vále) lat. lamtumira e fundit; shih Ultimum vale.

Sutor, ne supra crepidam! (sútor, ne súpra krépidam) lat. këpucar, jo përtej sandales!; këpucar jep mendim vetëm për këpucët; mos jep gjykim jashtë kompetencave të tua; rri në atë zanat, që ta la yt atë! (njeriu duhet të qëndrojë në fushën e tij të profesionit dhe të mos japë mendime a gjykime mbi çështje që i tejkalojnë njohuritë e tij) (Plini).