Fjalori

SHPREHJE TË HUAZUARA TË PAASIMILUARA

Kërkimi më sipër vepron vetëm në këtë shtojcë. Kliko këtu për t'u kthyer në fjalorin kryesor.
A B C D E F G H I J L M N O P Q R S T U V W

Shprehje që fillojnë me “I”

Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.

Ibidem (shkurt. ibid.) (ibídem) lat. 1. Po aty; në të njëjtin vend; në të njëjtin libër (përdoret si term në bibliografi për të treguar se një informacion i cituar vjen nga i njëjti burim si te citimi i mëparshëm, duke kursyer kështu kohën për ta ripërsëritur emrin e burimit etj.); loc(o) cit(ato); op(ere) cit(ato). 2. Po në atë mënyrë, njëlloj.

Id est (shkurt. i. e.) (id est) lat. kjo është; domethënë...; pra, që do të thotë..., me fjalë të tjera (për të sqaruar më shumë diçka ose për të dhënë një përkufizim të gjerë për një term ose për një koncept që është përmendur më parë).

Idea dubia (idéa dúbia) lat. ide e dyshimtë; ide e paqartë (për një koncept, një teori etj., që është e pasigurt, e diskutueshme ose që ka dyshime të lidhura me të).

Idea falsa (idéa fálsa) lat. ide e rreme, ide false; koncept i gabuar; koncept a ide që nuk përputhet me realitetin.

Idea ficta (idéa fíkta) lat. ide e trilluar, diçka e paqenë; koncept që është pjellë e imagjinatës dhe jo e mbështetur në realitet.

Idem per idem (ídem per ídem) lat. e njëjta për të njëjtën, po ajo; po e njëjta gjë për të njëjtën gjë; ajo gjë, për të njëjtën gjë; filoz., drejt. rreth vicioz në një demonstrim kur përshkruhet një parim, i cili nënkupton se një veprim ose një situatë e caktuar nuk mund të justifikohet ose të argumentohet përmes vetvetes.

Idée fixe (idé fíksë) frëngj. 1. Ide fikse; koncept i ngurtë, i palëvizshëm; mendim ose bindje që është ngulitur fort në mendjen e dikujt, në mënyrë të përsëritur e të papërballueshme, pa mundur ta ndryshojë atë, edhe pse mund të jetë i pasaktë. 2. psikol. Shqetësim i vazhdueshëm; ide zotëruese, që s'mund të shkulet nga mendja; monomani.

Ignava ratio (ignáva rácio) lat., psikol. arsye / mendje përtace; mendje e ngadaltë, jovepruese; fig. njeri që nuk e vret mendjen; copë mishi me dy sy (Ciceroni).

Ignavum pecus (ignávum pékus) lat. bagëti përtace; fig., tall. dikush që nuk mendohet shumë, që nuk e vret shumë mendjen për ta zgjidhur diçka; që nuk arsyeton dhe nuk e rreh nga të gjitha anët diçka; gjysma e mijës pesëqind!

Ignorantia juris / legis neminem excusat (ignoráncia júris / légis néminem ekskúzat) lat., drejt. mosnjohja e ligjit nuk justifikon askënd; mosnjohja e ligjit nuk përligj shkeljen / moszbatimin e tij.

Ignorantia non est argumentum (ignoráncia non est arguméntum) lat., logj. sedija / padija / mosdija / injoranca nuk është argument; mungesa e njohurive për një çështje të caktuar nuk mund të përdoret si argument për të mbështetur një pikëpamje etj.

Ignotum per ignotius (ignótum per ignótius) lat. e panjohura nëpërmjet një më të panjohure; të shpjegosh një të panjohur përmes një gjëje më të panjohur; fig. si kritikë për dikë që përpiqet të sqarojë një çështje të ndërlikuar duke krijuar edhe më shumë pështjellim për shkak të përdorimit të shpjegimeve të paqarta ose të paargumentuara).

Ilias post Homerum (ílias post Homérum) lat. Iliadë pas Homerit; iron. çdo përpjekje për të krijuar diçka të ngjashme me një kryevepër të mirënjohur mund të jetë e kotë ose e panevojshme, sepse origjinali është i paarritshëm.

Imbrem in cribo gerere (ímbrem in kríbo gérere) lat. të mbash shiun në një sitë; fig. bën punë të kotë, që nuk sjell asnjë dobi; ia hyn një pune jo me mjetet e duhura, përpiqet e mundohet shumë për të bërë diçka, por pa fryt; të mbash ujë me shoshë; të mihësh në ujë, të bësh një vrimë në ujë; in silvam ligna portare (Plauti).

Imo pectore (ímo péktore) lat. nga thellësia e kraharorit / e zemrës; fig. me gjithë zemër, me trup e me zemër (për të shprehur emocione të forta, si dashuria, dhembja, keqardhja, falënderimi, përkushtimi etj., të cilat janë të sinqerta dhe të vërteta).

Imperium in imperio (impérium in império) lat. perandori brenda një perandorie; mbretëri në mbretëri; një shtet brenda shtetit; fig. një grup njerëzish të organizuar, një institucion etj., që, edhe pse formalisht janë pjesë e një entiteti më të madh, ushtrojnë kontroll e autoritet në mënyrë të pavarur, madje edhe duke e dëmtuar qeverisjen e përgjithshme.

Improba vita mors optabilior (impróba víta mors optabílior) lat., prov. më mirë vdekje me nder se gjallë e pa nder; ma mirë në vorr se për horr.

In abstentia (in absténcia) lat., drejt. në mungesë të...; meqë mungon, pa qenë vetë fizikisht (për dikë që është gjykuar pa qenë i pranishëm në gjykatë); fig. pa qenë realisht; me hamendësime; duke shtënë në fall.

In abstracto (in abstrákto) lat., logj. në mënyrë abstrakte; pa lidhje me realitetin; në përgjithësi (termi nënkupton se një ide ose një teori po shqyrtohet në nivelin më të lartë të përgjithësimit, duke lënë mënjanë anë të veçanta ose praktike); kund. in concreto.

In absurdum (in absúrdum) lat., filoz., logj. deri në absurditet, deri në pikën / në kufirin e së pamundurës; jashtë logjikës; fig. për diçka që nuk ta pranon mendja, që është jashtë mendjes, që s’ka të ngjarë (sikurse një metodë arsyetimi ku një hipotezë ose një argument vihet në provë duke e çuar deri në përfundime absurde ose të paarsyeshme).

In actu (in áktu) lat. në akt; në veprim, në të vërtetë (përdoret për të përshkruar diçka që ndodh aktualisht, siç është një veprim në process, duke u realizuar); kund. in potentia.

In aere aedificare (in áere edífikare) lat. të ndërtosh në ajër; fig. të përpiqesh të bësh gjëra të pamundura; bën kështjella në rërë; ngre kodra mbi det (për ide ose plane që nuk të realizohen në praktikë) (Shën Agustini).

In aeternum (in etérnum) lat. 1. fet. Në përjetësi, përjetësisht, përgjithmonë; përherë (për të shprehur konceptin e përjetësisë së Zotit, të shpirtit njerëzor etj.); in perpetuum. 2. fig. Për jetë të jetëve (për të shprehur një ndjenjë të thellë të dashurisë e të lidhjeve që quhen të përjetshme).

In ambiguo (in ambíguo) lat. 1. Në ambiguitet; në pasiguri; me mëdyshje (për një situatë, një veprim etj., që është i pasigurt e i paqartë për të ndërhyrë). 2. drejt. Përdoret për një ligj a një vendim, i cili ka më shumë se një kuptim dhe mund të çojë në intepretime të ndryshme.

In angustis amici apparent (in angústis amíci appárent) lat., prov. në vështirësi shfaqen miqtë; miqtë njihen në ditë të vështira; miku njihet që është mik në të keq e në rrezik.

In aqua scribere (in ákua skríbere) lat. shih Imbrem in cribo gerere.

In articulo mortis (in artíkulo mórtis) lat. në çastin e fundit të vdekjes; në prag të vdekjes; dukë dhënë shpirt; fig. në pikën e fundit; në gjendjen më kritike (për një situatë të rrezikshme ose të rëndësishme, që mund të ketë pasoja të mëdha); in extremis (Katuli).

In bonam partem (in bónam pártem) lat. në anën e mirë; në drejtim të mirë; fig. në kuptim të mirë; në mënyrë të favorshme (them diçka a e përdor atë pozitivisht); kund. in malam partem.

In brevi (in brévi) lat. shkurt; shkurtimisht; në mënyrë të shkurtër; përmbledhtas; me një fjalë (për diskutime, informacione etj.); en un mot.

In camera (in kámera) lat. shih En vase clos.

In capita (in kápita) lat. kokë për kokë; sipas numrit të njerëzve (ndarja e diçkaje për çdo njeri dhe jo si grup); kund. in genere.

In casu (in cásu) lat. në rastin...; në këtë rast; në një situatë të caktuar a të veçantë dhe jo në përgjithësi; edhe drejt. për një rast të veçantë që po shqyrtohet në procesin gjyqësor.

In cauda venenum (in káuda vénenum) lat. helmi është në bishtin / e gjarpërit; fig. diçka e keqe, e rrezikshme ose e hidhur vjen në fund; dardha e ka bishtin prapa (Fedri).

In cognito (in kógnito) lat. në mënyrë të panjohur, në fshehtësi, fshehurazi, pa e ditur kush (në shqip përdoret edhe si një fjalë e vetme inkonjito).

In communi (in komúni) lat. bashkërisht; të gjithë së bashku, në mënyrë të përbashkët (për diçka që është e zakonshme për një grup të caktuar ose që lidhet me interesat e përbashkëta të një grupi njerëzish).

In compacto (in kompákto) lat. në mënyrë të ngjeshur / të përmbledhur, shkurtazi; me pak fjalë, por me kuptim të plotë (për një mesazh të shkruar etj.).

In concreto (in konkréto) lat. 1. Konkretisht, në rastin e dhënë. 2. Në realitet; në jetë (diçka që është e veçantë, e qartë, e lidhur ngushtë me realitetin e në kontrast me diçka abstrakte a teorike); kund. in abstracto.

In corpore (in kórpore) lat. 1. drejt. Me trup; fizikisht (kur një person është vetë i pranishëm në një seancë gjyqësore); in pleno. 2. zyrt. Tërësisht; si një trup i vetëm, pa munguar askush (për një juri, një këshill, një komision etj.).

In crescendo (in kreshéndo) lat. 1. muz. Në rritje, në ngjitje (zakonisht për një pjesë muzikore). 2. fig. Duke u rritur e duke u forcuar më tej (për një situatë a për një ngjarje që rritet e zhvillohet me kalimin e kohës, duke u bërë më e fuqishme dhe më e rëndësishme).

In duabus naturis lat. (in duábus natúris) në dy natyra; në dy gjendje a në dy forma (kryesisht në teologji, në lidhje me Krishtin, për të shprehur natyrën e tij hyjnore dhe natyrën njerëzore).

In dubio (in dúbio) lat. në dyshim; në rast dyshimi.

In dubio pro reo (in dúbio pro réo) lat., drejt. në rast dyshimi në favor të të akuzuarit; i pafajshëm derisa nuk është provuar fajësia (parim themelor në drejtësinë penale, që thotë se nëse nuk ka prova të mjaftueshme për fajësi, dikush duhet të shpallet i pafajshëm).

In eadem es navi (in édem es návi) lat. je në të njëjtën barkë me ne; fig. ke të njëjtin rrezik a përgjegjësi si ne; ndajmë të njëjtin fat (rasti kur dy njerëz ndodhen në një situatë të ngjashme dhe duhet të bashkojnë forcat për të përballuar këtë gjendje të vështirë, si barka në mes të dallgëve të detit) (Ciceroni).

In effectu (in eféktu) lat. sipas pasojës, duke u nisur nga rezultati.

In esse (in ésse) lat. 1. Në qenien, në ekzistencën; në thelb; si ajo që ekziston 2. Në gjendje; në realitet; aktualisht; e verifikueshme në momentin aktual; kund. in potentia.

In extenso (in eksténso) lat. 1. Në tërësi; krejt, plotësisht e hollësisht. 2. Në mënyrë të plotë; fjalë për fjalë, pa shkurtime (për citate, për tekste etj.).

In extremis (in ekstrémis) lat. 1. Në ekstrem; në momentin vendimtar (për një vendim të rëndësishëm që merret në çastet e fundit). 2. fig. Në fund, në çastin e fundit, në pikë të fundit; duke dhënë frymën / gramën e fundit (kur dikush ndodhet në një gjendje të rëndë, duke nënkuptuar fundin e dikujt, siç është vdekja ose një krizë e rëndë).

In favorem (in favórem) lat. 1. Në favor të..; për mbështetjen e...; në të mirën a në dobi të dikujt (veprim a vendim, që favorizon një nga palët në një çështje ligjore). 2. Për nder / në nderim të dikujt.

In fidem (in fídem) lat. në mirëbesim; në përputhje me besimin (përdoret për të theksuar rëndësinë e besimit e të mirëbesimit në marrëdhëniet ndërmjet palëve, si në kontrata apo marrëveshje të tjera).

In fieri (in fiéri) lat. 1. Në gjendje zhvillimi, në proces e sipër; duke u bërë a duke ndodhur; kund. in facto; in esse. 2. fig. Pezull; në pritje.

In fine (in fíne) lat. 1. Në fund të faqes, të librit etj. 2. fig. Në përfundim (çka nënkupton përfundimin a përmbylljen e një çështjeje, duke i dhënë lexuesit a dëgjuesit një kuptim më të qartë të asaj që është arritur e duke nxjerrë përfundimet e duhura).

In flagranti delicto (in flagránti delíkto) lat. 1. drejt. shih En flagrant délit. 2. fig. Hapur, në sy; ballë për ballë, në shesh të burrave.

In foro (in fóro) lat., drejt. në gjyq, para trupit gjykues; fig. si në proces gjyqësor, si i lidhur me procedura ligjore dhe ndodh në një mjedis ligjor, si në një gjykatë.

In foro conscienciae (in fóro konsciéncie) lat. nën gjykimin e ndërgjegjes, në gjykimin e vetvetes (shprehja nënkupton që një çështje ose veprim mund të jetë i pranueshëm ose i drejtë në bazë të ligjit, por ndoshta nuk është i drejtë a i pranueshëm për ndërgjegjen vetjake).

In genere (in génere) lat. në tërësi, në grup, në kolektiv, jo kokë për kokë; kund. in capita.

In globo (in glóbo) lat. 1. Në përgjithësi, në total; si një të tërë. 2. Në pamje të përgjithshme (shpesh përdoret për të përmbledhur një çështje ose për të dhënë një vlerësim të përgjithshëm rreth një situate); in toto.

In grande stile (in gránde stíle) ital. 1. lart. Në stil të madh / të lartë; me madhështi, në mënyrë madhështore (për festa etj.). 2. keq. Me shkëlqim e me zhurmë të madhe për t’u dukur e për të bërë përshtypje te të tjerët; me bujë e me pohe; me kujë e me bujë (për një fitore etj.).

In gremio legis (in grémio légis) lat., drejt. në mbrojtje të ligjit (shprehje / moto e përfaqësuesve të ligjit: gjyqtarë, prokurorë etj.)

In hoc signo vinces (in hok sígno vínces) lat. me këtë shenjë do të fitosh; sipas shenjave, ti do të fitosh; fig. përdoret për të treguar se një rrethanë e rastësishme na ndihmon të kapërcejmë një vështirësi ose na jep dorë për të bërë diçka të madhe (sipas legjendës, perandori Konstantini i Madh, gjatë një beteje të rëndësishme, pa një shenjë të kryqit në qiell, së bashku me këto fjalë greqisht: "Ἐν τούτῳ νίκα", duke e marrë atë si një shenjë hyjnore, që do ta ndihmonte për të fituar betejën; pas fitores, ai e përdori kryqin si simbol të perandorisë së tij dhe e bëri kristianizmin fe shtetërore të Perandorisë Romake).

In honorem (in honórem) lat. për nder të...; në nderim të…( në tituj, në përkushtime libri, në ceremoni, duke treguar se veprimi ose ngjarja është e lidhur me nderimin e dikujt, që ka merita të veçanta a është një figurë e njohur).

In ignem incidi, fumum fugiens (in ígnem íncidi, fúmum fúgiens) lat., prov. duke dashur t’i shmangem tymit, rashë në zjarr; fig. shpëtova nga një e keqe, por më gjeti një e keqe tjetër më e madhe; ika nga shiu e rashë në breshër / rashë nga shiu në breshër; shpëtova nga lumi e rashë në det; prej ujkut rashë në gjarpër.

In inceptum finis est (in incéptum fínis est) lat. fillimi shënon fundin; fig. si të nisë, do të mbarojë; ashtu si e fillon keq, ashtu edhe e përfundon (jetën, një punë etj.); si nis e gris (veprimet që bëhen qysh në fillim mund të ndikojnë drejtpërdrejt në përfundimin e mundshëm).

In infinitum (in infinítum) lat., filoz. në infinit; në pafundësi; deri në pafundësi (përdoret për të përshkruar një koncept, një veprim etj., që nuk ka kufij, nuk ka përfundim ose limit).

In labore fructus (in labóre frúktus) lat., prov. në punë janë frutet; fig. puna e mirë ta shpërblen, e bën thesin të madh.

In labore solacium doloris est (in labóre solácium dolóris est) lat., prov. në punë gjen ngushëllim për dhembjen; në punë njeriu gjen ngushëllimin nga hidhërimi.

In limine (in límine) lat., drejt. në prag; në fillim, fillimisht; në hapat e parë të një pune (zakonisht përdoret në drejtësi në lidhje me kërkesa ose procedura që duhet të shqyrtohen para se të vazhdohet me një rast të caktuar).

In loco (in lóko) lat. 1. drejt. Në vend, në flagrancë. 2. Në vendin e duhur, atje ku duhet të jetë (për diçka që ndodh në një vend të caktuar ose për të theksuar se një ngjarje, një veprim ose një situatë ndodh në vendin e saj origjinal ose aty ku pritej). 3. fig. Menjëherë, në vend, pa humbur kohë.

In malam partem (in málam pártem) lat. 1. Në anën e keqe; në kuptimin e keq të diçkaje. 2. drejt. Në dëm të dikujt (shprehja përdoret për të përshkruar parimin e interpretimit të ligjit në mënyrë që të shmanget ndonjë dënim i padrejtë për dikë e për të siguruar drejtësi në një çështje); kund. in bonam partem.

In medias res (in médias res) lat. 1. Në mesin e gjërave; drejt te çështja, në thelbin e çështjes; duke folur për kryesoren (mjeshtëri në tregim ku historia fillon në një moment kyç të ngjarjes, duke anashkaluar fillimin tradicional ose zhvillimin e ngjarjeve të mëparshme). 2. fig. Pa fshehur asgjë, duke i thënë gjërat sheshit; haptas e troç, hapur, në sy, drejtpërdrejt; me karta / me letra të hapura (Horaci).

In medio (in médio) lat. në mes, në qendër; larg ekstremeve (për qëndrime, vendime, zgjidhje etj).

In medio stat virtus (in médio stat vírtus) lat. virtyti është në qendër / në ekuilibër; në mes qëndron virtyti (virtyti dhe morali i lartë ndodhen në një pikë të mesme, larg skajshmërisë në sjellje, në emocione, më veprime etj.) (Aristoteli).

In memoriam (in memóriam) lat. në kujtim të...; për kujtim të një njeriu që ka vdekur (një mënyrë për të shprehur dhembjen dhe mirënjohjen për veprën e dikujt, si dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e tij) (Tenison).

In natura (in natúra) lat. 1. Në natyrë; në formën e saj natyrore (për diçka që ekziston ose ndodhet në gjendjen e saj origjinale, natyrale, pa ndryshime a përpunime). 2. fig. Në realitet; ështu siç është në të vërtetë, pa zbukurime; duke e quajtur me emrin e vet.

In naturalibus (in naturálibus) lat. në gjendjen natyrale; lakuriq, i zhveshur krejt, cullak; si e ka lindur / e ka bërë nëna.

In nomine (in nómine) lat., zyrt. në emër të…

In nuce (in núke) lat., fig. në thelb, në embrion; në esencë (kur një ide a një argument është shprehur në formën më të thjeshtë, më të qartë e më të shkurtër, pa hollësi të panevojshme); in nucleo.

In nucleo (in nukléo) lat., fig. në thelb, në esencë (për të përshkruar thelbin e diçkaje, duke nënkuptuar se po flitet për përbërësit më të rëndësishëm të diçkaje); in nuce.

In obscuro (in obskúro) lat. 1. Në errësirë; fig. në mister, në terr (nënkupton misterin a errësirën që rrethon diçka dhe nevojën për ta sqaruar ose për të zbuluar të vërtetën që fshihet pas saj). 2. Fshehurazi, pa e ditur të tjerët.

In oculis animus habitat (in óculis ánimus hábitat) lat., prov. mendimi / shpirti gjendet / ndodhet gjithnjë në sy; fig. sytë janë pasqyrë e shpirtit; mendimet dhe gjendja shpirtërore e dikujt pasqyrohen në sy.

In omnem eventum (in ómnem evéntum) lat. në çdo rast; për çdo të papritur; sido që të shkojë puna.

In optima forma (in óptima fórma) lat. 1. fig. Në formën më të mirë; në mënyrën më të shkëlqyer. 2. zyrt. Sipas të gjitha rregullave (përdoret kur bëhet fjalë për paraqitjen e diçkaje sipas standardeve të kërkuara).

In pace (in páce) lat. 1. fig. Në paqe, në qetësi; pa shqetësime. 2. Gjendje paqeje, qetësie ose lirie pas një konflikti.

In pectore (in péktore) lat. në kraharor; fig. në zemër, në mendje; në fshehtësi (për diçka që është mbajtur sekret ose nuk është shpallur ende).

In peiorem partem (in pejórem pártem) lat. shih In malam partem.

In perpetuum (in perpétuum) lat. shih In aeternum.

In persona (in persóna) lat. 1. zyrt. Në person; vetë, personalisht, i pranishëm fizikisht; drejtpërdrejt (veprime ose lidhje që bëhen drejtpërdrejt nga titullari, në vend të përfaqësimit të tij nga dikush tjetër. 2. Në rolin e dikujt; në vend të dikujt; në emër të dikujt.

In petto (in péto) ital. në bark, në mitër; fig. në botën e brendshme të njeriut, në botën e ndjenjave të tij; fshehur, në vetvete; në thellësi të shpirtit.

In pleno (in pléno) lat. në tërësi, tërësisht, në mënyrë të plotë; si një trup i vetëm (diçka që është e plotë, e plotësuar ose e realizuar në mënyrë tërësore, në përputhje me të gjitha kërkesat ose standardet e nevojshme); in corpore.

In posse (in póse) lat. si mundësi; potencialisht (thuhet për diçka që ka mundësi të bëhet në të ardhmen); in potentia; kund. in esse, in actu.

In potentia (in poténcia) lat. shih In posse.

In praesenti (in prezénti) lat. 1. Në të tashmen, në kohën e tashme, në momentin aktual (për një vendim që merret tani dhe ka efekte të menjëhershme). 2. fig. Në prani, para syve, duke qenë vetë aty; ballë për ballë; sy ndër sy.

In praxi (in práksi) lat. në praktikë; në përdorim praktik; mënyra se si zbatohet diçka në jetën e përditshme.

In prima instantia (in príma instáncia) lat., drejt. në shkallë të parë (përdoret për të përshkruar një çështje, një rast ose një proces që shqyrtohet a zhvillohet për herë të parë në një gjykatë ose nga një autoritet tjetër, pa kaluar në një shkallë më të lartë të apelimit).

In primis (in prímis) lat. së pari; në radhë të parë; mbi të gjitha; e para prej gjërave të tjera (për të theksuar rëndësinë e diçkaje ose për të shprehur se një pikë, një temë a një çështje është renditur e para në një listë ose në gjërat parësore për t’u kryer).

In principio erat verbum (in princípio érat vérbum) lat. në fillim / e para ishte fjala, në krye të herës ishte fjala (përdoret kur duam të paraqesim diçka, kryesisht atë që themi në një çast, si më të rëndësishmen; është ajo që i paraprin gjithçkaje tjetër e lidhur ngushtë me të) (Bibla).

In propria persona (in própria persóna) lat. 1. drejt. Në personin e tij; në emrin e tij; vetë personi, personalisht (kur një individ paraqitet në gjykatë ose në një proces tjetër ligjor pa ndihmën e një avokati). 2. fig. Me fytyrën a rolin e tij të vërtetë.

In puncto (in púnkto) lat. në pikën, në çështjen e caktuar, në këtë pikëpamje; duke marrë parasysh këtë gjë (për të theksuar rëndësinë e një pike të caktuar brenda një argumenti, një vendimi ose një procesi).

In re (in re) lat. 1. zyrt. Në lidhje me…; lidhur me çështjen e...; sipas çështjes; në përgjigje të çështjes (nënkupton se diçka ka lidhje të drejtpërdrejtë me një temë, me një çështje ose me një ngjarje të caktuar). 2. Në realitet, në fakt; në të vërtetë.

In re ipsa (in ré ípsa) lat., filoz. në vetë gjendjen; në vetë realitetin, në po këtë realitet (për një situatë ku provat ose rrethanat janë të qarta dhe nuk kërkohen argumente të tjera për ta kuptuar a për ta pranuar atë).

In rerum natura (in rérum natúra) lat. në natyrë; në mbretërinë e natyrës; në natyrën e sendeve; në realitetin e gjërave (përdoret kur një fakt vërtetohet në vetë natyrën e sendeve, kur ndodh sipas zhvillimit të zakonshëm të ngjarjeve, pa ndryshuar rendin e sendeve natyrore).

In saecula saeculorum (in sékula sekulórum) lat. në shekuj të shekujve; fig. në përjetësi, përjetësisht; përgjithmonë; në amshim; ad vitam aeternam (Bibla).

In saeculo (in sékulo) lat. në botën shekullare; në jetën tokësore; në botën e zakonshme; jashtë jetës fetare.

In salvo (in sálvo) lat. në siguri; pa rrezik; në vend të sigurt.

In sano sensu (in sáno sénsu) lat. në një kuptim të arsyeshëm; me arsye të shëndoshë (për një interpretim, një qëndrim, një mendim a diçka tjetër që është racional dhe i bazuar në logjikë, duke shmangur çdo interpretim të skajshëm e të paarsyeshëm).

In se (in se) lat. te vetja; në vetvete; brenda vetes (për diçka që është e natyrshme dhe e pavarur nga faktorë të jashtëm).

In silvam ligna portare (in sílvam lígna portáre) lat. të shpiesh dru në mal / në pyll; të bësh një punë të pakuptimtë; të mbash ujë me shoshë; të derdhësh / të shpiesh ujë në det; imbrem in cribo gerere (Jeronimi).

In sinu viperam habere (in sínu víperam habére) lat. të mbash gjarpërin në gji; fig. të rrezikosh shumë, duke ndihmuar dikë që mund të të bëjë keq, sikurse ndodh te fabula e Ezopit “Njeriu dhe gjarpri”.

In situ (in sítu) lat. në vend; fig. në vendin e duhur; në gjendjen e vet të natyrshme; në pozicion original.

In spe (in spe) lat. me shpresë; duke shpresuar për diçka që mund të ndodhë në të ardhmen; fig. duke i varur shpresat te dikush a te diçka.

In specie (in spécie) lat. 1. Në llojin e vet; në formën e tij të veçantë (për diçka që është e veçantë dhe konkrete, përkundrejt diçkaje më të përgjithshme dhe abstrakte). 2. Në veçanti; posaçërisht.

In statu (in státu) lat., zyrt. në status; në gjendjen e zakonshme, ashtu siç ka qenë, pa asnjë ndryshim (për ligje, për pozitat e njerëzve në një sistem shoqëror, për ecurinë e zgjidhjes së një problemi etj.).

In statu nascendi (in státu nascendi) lat., edhe fig. në gjendje lindjeje, duke u krijuar; në çastin e formimit (për një ide, një projekt ose një situatë që është ende në fazat e para dhe nuk ka arritur të realizohet plotësisht); status nascendi.

In statu quo (in státu kuó) lat. në gjendjen ku / janë gjërat; në gjendjen e tanishme të pandryshuar (për një situatë që ka mbetur e pandryshuar, duke vënë në dukje se diçka po qëndron siç është, pa ndryshime të rëndësishme); status quo.

In statu quo ante (in státu kuó ánte) lat. në gjendjen e mëparshme; në të njëjtin pozicion ose kusht / si më parë; pa ndonjë ndryshim (përdoret për të përshkruar një situatë që po kthehet në gjendjen e saj origjinale / të mëparshme, para se të ndodhnin ndryshime të caktuara); statu quo ante.

In summa (in súma) lat. në përfundim; si përfundim; në përmbledhje, për ta përmbledhur; më në fund; me një fjalë; në thelb; për ta thënë shkurt (kur përmbledhin një diskutim, një argument ose një analizë, duke e sjellë atë stilistikisht në një përfundim të qartë e të drejtpërdrejtë).

In temporalibus (in temporálibus) lat. 1. Përkohësisht; tani për tani; për një periudhë të caktuar. 2. fet. Në gjësendet materiale të përkohshme; në çështjet tokësore; kund. in spiritualibus,

In tempore opportuno (in témpore oportúno) lat. në një kohë të përshtatshme; fig. në çastin e duhur; duke e rrahur hekurin sa është i nxehtë.

In terminis (in términis) lat. në kuptimin e termit; sipas vetë termit; në kushte të caktuara (për të arritur një marrëveshje ose për të kuptuar një situatë, është e nevojshme të përcaktohen qartë termat e përdorur).

In terrorem (in terrórem) lat. 1. Në tmerr, në terror. 2. drejt. Për të frikësuar / për të trembur; për të shkaktuar frikë; me qëllim frikësimi; për paralajmërin.

In toto (in tóto) lat. 1. Në tërësi, gjithësej (për marrëveshje, vendime etj., që shqyrtohen si një tërësi, pa ndarje në pjesë të veçanta, për të arritur te kuptimi i plotë i tyre). 2. Në gjithçka; nga fillimi në fund; pa përjashtim; komplet; in globo.

In transitu (in transítu) lat. 1. Transit; në proces kalimi; kalimthi. 2. fig. Në zhvillim e sipër; duke kaluar nga një gjendje në një tjetër.

In ultima linea (in última linéa) lat. në vijën e fundit; në përfundim; në fund të fundit, fundja (kështu fillohet momenti për të bërë përmbledhjen e pikave kryesore të diskutimit dhe për përfundimet që nxirren pas një analize të gjatë të një situate, të një propozimi etj.).

In usu (in úzu) lat. në përdorim; në zbatim; në praktikë (një shpikje, një normë, një metodë etj. që është e njohur dhe po zbatohet në realitet).

In usum Delphini (in úzum Delfíni) lat. shih Ad usum Delphini.

In vacuo (in vakúo) lat. 1. Në zbrazëti, në boshllëk, në hapësirë të zbrazur. 2. Në kohën e lirë; në pushim.

In via (in vía) lat. 1. / me rrugë. 2. Me anë të...; nëpërmjet; me rrugë. 3. fig. Në proces zhvillimi.

In vino veritas (in víno verítas) lat., prov. në verë është e vërteta; ata që pinë verë, zbulojnë ndjenjat e vërteta; çka barku i nxjerr bardhaku (Alkeu).

In visu (in vísu) lat. në pamje; në dukje (për të treguar diçka që është e dukshme ose e pranishme për syrin, duke theksuar rëndësinë e perceptimit pamor); kund. in absentia.

In vitam eternam (in vítam éternam) lat., fet. në jetën e amëshuar / e përjetshme; në jetën pas vdekjes (përdoret në lutje, në tekste liturgjike ose në ceremoni përkujtimore për të nderuar të vdekurit dhe për të shprehur shpresën për një jetë të amëshuar pas vdekjes).

In vitro (in vítro) lat., biol., mjek. 1. Në qelq; në provëz / në epruvetë; në laborator; kund. in vivo (për eksperimentet që bëhen jashtë trupit të një organizmi, zakonisht në një mjedis laboratorik, si në një enë kultivimi për të studiuar proceset biologjike, për të testuar substanca të ndryshme dhe për të zhvilluar gjallesa të reja). 2. fig. Në një organizëm të vdekur.

In vivo (in vívo) lat., biol., mjek. në jetën e gjallë; në organizmin e gjallë; në kushte reale; natyrshëm; kund. in vitro (studime ose eksperimente që kryhen brenda trupit të një organizmi të gjallë për të vlerësuar ndikimim e substancave, të trajtimeve ose të proceseve biologjike në një kontekst të natyrshëm).

Incidis in Scyllam, cupiens vitare Charybdin (incídis in Scíllam, cúpiens vitáre Charíbdin) lat., mit. bie në Skilla, duke dashur të shmangësh Karidbën (sipas mitologjisë greke, Skilla ishte përbindësh me shumë kokë që hante marinarët, ndërsa Karibda ishte një gjeratore e frikshme për lundërtarët, dhe që të dyja ruanin ngushticën e Mesinës); fig. duke u përpjekur për të shmangur një rrezik, bie në një tjetër po aq të madh ose më të keq; shpëtoi nga një e keqe, por e gjeti një e keqe tjetër më e madhe; iku nga shiu e ra në breshër / ra nga shiu në breshër; shpëtoi nga lumi e ra në det; prej ujkut ra në gjarpër; in ignem incidi, fumum fugiens.

Incredibile dictu (inkredíbile díktu) lat. e pabesueshme të thuhet; e çuditshme për t'u thënë; vështirë të besohet me fjalë; s’ka të ngjarë (për të shprehur habi ose për të nënvizuar diçka që është aq e jashtëzakonshme, saqë duket e pamundur a e pabesueshme).

Incredibile visu (inkredíbile vísu) lat. e pabesueshme për t'u parë; nuk u besohet syve (për të shprehur bukurinë, madhështinë ose pamjen e jashtëzakonshme të një skene, të një ngjarjeje ose të një objekti që të lë pa fjalë).

Inter alia (ínter ália) lat. 1. Ndër të tjera; ndërmjet gjërave të tjera. 2. Ndërkaq; përveç të tjerave (për të treguar se ka shumë shembuj për të konkretizuar këtë çështje, por po përmendim vetëm një ose disa).

Inter arma silent leges (ínter árma sílent léges) lat., prov. në mes të armëve / në kohë lufte ligjet pushojnë së vepruari / heshtin; lufta nuk njeh ligje; në kohë lufte ose konflikti autoriteti i ligjeve është shpesh i dobët ose nuk përfillet (Ciceroni).

Inter arma silent musae (ínter árma sílent múze) lat., prov., fig. në mes të armëve / në kohë lufte artet / muzika heshtin; lufta dhe artet, si përfaqësuese të shkatërrimit dhe të krijimit, janë të kundërta në natyrën e tyre; lufta shkatërron atë që artet kërkojnë të ndërtojnë dhe të përjetësojnë.

Inter caecos luscus rex (ínter cékos lúskus reks) lat., prov., iron. në mes qorrave / të verbërve, ai me një sy është mbret (për një situatë ku nuk ka shumë konkurrencë ose kur të tjerët janë njëlloj të paaftë, dikush mund të duket më i zoti e më i përshtatashëm për të drejtuar, pavarësisht se nuk është më i afti).

Inter homines esse (ínter hómines ése) lat. të jesh ndër njerëz; të jesh në mes të njerëzve; të jetosh në shoqërinë njerëzore; qenia në marrëdhënie shoqërore; të qenët pjesë e një komuniteti ose bashkësie dhe të jetuarit në harmoni me të tjerët.

Inter malleum et incudem (ínter máleum et inkúdem) lat. ndërmjet çekanit dhe kudhrës; fig. në një gjendje shumë të vështirë e pa rrrugëdalje, i shtrënguar a i kërcënuar nga të dyja anë; midis dy zjarresh; inter Scyllam et Charybdim.

Inter nos (ínter nos) lat. 1. Në mes nesh; midis nesh. 2. fig. Pa e marrë vesh të tjerët; në fshehtësi; vetëm për barkun e Shën Mërisë (për të shprehur një ndjenjë afrie a mirëbesimi, duke treguar se një informacion etj. thuhet brenda një grupi të ngushtë njerëzish dhe nuk duhet biseduar me të tjerë).

Inter pares (ínter páres) lat. në mes të barabartëve; brenda njerëzish që janë në të njëjtën pozitë shoqërore a ekonomike (shprehja përdoret në politikë, në biznes, në marrëdhëniet shoqërore etj. për të theksuar parimin e barazisë dhe respektit të ndërsjelltë mes njerëzve).

Inter Scyllam et Charybdim (ínter Skíllam et Karíbdim) lat., mit. midis Skillës dhe Karibdës (sipas mitologjisë greke, Skilla ishte përbindësh me shumë kokë që hante marinarët, ndërsa Karibda ishte një gjeratore e frikshme për lundërtarët, dhe që të dyja ruanin ngushticën e Mesinës); fig. në gjendje shumë të vështirë dhe të rrezikshme nga të gjitha anët; pozitë pa rrugëdalje të lehtë; në ditë të hallit / të pikës; inter malleum et incudem.

Inter se (ínter se) lat. shih Inter nos.

Inter vivos (ínter vívos) lat., drejt. mes të gjallëve; ndër të gjallët; midis personave të gjallë (për çështje të trashëgimisë etj.).

Intra muros (íntra múros) lat. 1. Brenda mureve / të një qyteti të fortifikuar; në brendësi të hapësirës së mbrojtur. 2. fig. Fshehurazi, jo faqe të tjerëve; në një rreth të ngushtë (shprehja përdoret kryesisht lidhur me politikën e brendshme të një institucioni, të një shteti etj.); kund. extra muros.

Intra partum (íntra pártum) lat., mjek. gjatë kohës së lindjes, gjatë lindjes.

Intra vitam (íntra vítam) lat. gjatë jetës; në jetë.

Intus et in cute (íntus et in kúte) lat. brenda dhe / thellë në lëkurë; fig. në sipërfaqe dhe në thellësi; në thelb dhe në dukje (për diçka që është shumë e natyrshme për një njeri; karakteristikë e brendshme).

Ipsa olera olla legit (ípsa ólera óla légit) lat., prov. vetë vorba / tenxherja i mbledh barishtet / perimet; fig. vetë ai po vjel frytet e punës që ka bërë.

Ipse dixit (ípse díksit) lat. ai vetë e tha; fjalët e tij nuk mund të kundërshtohen (për të shprehur autoritetin e fjalëve të dikujt, veçanërisht kur ai thotë diçka që merret si e vërtetë pa dhënë argumente shtesë); verba magistri (Ciceroni).

Ipse fecit (ípse fécit) lat., fig. ai vetë e bëri; e bëri me dorën e vet (për të treguar aftësitë ose përkushtimin e dikujt në kryerjen e një veprimi, duke e bërë atë të duket më i besueshëm).

Ipsis oculis (ípsis ókulis) lat. me sytë e vet; në sytë e tij; duke e parë vetë (përdoret për të shprehur një përvojë vetjake ose një dëshmi të diçkaje të parë me sy, duke theksuar se dikush e ka parë ose e ka përjetuar diçka personalisht).

Ipsissima verba (ipsísima vérba) lat. fjalët e veta; vetë fjalët e tij / e saj; fjalët e duhura a të sakta; fjalë për fjalë; ashtu siç e thotë dikush (shprehja tregon besueshmërinë e një pohimi ose thekson rëndësinë e fjalëve të një autoriteti a të një figure të njohur).

Ipso articulo temporis (ípso artíkulo témporis) lat. shih In tempore opportuno.

Ipso facto (ípso fákto) lat., filoz. nga vetë fakti; nga vetë natyra e gjërave; vetvetiu, pa ndërhyrje e pa shtysa të jashtme; në mënyrë të pavarur; në rrethana të natyrës (për diçka që është e vërtetë ose e vlefshme vetëm për shkak të natyrës së saj, pa pasur nevojë për prova të tjera ose për argumente shtesë).

Ipso jure (ípso júre) lat., drejt. me veprimin e ligjit; me vetë ligjin; nga vetë ligji; sipas ligjit; në sajë të vetë ligjit (për një situatë ku një e drejtë, një detyrim ose një pasojë lind vetvetiu për shkak të ligjit, pa pasur nevojë për veprime të tjera).

Ira furor brevis est (íra fúror brévis est) lat., prov. inati është një çmenduri e shkurtër; zemërimi është një tërbim i shkurtër (shprehja nënkupton se zemërimi shpesh është një reagim i përkohshëm dhe jo i arsyeshëm, i cili mund të çojë në veprime të dëmshme) (Horaci).

Ire docetur eundo (íre docétur eúndo) lat., prov. duke ecur mëson të ecësh; fig. noti mësohet në ujë.

Item (ítem) lat. po ashtu; gjithashtu; veç kësaj...; ashtu është (për të treguar se një çështje e re po trajtohet dhe se kjo ka lidhje me një çështje të mëparshme, duke u dhënë lexuesve idenë e vazhdimësisë së ngjarjeve për të cilat flitet).

Iudae osculum (Júde óskulum) lat., bibl. puthja / e puthura e Judës; fig., keq. puthje e gënjeshtërt; veprim i pabesë; tradhti që ndodh nën maskën e miqësisë a të dashurisë, sikurse veprimi i Judës në Bibël, që u bë mishërim i njeriut hipokrit e dinak.