Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.
Pabulum animi (pábulum ánimi) lat., fig. ushqim shpirtëror; ushqim pë mendjen, për shpirtin (me këtë term nënkuptohen fusha të tilla si arti, letërsia, filozofia, shkenca, feja etj.).
Pace tua (páce túa) lat. me lejen tuaj (për të treguar mirësjellje kur dikush kërkon të flasë ose të ndërhyjë me respekt).
Pacem volo, bellum paro (pácem vólo, bélum páro) lat. dua paqe, ndaj gatitem për luftë (përdoret për të përshkruar një situatë ku dikush ose një shtet shpreh një dëshirë për paqe, por, gjithashtu, merr masa për t’u përgatitur për të përballuar një konflikt të mundshëm; si vis pacem, para bellum.
Palma non sin pulvere (pálma non sin pulvére) lat., prov. fitorja nuk arrihet pa mund; nuk ka lavdi pa përpjekje; s'ka shpërblim pa derdhur djersë.
Palman qui meruit ferat (pálman kúi méruit férat) lat., fig. palmën / lavdinë le ta mbajë ai që e meriton; nderimi dhe shpërblimi do t'i takojnë atij që ka punuar për të dhe e ka merituar me veprat e tij.
Pane e vino (páne e víno) ital. bukë dhe verë; shih Panem et circenses.
Panem et circenses (pánem et circénses) lat. bukë dhe cirk / lodra / argëtim (shprehja vjen nga Roma antike, kur autoritetet jepnin bukë dhe argëtim (si gladiatorët, lojërat etj.) për të mbajtur popullin të kënaqur dhe për të shmangur revoltën e pakënaqësinë ndaj padrejtësive; buka dhe argëtimi quhen si mjete paqeje për popullin e thjeshtë) (Juvenali).
Panta rhei (pánta réi) greq. (πάντα ῥεῖ) filoz. gjithçka është në lëvizje / rrjedh; gjithçka është në një gjendje të vazhdueshme ndryshimi dhe asgjë nuk mbetet e njëjtë (Herakliti).
Par conditio (par kondício) lat. kushte të barabarta, gjendje a pozitë e njëjtë (parim i trajtimit të drejtë dhe të barabartë midis palëve).
Par excellence (par ekselânsë) frëngj. 1. Kryesisht, në veçanti. 2. Në shkallën më të lartë të mundshme; në kulm; në mënyrën më të shkëlqyer, në përsosmëri. 3. Si mb. i veçantë, i jashtëzakonshëm (përdoret për të përshkruar diçka që është e shkëlqyer ose ideale në një fushë të caktuar, duke theksuar se ajo është model i përkryer për atë kategori).
Para bellum (pára bélum) lat. shih Si vis pacem, para bellum.
Parce sepulto! (párce sépulto) lat., fet. fale të vdekurin; mos e ndëshko të vdekurin; nuk shahet i vdekuri; de mortuis aut bene, aut nihil; de mortius nil nisi bene (kjo shprehje nënkupton mëshirë dhe respekt për ata që kanë vdekur, duke i lënë të qetë, pavarësisht veprimeve që kanë bërë në jerën e tyre) (Virgjili).
Parens patriae (párens patriáe) lat. 1. drejt. Shteti si prind; kujdestaria e shtetit ndaj qytetarëve të pambrojtur (termi tregon fuqinë e shtetit për të vepruar si kujdestar i qytetarëve të tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, për ata me aftësi të kufizuara ose për ata që nuk mund të mbrojnë dot veten). 2. iron. Paria e një vendi, që e mbante veten si ajka e shoqërisë; baballarët e kombit.
Pari passu (pári pásu) lat., fin., drejt. me të njëjtin hap; fig. në mënyrë të barabartë, pa dallime e anësi; njëlloj.
Paris vaut bien la messe (Parí vo bjên la mésë) frëngj. Parisi e vlen / e meriton një meshë (thënie e mbretit protestant francez, Henriku IV, të cilit i duhej të kalonte në fenë katolike për të siguruar mbështetjen e besimtarëve të kësaj feje); shprehja përdoret shpesh për të ilustruar idenë se disa kompromise janë të nevojshme për të arritur qëllime më të mëdha dhe se vlera e diçkaje mund të justifikojë sakrificat që duhet të bëhen për ta arritur atë).
Paritas casus (páritas kázus) lat., drejt. barazia e rasteve; barazia e situatave; term I pathjeshtë që nënkupton trajtimin e njëjtë të rasteve të ngjashme, duke siguruar se të drejtat dhe përgjegjësitë e të gjithë njerëzve janë të barabarta para ligjit).
Parole d'honneur (parólë d'onër) frëngj. fjala e nderit; për nder (përdoret kur fjala e dhënë a premtimi është i ndershëm, i sinqertë dhe pa prapamendime).
Pars adversa (pars advérsa) lat., drejt. pala tjetër, pala kundërshtare.
Pars pro toto (pars pro tóto) lat. pjesa në vend të së tërës; pjesa për të tërën (një nga rastet e figurës stilistike të sinekdotës).
Parti pris (partí pri) frëngj. 1. Paragjykim; opinion i formuar (kur mendimet e krijuara në lidhje me diçka ose me dikë janë të ndikuara nga emocionet ose nga parapëlqimet, më shumë sesa nga fakte objektive). 2. Zgjidhje arbitrare e me anësi.
Parturiunt montes, nascetur ridiculus mus (partúriunt móntes, nascétur ridíkulus mus) lat., iron. po pjellin malet, do të lindë një mi qesharak; u mbars mali e polli një mi; ndonëse diçka mund të duket e madhe dhe e rëndësishme, rezultati përfundimtar mund të jetë shumë i vogël dhe i parëndësishëm; shumë bujë për asgjë (shprehje e Horacit sipas fabulës së La Fontenit “Mali që polli një mi”).
Pater familias (páter famílias) lat., hist. kryefamiljari (ky term përdorej në Romën e lashtë për të përshkruar njeriun që kishte autoritetin ligjor dhe autoritar në familje); fig. i zoti i shtëpisë; njeri që i kryen mirë detyrimet familjare.
Pater historia (páter história) lat. babai / ati i historisë; ai që ka krijuar historinë (ky vlerësim është bërë për Herodotin, shekulli V p. e. s., një figurë e shquar e historisë botërore).
Pater patria (páter pátria) lat. 1. Ati i atdheut; babai i kombit (titull që u jepej atyre që bënin shërbime të vyera për atdheun e vet, si shprehje e vlerësimit dhe e nderimit më të lartë që ka populli për ta). 2. Shprehja përdoret edhe me ironi për ata që hiqen sikur janë të parët e vendit dhe u dhembset shumë populli dhe atdheu (!).
Pauca sed bona (páuka sed bóna) lat., fj. u. pak, por mirë; më mirë pak e saktë se shumë e për lumë; më mira pak, por paq.
Paucis verbis (páucis vérbis) lat. me pak fjalë; shkurtimisht.
Pax in bello (paks in bélo) lat., hist. paqe në kohë lufte; armëpushim; situatën kur, edhe gjatë luftës, bëhen përpjekje për të ruajtur një farë paqeje të brendshme dhe respekti për ligjin ndërkombëtar, siç janë Konventat e Gjenevës, të cilat vendosin rregulla për trajtimin e të plagosurve dhe të burgosurve të luftës, për ndihmat humanitare etj.).
Pecuniae non olet (pekúnie non ólet) lat. paratë nuk bie erë (shprehja lidhet me një anekdotë për perandorin romak Vespasian, i cili vuri taksë edhe për nevojtoret publike dhe, kur i biri e pyeti për këtë, ai u përgjigj “Pecuniae non olet”; sot përdoret me ironi për ata që pasurohen me rrugë të pandershme) (Vespasiani).
Pede fausto! (péde fáusto) lat., ur. Me këmbë të mbarë! (shprehje e Ovidit në vargjet: Pede fausto quaeso, lector, adite meas!-Eja, lexues, me këmbë të mbarë, te vargjet e mia!)
Per angusta ad augusta (per angústa ad augústa) lat. shih Ad augusta per angusta.
Per annum (per ánum) lat., ek. në vit; për çdo vit; vjetore.
Per ardua (per ardúa) lat. përmes vështirësive; përmes mundimeve; me përpjekje të mëdha; bot e bir; bot e bot.
Per aspera ad astra (per áspera ad ástra) lat. 1. Përmes vështirësive, drejt yjeve; në rrugën plot vështirësive drejt një qëllimi të shenjtë / të lartë; rruga e mundimshme shpie në lumturi; për të arritur suksese, shpesh duhen sakrifica të mëdha. 2. fig. Moto e disa institucioneve, si e universiteteve, e ushtrive etj. për të simbolizuar se sfidat janë pjesë e rrugës drejt arritjes së më të mirës dhe si burim frymëzimi për ata që ndjekin ëndrrat e tyre (Seneka).
Per capita (per kápita) lat. për kokë; për frymë.
Per centum (per céntum) lat. për qind; %.
Per continuitatem (per kontinuitátem) lat. nëpërmjet lidhjes së drejtpërdrejtë / të pandërprerë; në vazhdimësi, pa ndërprerje nga njëra pjesë në tjetrën, në mënyrë të vazhdueshme.
Per contra (per kóntra) lat. 1. fig. Me anë të votës “kundër”; nëpërmjet kundërshtimit. 2. Përkundrazi; në të kundërt; nga ana tjetër; ndryshe nga kjo.
Per definitionem (per definiciónem) lat. sipas përkufizimit; nga vetë përkufizimi; siç e përcakton vetë përkufizimi.
Per diem (per díem) lat. në ditë, gjatë një dite; pagesa e një dite; dietë shërbimi.
Per entente (per enténte) lat. nëpërmjet një marrëveshjeje; bazuar në mirëkuptim (duke nënkuptuar një veprim ose një situatë që arrihet përmes mirëkuptimit të ndërsjelltë ose me anë të një marrëveshjeje të heshtur).
Per exclusionem (per ekskluzionem) lat., logj. me përjashtim; duke përjashtuar të tjerat; me metodën e përjashtimit.
Per fas ac nefas (per fas néfas) lat. me të lejuarën dhe të palejuarën; më anë të rrugëve të ligjshme e të paligjshme; me të gjitha mënyrat; me çdo mjet; mbarë e mbrapsht.
Per omnia saecula (per ómnia sékula) lat., edhe fet. për të gjithë shekujt!; për jetë të jetëve!; në përjetësi (për të shprehur idenë e përjetësisë së traditave dhe të vlerave, që trashëgohen brez pas brezi dhe nuk harrohen kurrë).
Per procura / per procurationem (per prokúra / per prokuraciónem) lat., drejt. me prokurë; nëpërmjet përfaqësimit; në emër të një tjetri; me autorizim ligjor në emër të dikujt tjetër.
Per quod (per kuód) lat., drejt. në sajë të së cilës; nga e cila; për këtë arsye.
Per se (per se) lat. 1. filoz. Në vetvete; nëpërmjet vetvetes, vetvetiu (për të treguar se diçka është e tillë nga natyra e vet, jo për shkak të diçkaje tjetër). 2. Pastër; në trajtë të pastër; në mënyrë të qartë, të drejtpërdrejtë. 3. Në thelb.
Per se notum (per se nótum) lat., filoz. e njohur vetvetiu; është e vetëkuptueshme (termi përdoret për të përshkruar diçka që është e njohur natyrshëm ose pa pasur nevojë për ndihmën e provave të jashtme).
Peractum est (péraktum est) lat. 1. Është përfunduar; është mbaruar; ka arritur fundin (përdoret në biseda të përditshme, si dhe në drejtësi, në histori, në letërsi etj. për të shprehur se një veprim, një detyrë, një proces etj. ka mbaruarr dhe se përfundimi është bërë i njohur). 2. fig., euf. Mbaroi, vdiq; u nda nga jeta.
Pereat mundus et fiat justicia (péreat múndus et fíat justícia) lat. le të bëhet drejtësi, edhe në u përmbystë bota; shih Fiat justitia, pereat mundus!
Perpetuum mobile (perpétuum móbile) lat. 1. Lëvizje e përjetshme / e pandërprerë, e vazhdueshme; diçka që nuk pushon kurrë (koncept që i referohet një mekanizmi ose sistemi hipotetik, i cili mund të vazhdojë të lëvizë ose të funksionojë pafundësisht, pa pasur nevojë për furnizim të jashtëm me energji). 2. fig. Ide, kërkesa a dëshira, që duken të pabaza ose të pamundura për t'u realizuar). 3. muz. Pjesë instrumentale me nota me gjatësi të barabartë, që ekzekutohen.
Persona grata (persóna gráta) lat. 1. Njeri i pëlqyer, i mirëpritur, i dëshiruar; dipl. diplomat që ka marrë miratimin formal nga shteti pritës për të përfaqësuar vendin e tij; kund. persona non grata. 2. Dikush që është i nderuar, i dëshiruar e i mirëpritur në një komunitet, në një grup njerëzish a në një rreth shoqëror.
Persona grattisima (persóna gratísima) lat. njeri shumë i mirëpritur; njeri i parapëlqyer dhe i nderuar (përdoret në biseda për të shprehur vlerësim dhe respekt për dikë).
Persona non grata (persóna non gráta) lat. 1. Njeri i padëshiruar, i papëlqyer, i papranueshëm; dipl. një diplomat ose dikush tjetër, i cili është shpallur i papranueshëm për një qeveri të caktuar, çka nënkupton se ai ose ajo do të dëbohet ose nuk do të lejohet të qëndrojë në vendin në fjalë; kund. persona grata. 2. edhe shaka. Dikush që është i papranueshëm dhe i padëshiruar në një grup shoqëror, për shkak të sjelljes së tij ose të qëndrimeve që shkelin normat e pranuara.
Persona sui generis (persóna súi géneris) lat. dikush a diçka që është unik në llojin e vet; njeri a institucion i veçantë; dikush a diçka me karakteristika të veçanta e të papërsëritshme; dikush a diçka që është veç botës.
Pezzo grosso (péco gróso) ital. pjesë e madhe; fig., iron. peshë e rëndë, një i fuqishëm; person i rëndësishëm; dikush që ka pozitë të lartë; personalitet; njeri me ndikim të madh.
Pia desideria (pía dezidéria) lat. dëshira të mira; ëndrra të mira, por zakonisht të parealizueshme.
Pia fraus (pía fráus) lat., euf. gënjeshtër e patëkeq; gënjeshtër / mashtrim me qëllim të mirë; gënjeshtër e bardhë.
Piano-piano va lontano (piáno piáno va lontáno) ital., prov. dalëngadalë shkon larg; pa u nxituar shkon më shumë (veprimet e bëra me kujdes e me durim mund të të çojnë në një sukses të madh).
Pleno jure (pléno júre) lat., drejt. me të drejta të plota; në mënyrë plotësisht legjitime (kur një njeri ose një institucion ka autoritet të plotë për të vepruar ose për të marrë vendime brenda një kuadri të caktuar ligjor).
Plura verba quam consilia (plúra vérba kuám konsília) lat., prov. më shumë fjalë se këshilla; shumë fjalë e pak këshilla të vlefshme.
Pluralis maiestatis (plurális majestátis) lat. 1. Shumësi i madhështisë; shumësi i autoritetit. (kur dikush thotë "ne" për "unë", për të shprehur se ai përfaqëson jo vetëm veten, por edhe fuqinë, përgjegjësinë dhe pozitën që ka në një institucionin, si p. sh. ne vendosëm, ne mendojmë, ne ju falënderojmë etj. 2. iron. Kur një autor flet për veprën e tij dhe thotë "ne".
Plus ultra (plus últra) lat. edhe më tutje; më tej; përtej; kund. non plus ultra.
Plus vident oculi, quam oculus (plus vídent ókuli, kuám ókulus) lat., prov. më shumë / më mirë shohin sytë, se sa syri; sytë shohin më shumë se një sy; kur janë më shumë sy, d. m. th., më shumë njerëz, vlerësimi i dikujt a i diçkaje është më i saktë.
Poeta nascitur, non fit (poéta náscitur non fit) lat. poeti lind, nuk bëhet (talenti dhe aftësia për të qenë poet janë dhunti të natyrshme që ka dikush, më shumë se sa rezultat i punës dhe i studimit); oratur fit, poeta nascitur.
Point d’honneur (puê d’onër) frëngj. çështje nderi; situatë ku nderi, dinjiteti ose emri i mirë i dikujt është nëpërkëmbur dhe ai ndjehet i detyruar të reagojë dhe t’i mbrojë këto vlera.
Pons asinorum (pons asinórum) lat. ura e gomerëve; fig. problem i vështirë ku ngecin fillestarët; prova e të paaftëve; caku / kufiri mes atyre që kuptojnë dhe atyre që nuk arrijnë të kuptojnë një gjë, sado e lehtë të jetë (sipas një teoreme të njohur të Euklidit, “në një trekëndësh barabrinjës, këndet e bazës janë të barabarta”, që u quajt “pons asinorum”, ku forma e figurës duket si një urë dhe nxënësit që nuk e kuptonin logjikën gjeometrike nuk kalonin dot më tej, pra “binin nga ura” dhe krahasoheshin në mënyrë të figurshme me gomarë).
Post factum (post fáktum) lat. pas faktit; pas ngjarjes / ndodhisë; pasi ndodhi diçka e u bë fakt i kryer (përdoret për situata, veprime ose analiza që ndodhin a bëhen pas një ngjarjeje të caktuar, duke reflektuar ose duke bërë gjykime mbi atë që ka ndodhur).
Post festum (post féstum) lat. 1. Pas festës (përdoret për të përshkruar situata, analiza a veprime që ndodhin a bëhen pas një ngjarjeje të rëndësishme, zakonisht një festë a një rast i veçantë). 2. fig. Kur gjithçka ka marrë fund; me shumë vonesë, tepër vonë; pas vaktit; si kofini pas të vjelave, kur e ka marrë ferra uratën (veprime, vendime, masa etj. të vonuara, të cilat nuk kanë më ndikim të rëndësishëm).
Post hominum memorian (post hóminum memórian) lat. me sa mbahet mend; që prej kohëve të lashta; një herë e një kohë; që në kohën e Noes, që në kohën e baba Qemos (për të përshkruar kohëra e ngjarje që shkojnë përtej historisë së dokumentuar ose përtej asaj që mbajnë mend njerëzit brez pas brezi).
Post meridiem (post merídiem) lat. mbas dreke; mbasdite.
Post mortem (post mórtem) lat. 1. Pas vdekjes; pasi ka vdekur dikush (autopsia post mortum; raporti post mortum etj.); kund. ante mortem. 2. fig. Kur bëhen analiza pas një ngjarjeje për të kuptuar më mirë arsyet ose pasojat e saj (zbardhja e së kaluarës për të nxjerrë mësime ose për të mbyllur një kapitull etj.).
Post mortum nulla voluptas (post mórtum núlla vóluptas) lat. pas vdekjes nuk ka asnjë kënaqësi (shprehja nënkupton besimin se pas vdekjes nuk ka më ndjenja a kënaqësi të tjera, duke theksuar natyrën përfundimtare të vdekjes).
Post obitum (post óbitum) lat. shih Post mortem.
Post partum (post pártum) lat., mjek. pas lindjes; kund. ante partem.
Post scriptum (shkurt. P. S.) (post skríptum) lat. pas shkrimit; pas asaj që u shkrua; shtesë në letër si poshtëshënim; passhkrim; passhënim (termi i pathjeshtë që përdoret për të tërhequr vëmendjen ndaj një pike të re, e cila shtohet për të sqaruar diçka që ndoshta nuk është përmendur më parë).
Post tenebros spero lucem (post tenébros spéro lúcem) lat. pas errësirës shpresoj dritën (një moto e njohur, që përdoret për të përshkruar shpresën dhe besimin se, pas periudhave të vështira ose të errëta, vjen një periudhë e dritës dhe e shpresës) (Johan Fridrik).
Potius sero, quam nunquam (pócius séro, kuám núnkuam) lat., fj. u. më mirë vonë se kurrë.
Praebeant columbina oscula (prébeant kolumbína óskula) lat. le të japin të puthura pëllumbash; le të shkëmbejnë puthje të ëmbla si pëllumbat (sipas vargjeve të Petronit: Praebeant columbina oscula, non insanae rixae, non morsus labiorum, sed blanditiae et oscula...Të ofrohen puthje pëllumbash, jo grindje të çmendura, jo kafshime buzësh, por përkëdhelje dhe puthje...)
Praeter legem (préter légem) lat., drejt. përtej ligjit; në vakuum ligjor; në mungesë të parashikimit ligjor.
Praeter propter (préter própter) lat. pak a shumë; pothuajse; afërsisht.
Prima facie (príma fácie) lat. 1. drejt. Në pamje të parë; në dukje (rasti ku provat janë të mjaftueshme për të bërë një akuzë ose të krijojnë një besim të përkohshëm për një situatë, por kërkohet një hetim më i thelluar). 2. fig. Në vështrim / në shikim të parë; përciptazi; në mënyrë të sipërfaqshme (kur diçka duket e vërtetë ose e besueshme në pamje të parë, por që mund të jetë e ndryshme kur shqyrtohet më nga afër).
Prima luce (príma lúce) lat. në dritën e parë të mëngjesit; me të dalë drita; herët në mëngjes; në agim.
Primum mobile (prímum móbile) lat. 1. filoz. Elementi i parë lëvizës; shkaku i parë lëvizës; një forcë, një shkak, një parim etj., që lëviz ose shkakton gjithçka tjetër të lëvizë. 2. astr. Në astronominë mesjetare me këtë term kuptohej shtresa e fundit e universit, e cila përfshinte të gjithë yjet dhe që lëvizte më shpejt se të gjitha trupat e tjerë qiellorë. 3. fig. Një forcë ose një faktor kryesor që udhëheq, që lëviz ose që nxit një ngjarje, një veprimtari, një shpikje, një projekt etj.
Primus inter pares (prímus ínter páres) lat. 1. I parë ndër të barabartë (titull i perandorëve të Romës); i pari mes të njëllojtëve. 2. Për të karakterizuar dikë që ka një pozitë të veçantë ose një rol udhëheqës në një shtet, në një komunitet, në një parti politike etj., por është zgjedhur si udhëheqës për shkak të cilësive, të përvojës e të aftësive të tij dhe gëzon respektin e mbështetjen e të gjithëve (Ciceroni).
Prisca latina / latinitas (príska latína / latinítas) lat., gjuh. latinishtja e lashtë / e hershme; latinishtja arkaike; latinishtja e periudhës së hershme (para shekullit II para Krishtit); gjuha në të cilën shkruan Livi, Plauti e të tjerë, të cilët përdornin një latinishte të pasur e të pastër (termi i pathjeshtë që përdoret për ta dalluar atë nga latinishtja e mesjetës dhe ajo e periudhave të tjera).
Pro aris et focis (pro áris et fócis) lat. për altarët dhe vatrat / zjarret; për fenë dhe shtëpinë; fig. për mëmëdheun / për atdheun dhe familjen; për gjërat më të rëndësishme e më të dashura (për të shprehur përkushtimin ndaj atdheut, familjes dhe fesë).
Pro bono publico (pro bóno públiko) lat. 1. Për të mirën publike / e përgjithshme. 2. Pa pagesë; falas; vullnetarisht.
Pro captu lectoris habent sua fata libelli (pro káptu lektóris hábent súa fáta libéli) lat. nga fakti se si i kupton lexuesi, librat kanë fatin e tyre; librat kanë fatin e tyre sipas aftësisë së lexuesit; fati i librave varet nga aftësia e lexuesit për t’i kuptuar (Terenci).
Pro et contra (pro et cóntra) lat., zyr. pro / për dhe kundër (për mënyrën e votimit kur merren vendime etj. nga organe të zgjedhura kolegjiale).
Pro forma (pro fórma) lat. 1. zyr. Për formë; formalisht; sa për të qenë, thjesht për procedura. 2. fig. Për dukje; për t’u dukur; sa për sy e faqe; pa bindje të vërtetë.
Pro hac vice (pro hak více) lat., drejt. për këtë rast; për këtë herë; si përjashtim për këtë çështje.
Pro memoria (pro memória) lat. 1. Për kujtesë; për të kujtuar (në shqip përdoret edhe si një fjalë e vetme, promemorie-përkujtesë, për të shënuar një dokument të shkurtër ose një memorandum, lidhur me një çështje e me një vendim të rëndësishëm). 2. Në kujtim të dikujt a diçkaje (lidhet me ngjarje ose persona të rëndësishëm, që kujtohen me kalimin e kohës). 3. Për të mbajtur mend (lloj shënimi ose objekti, i cili shërben si kujtesë për një njeri a për një ngjarje).
Pro pane lucrando (pro páne lukrándo) lat. për të fituar bukë; për të siguruar jetesën; puna që bën dikush për të siguruar nevojat jetësore; për bukën e gojës; buka e përditshme;.
Pro parte virile (pro párte vírile) lat., drejt. sipas pjesës mashkullore; sipas pjesës që i takon dikujt; për pjesën e vet; për sa një njeri mund dhe duhet të bëjë, p. sh. detyrimet e trashëgimtarëve ndahen pro parte virili, domethënë secili trashëgimtar mban përgjegjësi në raport me pjesën që i është ndarë.
Pro patria (pro patria) lat. për atdheun; për mëmëdheun; në shërbim të atdheut; në mbrojtje të vendit.
Pro rata (pro ráta) lat., zyr. në përpjesëtim; përpjesëtimisht; sipas.
Pro rata parte (pro ráta párte) lat., zyr. në pjesë proporcionale; në përpjetësim me; përpjesëtimisht me; sipas përqindjes.
Pro re nata (pro re náta) lat., mjek., drejt. në raste se lind nevoja; sipas gjendjes / situatës; në përputhje me situatën e krijuar; kur të jetë e nevojshme;
Pro tanto (pro tánto) lat., fin. drejt. për aq sa; në atë masë; sa për pjesën që i takon.
Pro tem (pro tem) lat. shih Pro tempore.
Pro tempore (pro témpore) lat. 1. Përkohësisht; në mënyrë të përkohshme; provizorisht (përdoret për të treguar diçka që është e përkohshme, e kufizuar në kohë ose që lidhet me një moment të caktuar). 2. Sipas rrethanave; si ta bjerë puna; me të parë e me të bërë; duke i hedhur këmbët sipas valles. 3. Në kohën e duhur; atëherë kur të jetë e nevojshme; duke e rrahur hekurin sa është i nxehtë; ad tempus.
Pro tertio (pro tércio) lat., drejt. për një të tretë; për palën e tretë; në dobi të një të treti, që nuk është pjesë e drejtpërdrejtë në marrëdhënien kryesore (p. sh. një dispozitë ose një klauzolë pro tertio, që është në favor të një shteti të tretë, i cili nuk është nënshkrues i marrëveshjes, i traktatit etj.).
Probatum est (probátum est) lat. është provuar; është vërtetuar; është shumë e vërtetë, nuk mund të diskutohet për këtë gjë, është e sigurt a e vendosur; s’ka fjalë e kuvend.
Probitas laudater et alget (probitás laudátur et álget) lat., prov. virtyti lavdërohet, por ai bëhet akull / ngrin / harrohet; fig. ndershmëria dhe virtyte të tjera shpesh nuk janë të vlerësuara ose nuk shpërblehen siç meritojnë (Juvenali).
Procul ex oculis, procul ex mente (prókul eks ókulis, prókul eks ménte) lat., prov. larg syve, larg mendjes; larg syve larg zemrës; qui procul ex oculis, procul est a limine cordis.
Profanum vulgus (profánum vúlgus) lat., edhe iron. popull profan; njerëzit e zakonshëm (Horaci).
Propria manu (própria mánu) lat. shih Manu propria.
Prudens futuri (prúdens fúturi) lat., edhe iron. parashikues i së ardhmes; njeri që parashikon të ardhmen; ai që mendon për të ardhmen; largpamës.
Pulverem ad oculos asperger (púlverem ad ókulos aspérger) lat. i hedh pluhur në sy; i hedh hi syve; e gënjen, e mashtron duke ia paraqitur punët ndryshe nga ç’janë ose duke ia fshehur të vërtetën; ia shet sapunin për djathë.
Punctum puncti (púnktum púnkti) lat. 1. Pika e pikës; një gjë shumë të vogël, e cila është një pjesë e një tërësie më të madhe dhe që ka rëndësi vetëm në kontekstin e asaj tërësie, si një ide, një koncept etj. 2. fig. Pika e pikave; pika themelore; çështja kryesore; një element i rëndësishëm a vendimtar në një debat, në një çështje, në një situatë etj.
Punctum saliens (púnktum sáliens) lat. 1. Pikë që duket, që dallohet, që shquhet, që del në pah (për një ngjarje, për një fakt të rëndësishëm etj., që është shumë i dukshëm e që bie në sy në). 2. fig. Pikënisje, burim; një moment a një element kyç, nga i cili fillon ose zhvillohet diçka e re. 3. fig. Pika më kryesore; rrethana më e rëndësishme; thelbi i diçkaje.
Punica fides (púnika fídes) lat., iron. besë / besnikëri punike / kartagjenase; bukëshkelje; pabesi, tradhti; besnikëri që nuk mund të besohet (siç quheshin kartagjenasit nga romakët).
Puris naturalibus (púris naturálibus) lat. 1. Në gjendjen e pastër natyrore; në natyrën e saj të pastër; sa më natyrshëm, ashtu siç është; origjinale, natyrale (për mjedisin, për ushqimet, për natyrën etj., që janë në formën e tyre origjinale, pa u përpunuar dhe pa u ndryshuar nga dora e njeriut, pa u prekur nga faktorët e jashtëm). 2. shaka. Një gjendje ku dikush ndodhet plotësisht i zhveshur, siç e ka bërë nëna; fig. në natyrën e tij të vërtetë, ashti siç është, pa vënë maskë, i drejtpërdrejtë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë