Fjalori

SHPREHJE TË HUAZUARA TË PAASIMILUARA

Kërkimi më sipër vepron vetëm në këtë shtojcë. Kliko këtu për t'u kthyer në fjalorin kryesor.
A B C D E F G H I J L M N O P Q R S T U V W

Shprehje që fillojnë me “M”

Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.

Made in... (méid in...) angl. 1. I bërë në....; i prodhuar në... (zakonisht për mallrat, e shoqëruar me emrin e vendit ku janë prodhuar, p. sh., made in Albania). 2. fig. Për një veçori kombëtare të një populli në kulturë, në tradita etj., që nuk e kanë popuj të tjerë, si shprehje e krenarisë kombëtare dhe e identitetit kulturor.

Magister dixit (magíster díksit) lat. mësuesi ka thënë / kështu e tha; shih Verba magistri.

Magistra vitae (magístra víte) lat. mësuesja e jetës; përvoja dhe mësimet që nxjerrim nga jeta janë burime të rëndësishme të njohurive dhe zhvillimit professional (pjesë e një citati të njohur të Ciceronit “Historia est magistra vitae” historia është mësuese e jetës”).

Magna cum laude (mágna kum láude) lat. me lavdërime të madha (vlerësim akademik dhe nderim për studentët që kanë arritur rezultate të larta gjatë viteve të studimit); cum laude; summa cum laude.

Magno malo est hominibus avaritia (mágno málo est homínibus avarícia) lat., prov. lakmia është një e keqe e madhe për njerëzit; lakmia e tepërt ha kokën e të zotit; pa para / qelepir njeriu ha edhe një thes me kripë; buçja që pjell shumë do t’i bëjë këlyshët qorra (Sallusti).

Magnos dolores lenivit tempus (mágnos dolóres lenívit témpus) lat., prov. koha i ka zbutur edhe hidhërimet / dhembjet e mëdha; koha shëron gjithçka; koha është ilaçi më i mirë (Seneka).

Magnum opus (mágna ópus) lat., let., art., etj. vepra e madhe; vepra më e rëndësishme e jetës së dikujt, zakonisht në art, në letërsi, në shkencë apo në ndonjë fushë tjetër krijuese; krijim i jashtëzakonshëm që shënon kulmin e karrierës së një autori ose artisti; kryevepër.

Maiores pennas nido (májores pénnas nído) lat. më të mëdhenj krahët se foleja; fig., keq. më i madh poganiku se djali (për ata që punojnë e duan të arrijnë më shumë se sa lejojnë kushtet a nga sa kanë mundësi).

Maiorque videtur // et melior vicina seges (majórkue vidétur // et meliór vícina séges) lat., prov. më e madhe e më e mirë duket ara e fqinjit; të mbjellat e fqinjit duken më të mëdha e më të mira; pula e botës duket më e majme (Ovidi).

Mala fide (mála fíde) lat. me të pabesë; pabesisht; kund. bona fide.

Mala fides (mála fídes) lat. besë e keqe; besim i keq; mosbesim; mungesë sinqeriteti (shprehja lidhet me mungesën e besimit dhe veprimet që rrjedhin nga kjo, duke theksuar rëndësinë e ndershmërisë e të besnikërisë në marrëdhëniet ndërnjerëzore, si ato që kanë të bëjnë me kontratat, me marrëveshjet etj.).

Mala gallina-malum ovum (mála galína- málum ólvum) lat., prov. pulë e keqe-vezë e keqe!; si pula është dhe veza; nga një shkop i shtrembër, s’bie hije e drejtë; prej trungut të shtrembër, nuk del degë e drejtë; ç’të mbjellësh, do të korrësh.

Mala herba cito crescit (mála hérba cíto kréscit) lat., fig., iron. bari i keq rritet shpejt; fig., iron. e keqja përhapet shpejt (shprehja përdoret për të ironizuar dukuritë a gjërat e këqija e të padëshiruara, që shpesh shfaqen dhe përhapin më shpejt se ato pozitive).

Mala herba non interit (mála hérba non intérit) lat., fig., iron. bimët e këqija nuk zhduken; barërat e këqija nuk thahen; gjënë e keqe s’e ha mortja / s’e gjen gjë; paraja e ligë nuk humbet kurrë.

Male olet, qui bene olet (mále ólet, kuí béne ólet) lat. fig., keq. kush bie erë të mirë, bie erë ligsht; mësallë me dy faqe (shprehje pasqyron sjelljen apo pamjen hipokrite të dikujt që është me dy fytyra, që me gojë të lan e me dhëmbë të çan) (Publius Sirus).

Male parta male dilabuntur (mále párta mále dilabúntur) lat., prov. pasuria e fituar në mënyrë të padrejtë, humbet si kripa në ujë; gjërat / sendet e fituara pa të drejtë i ha furra; harrami s’bëhet hallall.

Mali principii-malus finis / Malum principium, malus finis (máli / málum princípii / princípium-málus fínis) lat., prov. fillimi i keq, mbarim i keq; ashtu si e fillon keq, ashtu edhe e përfundon (jetën, një punë etj.); si nis e gris.

Malis omnibus finis de tempore venit (mális omnibus finís de témpore vénit) lat., prov. fundi i të gjitha të këqijave vjen me kohë; të këqijat nuk zgjasin përgjithmonë; edhe e keqja ka një fund.

Malo mori quam foedari (málo móri kuám foedári) lat., prov. më mirë të vdes sesa të turpërohem; parapëlqej të vdes, sa të jem i poshtëruar; më mirë varri se turpi.

Malo quod teneo, quam quod spero (málo kuód téneo, kuám kuód spéro) lat., prov. dua më shumë atë që kam se atë që shpresoj; më mirë një vezë sot se një pulë mot.

Malum necessarium (málum necessárium) lat. e keqe e pashmangshme; e keqe e domodoshme; një e keqe e nevojshme; fig. një gjë e keqe që duhet pranuar, sepse është e pashmangshme ose e nevojshme për një qëllim më të madh.

Malum vas non frangitur (málum vas non frángitur) lat., prov. poçi i keq nuk thuhet; ena e keqe nuk thyhet; fig. gjënë e keqe s’e gjen gjë; gungaçit vetëm varri ia ndreq kurrizin.

Mane et noctu (shkurt. M. et n.) (máne et nóktu) lat. në mëngjes dhe natën; fig. gjithë kohën, pa pushim, vazhdimisht, përherë; natë e ditë.

Mania grandiosa (manía grandióza) lat., psikol. mania e madhështisë; mani / iluzion madhështie; delir i madhështisë; fig. thuhet për dikë që i duket vetja më i zgjuar a më i aftë se një tjetër që vërtet është i tillë; që mburret shumë para dikujt që është më i zoti se ai, më i mirë etj.; që e ka hundën në majë të çatisë, që e mban hundën në qiell.

Manibus pedibusque (mánibus pedibúskue) lat. me duar e më këmbë; fig. me të gjitha fuqitë, me shumë forcë, me çdo lloj mënyre; me mish e me shpirt.

Maniere forte (maniér fort) frëngj., drejt. me forcë; me përdorim force; me ndërhyrje të detyruar.

Manifestum non eget probatione (maniféstum non éget probacióne) lat., drejt., logj. ajo që është e dukshme / e qartë nuk ka nevojë për provë; gjësendet që janë të qarta, të dukshme, të vetëkuptueshme etj. nuk kanë nevojë të provohen me argumente a fakte; fshati që duket s’do kallauz.

Manu armata (mánu armáta) lat. 1. mjek. Me dorë të armatosur; me thikë / me bisturi, me ndërhyrje kirurgjikale, me operacion. 2. fig. Duke përdorur dhunën për të ndërhyrë diku a te dikush në formë të paligjshme; me ndërhyrje të dhunshme; me vendosmëri e me rreptësi, ashpër, egër, pa lëshime e pa mëshirë; me dorë të hekurt.

Manu militari (mánu militári) lat. me dorë luftarake / ushtarake / të armatosur; me forcën e ushtrisë / e armëve; fig. me dhunë; me detyrim (shprehja nënkupton zbatimin e një vendimi ose përmbushjen e një qëllimi me forcë, veçanërisht kur ndërhyhet për të vendosur rendin apo për të zbatuar ligjin me ashpërsi dhe vendosmëri).

Manu propria (shkurt. d. v.) (mánu própria) lat. l. zyrt. Shënim që vihet në kopjet e një shkrese pranë emrit të titullarit, kur ky ka nënshkruar vetë origjinalin, pa ndërmjetës apo ndihmë nga të tjerët, duke e bërë atë të vlefshëm ligjërisht dhe të njëmendët; propria manu. 2. fig. Autori i vërtetë i diçkaje; po ai njeri, po i njëjti, jo tjetërkush, ai vetë. 3. fig. Shumë i zoti a i aftë për diçka, i vetmi për të bërë një gjë, që s’i gjendet shoku.

Manu scriptum (mánu scríptum) lat., libr. e shkruar me dorë; dorëshkrim (një tekst a një dokument i shkruar me dorën e vetë autorit dhe jo nëpërmjet mjeteve të tjera, për të treguar origjinalitetin e një dokumenti dhe traditën e shkrimit).

Manus manum lavat (mánus mánum lávat) lat. 1. Dora lan dorën; njëra dorë lan tjetrën (dhe të dyja lajnë fytyrën); fig. diçka që sjell një ndihmë të dobishme e të ndërsjelltë, të dyanshme. 2. keq. Shprehja nënkupton dhe raste kur ndihma mund të jetë e dyshimtë dhe lidhet me veprime të papranueshme (Petronius).

Margaritas / margaritae ante porcos (margarítas / margaríte ánte pórkos) lat. margaritarë / perla përpara derrave; (shprehja e plotë në Bibël është: nolite dare sanctum canibus, neque mittatis margaritas vestras ante porco - mos u jepni gjënë e shenjtë qenve dhe mos hidhni margaritarët tuaj para derrave); fig. mos i jep diçka të vyer dikujt që nuk e kupton vlerën e saj; nuk duhet folur përpara një të padituri për gjëra që ai s’i kupton; mollën e kuqe e ha krimbi; ku di dhia ç’është tagjia.

Mari aquam addere (mári ákuam áddere) lat., prov., fig. i hedh ujë detit; bën punë kot, që nuk sjell asnjë dobi; mbush / mban ujë me shoshë / me shportë; ligna in silvam ferre.

Maria et montes polliceri (mári et móntes políceri) lat., fig. premtoj detet dhe malet; fig. premtoj gjëra të mëdha e të parealizueshme; premtoj qiejt.

Mass media (mas média) lat., libr. mjetet masive të informacionit (radioja, televizioni, rrjetet sociale, shtypi, kinemaja etj.), që kanë shikueshmëri a dëgjueshmëri të gjerë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në informimin, në argëtimin dhe në formimin e opinionit publik.

Mater natura (máter natúra) lat., lart. nëna natyrë; natyra nënë; fig. natyra si një fuqi femërore krijuese, që lind, mban dhe rregullon jetën.

Mater semper certa est (máter sémper cérta est) lat. nëna është gjithmonë e sigurt / e njohur; identiteti i nënës është gjithmonë i njohur dhe i padiskutueshëm, pasi ajo që lind fëmijën është e qartë dhe e dukshme për të gjithë.

Materia prima (metéria príma) lat. 1. filoz. Lënda e parë; term i pathjeshtë që shënon materien e parë dhe themelore të çdo gjëje fizike, por që nuk as formë dhe as madhësi. 2. fig. Baza e një procesi krijues në art; fillesa a prejardhja e një ideje, e një projekti etj.

Matura dum libido manet (matúra dum libído mánet) lat., fig. vepro ndërsa dëshira ende qëndron; vepro në kohë derisa vazhdon të jetë pasioni i duhur; hekuri rrihet sa është i nxehtë.

Me judice (me júdice) lat. sipas gjykimit / mendimit tim; po të më pyesësh mua.

Me nolente (me nolénte) lat. pa dëshirën time; kundër vullnetit tim; edhe pse nuk doja; me gjithë kundërshtimin tim.

Mea culpa! (méa kúlpa) lat., fet. Faji im!; Unë jam fajtor! (vjen nga ritualet katolike, veçanërisht nga lutja “Rrëfimi”: Mea culpa, mea culpa, mea maxima culpa! - Faji im, faji im, faji im më i madh!, shprehje e fortë e pranimit të fajit dhe një shenjë e pendesës për veprimet e gabuara, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë e të përmirësimit edhe në ngjarjet e jetës së përditshme).

Mea maxima culpa! (méa máksima kúlpa) lat., fet. Faji im shumë i madh / më i rëndë! shih Mea culpa!

Mealting pot (málting pot) angl., fig. kazani shkrirës; vend ku përzihen gjësendet; mjet që përdoret për bërë një trup të vetëm dy a më shumë gjëra të ndryshme (një shoqëri ku individë të grupeve të ndryshme etnike, racore a kulturore bashkohen dhe integrohen në një tërësi të përbashkët, shpesh duke humbur karakteristikat e veçanta të grupeve të tyre origjinale, sikurse materiale të llojeve të ndryshme shkrijnë brenda një kazani) (Izrael Zangil).

Medice, cura te ipsum (médike, kúra te ípsum) lat., fig., iron. mjek, kuro / shëro veten; kujdesu për veten tënde; mos u bëj moral të tjerëve, kur vetë nuk je në rregull; përdoret për dikë që kërkon të korrigjojë të metat te të tjerët dhe për vete i ka me shumicë; për dikë që bën si gaforrja: e kritikon të birin pse ecën mbrapsht (Bibla).

Mehr Licht (mehr liht) gjerm. Më shumë dritë! (fjalë të njohura të Gëtes para se të ndahej nga jeta); fig. thirrje për më shumë ndriçim shpirtëror, njohuri, të vërteta etj.).

Membra disjecta (mémbra disjékta) lat., fig. pjesë / gjymtyrë të shpërndara; pjesë të copëtuara; shpërbërja e një kombi në vende të ndryshme; diaspora (Lukreci).

Mens agitat molem (mens agítat mólem) lat. shpirti / mendja lëviz malet / shkëmbinjtë; mendja bën kalanë, mendja bën hatanë (shprehje thekson fuqinë e mendjes dhe të ideve për të ndikuar mbi në botën përreth nesh) (Virgjili).

Mens momentanea (mens momentáne) lat. mendje e përkohshme / e paqëndrueshme; fig. mendim i çastit; vendim i nxituar / i pamenduar mirë.

Mens sana in corpore sano (mens sána in kórpore sáno) lat., prov. mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë; për të pasur të shëndetshëm aftësitë e shpirtit / të mendjes, duhet t’i kesh të shëndetshme edhe cilësitë fizike të trupit; parim për zhvillimin harmonik të njeriut (Juvenali).

Mens vertitur cum fortuna (mens vértitur cum fortúna) lat., prov. mendja ndryshon sipas rrethanave.

Mentem hominis spectate, non frontem (méntem hóminis spectáte, non fróntem) lat., prov. njeriut i shikoni mendjen dhe jo fytyrën; fig. mos gjyko nga pamja / nga dukja, por nga mendja; jo çdo gjë që shkëlqen është ar.

Mero jure (méro júre) lat., drejt. me drejtësi të vërtetë / të pastër; me të drejtën e vet të plotë; fig. me meritë; në sajë të punës dhe të talentit të vet; pa mbështetjen e askujt.

Miles legum (míles légum) lat., drejt. ushtar / roje i ligjeve; fig. njeri që lufton për drejtësinë dhe zbatimin e ligjit; ai që mbrojtjen e së drejtës e sheh si një detyrë të shenjtë; luftëtar i ligjit.

Militia est vita hominis (milícia est víta hóminis) lat. luftë është jeta e njeriut; shih Vivere militare est.

Minima de malis (mínima de mális) lat. më e vogla nga të këqijat; e keqja më e vogël ndër të këqijat; de duobus malis minus est eligendum; ex malis eligere minima (Fedri, Ciceroni etj.).

Mirabile dictu (mirábile díctu) lat., fig. diçka e habitshme ta thuash; gjë e mrekullueshme ta shprehësh; e pabesueshme për ta thënë; dikush a diçka që të lë me gojë hapur; diçka që është aq e jashtëzakonshme ose e çuditshme, saqë është e vështirë të besohet ose të shprehet me fjalë; kund. horribile dictu (Tit Livi).

Mirabile visu (mirábile vízu) lat., fig. gjë e mrekullueshme / e habitshme për t’u parë / kur e sheh; diçka shumë e bukur, që ndikon thellë shpirtërisht tek ata që e shohin (Plini Plak).

Miracula mundi (mirákula múndi) lat. mrekullitë / çuditë e botës; gjërat më të mahnitshme e më të rralla në botë; vepra të jashtëzakonshme të natyrës a të njeriut; fig. diçka shumë e veçantë dhe e papaërsëritshme.

Miscentur tristia laetis (miscéntur trístia létis) lat. trishtimet përzihen me gëzimet; fig. jeta ka të përpjeta dhe tatëpjeta; jeta nuk është fushë me lule.

Modicus cibi, medicus sibi (módikus cíbi, médikus síbi) lat., prov. i maturi në të ngrënë-mjek i vetvetes; ai që ha me masë është mjek i vetvetes; vetëpërmbajtja dhe masa në të ngrënë janë çelësi për shëndetin.

Modus agendi (módus agénti) lat. mënyrë veprimi / e të vepruarit; stili i të vepruarit; modus operandi, modus faciendi.

Modus dicendi (módus dicéndi) lat. mënyrë e të folurit; stili i të shprehurit (toni vetjak i zërit, zgjedhja e fjalëve, stili retorik etj.).

Modus discendi (módus discéndi) lat., ars. mënyra e të mësuarit; metoda e të nxënit (shprehje që thekson rëndësinë e metodave dhe qasjeve të ndryshme në procesin e të nxënit për përvetësimin e dijeve në mënyrë kritike dhe krijuese).

Modus docendi (módus docéndi) lat., ars. mënyra e të dhënit mësim; mjeshtëria e mësimdhënies (mënyra e shpjegimit, format e ndërveprimit me nxënësit / me studentët, teknikat e mësimdhënies etj.).

Modus faciendi (módus faciéndi) lat. mënyra për të bërë diçka; format e teknika e realizimit të diçkaje; modus agendi; modus operandi.

Modus in rebus (módus in rébus) lat. shih Est modus in rebus.

Modus operandi (módus operándi) lat. 1. Mënyrë veprimi për të punuar; stili i veprimit; modus agendi. 2. drejt. Metodë karakteristike për zbulimin e një krimi.

Modus percipiendi (módus percipiéndi) lat., psikol. mënyrë e të perceptuarit; mënyra e të kuptuarit dhe të përvetësuarit të diçkaje.

Modus ponendo tollens (módus pronéndo tólens) lat., logj. mënyrë që, duke pohuar, mohon; pohimi i një fakti përjashton / mohon tjetrin; nëse një fakt është i vërtetë, tjetri nuk mund të jetë i tillë; kund. modus tollendo ponens.

Modus ponens (módus pónens) lat., logj. mënyra e pohimit.

Modus probandi (módus probándi) lat., logj. mënyrë e të provuarit; mënyrë argumentimi / vërtetimi; procedura për të provuar diçka.

Modus procedendi (módus procédendi) lat. mjet veprimi, metoda e veprimit; mënyra dhe rregullat që ndiqen për të arritur një qëllim të caktuar.

Modus tollendo ponens (módus toléndo pónens) lat., logj. mënyrë që, duke mohuar, pohon; mënyrë e pohimit përmes mohimit; pohimi i një fakti duke mohuar tjetrin; kund. modus ponendo tollens.

Modus tollens (módus tólens) lat., logj. mënyra e mohimit; mënyrë negative; modus destruktiv.

Modus vivendi (módus vivéndi) lat. 1. Mënyrë jetese / e të jetuarit; stili i jetës; mënyrë e të jetuarit ose qasje ndaj jetesës që dikush ose disa i përcaktojnë si të përshtatshme, siç janë normat, zakonet, besimet, traditat, marrëdhëniet etj. 2. polit., diplom. Tërësia e kushteve që përcaktojnë lidhjet e përkohshme të dy palëve; kushte a rrethana të qenies; situatë e vështirë; zgjidhje kompromisi (me këtë kuptim shprehja përdoret në gjuhën diplomatike në rastet kur vendoset një gjendje kalimtare midis dy shteteve deri në zgjidhjen e problemeve midis tyre).

Mon heure a sonné (mon ër a soné) frëngj. 1. Ora ime ka rënë; koha ime ka ardhur (për të përshkruar momentin kur dikush beson se ka ardhur koha për të vepruar, për të përmbushur një detyrë, për të marrë një vendim të madh ose për të përballuar një sfidë të re). 2. poet. Po më vjen vdekja; i kam ditët / orët të numëruara.

Mons murem peperit (mons múrem péperit) lat., prov.; iron. Mali polli një mi!; shih Parturiunt montes, nascetur ridiculus mus.

Mordre la poussiére (mórdrë la pusiérë) frëngj., fig. 1. Të hash dhe; të kafshosh pluhurin; ta pësosh keq (për dikë që ka humbur ose është mposhtur prej dikujt në mënyrë të turpshme dhe përfundimtare). 2. Të vdesësh (kafshimi i dheut mund të nënkuptojë rënien në tokë pas vdekjes).

More ferarum (móre ferárum) lat. si egërsirat, sipas zakonit të kafshëve; në mënyrë të egër (për një veprim a sjellje brutale e pa ndjenja njerëzore).

More majorum (mors majórum) lat. sipas zakonit të të parëve; në traditën e paraardhësve.

Morior invictus (mórior invíktus) lat., fig. lart. të vdesësh i pamposhtur; të vdesësh pa u dorëzuar; të vdesësh më këmbë / duke luftuar; më mirë vdekje se mposhtje / gjunjëzim.

Morte saison (mor sézon) frëngj. 1. Stinë e vdekur; stinë e shuar; periudhë e vitit jashtë sezonit turistik, kur ka pak turistë dhe jeta ekonomike e artistike është e pakët. 2. fig. Periudhë e qetë, e zymtë e pa gjallëri.

Mot á mot (mot a mo) frëngj. fjalë për fjalë; tekstualisht (për një përkthim që është bërë me saktësi të plotë, duke ruajtur çdo fjalë të origjinalit).

Motu proprio (mótu próprio) lat. me dëshirën a vullnetin e vet; nga motive të brendshme (shprehja përdoret për dikë që ndërmerr një veprim a vendim me nismën e vet, pa u këshilluar me të tjerë).

Much ado about nothing (maç edó ëbáut náthing) angl. shumë zhurmë për asgjë (shprehja kritikon prirjen e njerëzve për të bërë zhurmë ose për të krijuar shqetësim të madh për situata që nuk janë të rëndësishme, duke nxjerrë në pah absurditetin dhe ironinë e këtyre situatave) (Shekspiri).

Multa paucis (múlta páucis) lat. shumë / informacion me pak fjalë; pak e saktë; shumë gjëra shkurtimisht.

Multi sunt vocati, pauci vero electi (múlti sunt vokáti, páuci véro elékti) lat., fet. shumë të thirrur, por pak të zgjedhur (ndonëse shumë njerëz kanë mundësinë ose janë të ftuar për të ndjekur rrugën e drejtësisë dhe të shpëtimit, vetëm një pakicë e përzgjedhur arrin ta ndjekë me të vërtetë këtë rrugë) (Bibla).

Multum in parvo (múltum in párvo) lat. shumë në pak; përmbajtje e rëndësishme në pak fjalë (shprehja thekson rëndësinë e përmbledhjes dhe frytshmërisë në komunikim, duke këshilluar se është e mundur të përcjellësh më shumë informacion a emocione në një formë të thjeshtë e me pak fjalë); multum, non multa; non multa, sed multum.

Multum non multa (múltum non múlta) lat. shumë, por jo shumë / fjalë; kërkohet cilësi, jo sasi; përmbajtje e thellë në pak fjalë; përmbi sasinë, ka rëndësi cilësia; multum in parvo; non multa, sed multum.

Mundus intelligibilis (múndus intelligíbilis) lat. bota inteligjente; bota e arsyeshme, që mund të kapet vetëm nga intelekti; kund. mundus sensibilis (kjo shprehje thekson rëndësinë e arsyes në kërkimin e njohurive dhe kuptimit të realitetit, duke këshilluar se ka një botë të thellë dhe të kuptueshme, që shkon përtej asaj që mund të perceptohet me anë të shqisave) (Kanti);

Mundus sensibilis (múndus sensíbilis) lat., filoz. bota e ndjeshme; bota e perceptueshme; kund. mundus intelligibilis (gjithçka që mund të shohim, ta dëgjojmë, ta prekem dhe ta përjetojmë drejtpërdrejt, duke përfshirë objektet dhe dukuritë natyrore) (Kanti).

Mutatis mutandis (mutátis mutándis) lat., drejt., filoz. duke ndryshuar ato që duhen ndryshuar; duke bërë ndryshimet e nevojshme, pa prekur thelbin; duke ndryshuar gjërat që duhen ndryshuar domosdo (përdoret për të treguar se një argument, një rregull ose një situatë e caktuar mund të zbatohet edhe në një kontekst tjetër, por duke bërë ndryshimet e nevojshme në përshtatje me ndryshimin e kushteve).

Mutato nomine de te fabula narratur (mutáto nómine de te fábula narrátur) lat. me ndryshimin e emrit, historia flet për ty; duke ia ndryshuar emrin, kjo histori flet për ty; fabula tregohet për ty, vetëm emri është ndërruar (shprehja përdoret me ironi ose me shaka kur flitet për ndonjë person që bën sikur nuk kupton, domethënë nuk e sheh a shtiret sikur nuk e di që është objekt bisede a kritike) (Horaci).