Fjalori

SHPREHJE TË HUAZUARA TË PAASIMILUARA

Kërkimi më sipër vepron vetëm në këtë shtojcë. Kliko këtu për t'u kthyer në fjalorin kryesor.
A B C D E F G H I J L M N O P Q R S T U V W

Shprehje që fillojnë me “H”

Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.

Habeas corpus (hábeas kórpus) lat., drejt. të kesh / të mbash trupin (parim ligjor, që siguron të drejtat e njeriut kundër ndalimit të paligjshëm e të padrejtë nga autoritetet).

Habent sua fata libelli (hábent súa fáta libéli) lat., prov. librat kanë fatin e tyre; fati i një libri varet edhe nga mënyra si ai pritet dhe kuptohet nga lexuesit; fig. vlera e dikujt a e diçkaje provohet në jetë (Terenci).

Haec habui, quae dixi (hék hábui, kué díksi) lat. kam thënë ato që pata; këto / kaq kisha për të thënë; këto kisha, këto thashë; fig. ja se ç’desha të them; as më shumë e as më pak (përdoret në përmbyllje të një fjalimi, të një diskutimi etj.).

Hannibal ante / ad portas (Hánibal ánte / ad pórtas) lat. Hanibali para portave; fig. rreziku është shumë pranë; të keqen e kemi te dera; rreziku është i dukshëm e kërcënues dhe kërkon masa mbrojtëse të forta e të menjëhershme (shprehja lidhet me emrin e komandantit kartagjenas, Hanibalit, në periudhën e Luftës së Dytë Punike, kur kaloi Alpet dhe po sulmonte Romën) (Ciceroni).

Happy end (hépi énd) angl. fund i lumtur; përfundim i kënaqshëm (përdoret zakonisht si kritikë për veprat letrare e kinematografike, të cilat mbarojnë medoemos me një zgjidhje të lumtur e të gëzueshme, edhe atëherë kur ecuria e ngjarjeve dhe e konflikteve nuk e pranon një gjë të tillë); deus ex machina.

Hard and fast lines (hárd end fást lájnz) angl. vija ndarëse të përpikta; fig. rregulla ose kufij të ngurtë e të pandryshueshëm; rregulla të forta e të palëvizshme; qëndrim rigoroz ndaj një situate ose ndaj një problemi, pa bërë asnjë lëshim; me dorë të fortë.

Hasta la vista (hásta la vísta) spanj. Mirupafshim!; Lamtumirë!; derisa të shihemi përsëri; deri në takimin e ardhshëm (shprehja përdoret në bisedat e përditshme, ndonjëherë edhe për të bërë humor dhe është e njohur si titull në vepra letrare e kinematografike).

Haurit aquam cribro, qui discere vult sine libro (háurit ákuam críbro, kuí díscere vult síne líbro) lat. mbush / mban ujë me shoshë / me shportë ai që do / kërkon / dëshiron të mësojë pa libër; nuk mund të kuptosh dhe përvetësosh njohuri të vërteta pa përdorur burime të shkruara e të besueshme; fig. ia hyn një diçkaje jo me mjetet e duhura, përpiqet e mundohet shumë për të bërë diçka, por pa fryt; mjel në shoshë dhe e mbledh në astragaç; qui discit sine libro, is aquam haurit cribro.

Heart of wax (hat of uáks) angl. zemër prej dylli; fig. zemër e butë dhe e ndjeshme; njeri shumë i ndjeshëm nga ana emocionale; dikush që ka natyrë të dhembshur dhe të prekshme, që ndikohet menjëherë nga emocionet e të tjerëve a nga ngjarje të trishtueshme; shpirt njeriu.

Hen kai olon (ἕν καί ὅλον) greq., filoz. një dhe e tërë; një dhe gjithçka; një pjesë është, gjithashtu, edhe një e tërë (për të shprehur konceptin e njësisë e të lidhjes midis përbërësve të ndryshëm).

Hic et nunc (hik et nunk) lat. 1. Këtu dhe tani; veprimet duhet të bëhen dhe vendimet duhet të merren duke pasur parasysh situatën aktuale, pa u ndikuar shumë nga ngjarjet e kaluara ose nga shqetësimet për të ardhmen. 2. fig. Menjëherë; aty për aty; pa humbur kohë; fët e fët (për një kërkesë të ngutshme).

Hic labor, hoc opus est! (hic lábor, hoc ópus est) lat. shih Hoc opus, hic labor.

Hic Rhodus, hic salta (hik Ródus, hik sálta) lat. këtu është Rodi, këtu kërce; fig. ky është guri i provës për ty; nëse vërtet e ke bërë këtë veprim, tregoje këtu e tani; ja sheshi, ja mejdani (për të sfiduar dikë që mburret se ka aftësi të jashtëzakonshme, duke e ftuar të tregojë aftësitë e tij menjëherë, aty ku është, sipas fabulës “Mburraveci” të Ezopit).

Hic sunt leones (hik sunt leónes) lat. 1. Këtu ka luanë; këtu është mbretëria e egërsirave (kjo shprehje historikisht është përdorur në hartat antike për të treguar territore të panjohura ose të rrezikshme, ku besohej se mund të kishte luanë). 2. fig. Është situatë e panjohur dhe e rrezikshme, të cilat na bëjnë të jemi syhapur për t’u përballur me të papritura.

Hinc illae lacrimae (hink ile lákrime) lat. këtu janë ata lot; nga këtu vijnë ata lot; nga ky shkak dalin këta lot; fig. ngjarje, situata a veprime që shkaktojnë dhembje e vuajtje; shkaqe për të qenë i pikëlluar (Terenci).

Historia magistra vitae est (história magístra víte est) lat., fig. historia është mësuese e jetës; fig. historia është mjet për të mësuar nga ngjarjet e kaluara, duke shmangur gabimet e së shkuarës dhe për të marrë mësime të vlefshme për të tashmen, për një të ardhme më të mirë etj. (Ciceroni).

Hoc difficile dictum est (hok diffícile díctum est) lat. kjo është gjë e vështirë për t’u thënë / ta thuash; nuk është e lehtë ta thuash këtë gjë; fig. është gjë e rëndë, nuk është një fjalë goje (për diçka të ndjeshme a delikate).

Hoc erat demostrandum (hok érat demostrándum) lat. shih Quod Erat Demonstrandum.

Hoc erat in more majorum (hok érat in móre majórum) lat. ky ishte zakoni i të parëve; kjo është në traditën e të parëve, brez pas brezi e fis pas fisi.

Hoc loco (hok lóko) lat. në këtë vend, në këtë pikë.

Hoc opus, hic labor (hok ópus, hik lábor) lat. kjo është puna, kjo është vështirësia / ky është mundi; fig. kjo është detyra, ajo që na lodhi, një sfidë e madhe që kërkon përpjekje të jashtëzakonshme (Virgjili).

Hoc quaere (hok kuére) lat. 1. Shih këtë gjë; hulumto për këtë çështje; shih… (në shënimet bibiliografike). 2. fig. Çështja është ende e hapur për diskutim; problemi kërkon që të shqyrtohet edhe më tej.

Hoc sensu (hok sénsu) lat. në këtë kuptim; me këtë domethënie (për të sqaruar kuptimin e veçantë të një fjale).

Hoc signo vinces (hok sígno vínces) lat. shih In hoc signo vinces.

Hoc tempore (hok témpore) lat. në këtë kohë; gjatë kësaj kohe / priudhe; fig. në rrethanat a kushtet e tanishme.

Hoc titulo (hok título) lat., libr. me këtë titull / emërtim.

Hodie mihi, cras tibi (hódie míhi, kras tíbi) lat. sot jam unë, nesër do të jesh ti; sot për mua, nesër për ty; sot njërit, nesër tjetrit; fig. gjithkujt mund t’i ndodhë e njëjta gjë (zakonisht për gjëra të këqija, që u ndodhin njerëzve me radhë).

Hominem quareo (hóminem kuéro) lat., filoz. kërkoj një njeri; kërkoj / të gjej / njeriun; greq. ἄνθρωπον ζητῶ (shprehje që i vishet filozofit grek Diogjenit nga Sinopi, i cili, në mes të ditës, bridhte në shesh me kandil të ndezur duke shqiptuar këto fjalë); fig. shprehja përdoret për të thënë se njerëzit e mirë e të ndershëm janë të rrallë në këtë botë.

Homme de lettres (ómë dë létrë) frëngj. njeri i letrave; shkrimtar, gazetar etj.; njeri i penës (thuhet për dikë që i kushtohet letërsisë ose fushave të tjera të letrave).

Homme de paille (ómë dë pájë) frëngj. njeri prej kashte / prej plehrash; fig., keq. njeri që vepron si shërbëtor i bindur i dikujt; njeri pa vlerë, pa personalitet; dikush që bëhet mashë e dikujt; njeri që s’ka lidhje burri; vegël e verbër / qorre.

Homme d’êtat (ómë d’ etá) frëngj., pol. burrë shteti (dikush që ka një rol shumë të rëndësishëm në qeverisje ose në administrimin e çështjeve publike, shpesh si politikan e udhëheqës, që merr vendime të rëndësishme për interesat e shtetit e të kombit).

Homo cogitas (hómo cógitas) lat., filoz. njeriu që mendon; njeriu mendimtar; fig. njeriu si qenie që është në gjendje të mendojë, të reflektojë, të analizojë; njeriu që vret mendjen, që shtrydh trutë; cogito, ergo sum.

Homo et vir (hómo et vir) lat. njeri dhe burrë; fig. njeri i denjë dhe burrë i vërtetë; burrë burrash; burri i dheut; burrë me çika.

Homo homini amicus est (hómo hómini amíkus est) lat., prov. njeriu për njeriun është mik; kund. homo homini lupus est.

Homo homini lupus est (hómo hómini lúpus est) lat., prov., keq. njeriu për njeriun është ujk; njeriu është armik i njerëzve, është i keqi i tyre; kund. homo homini amicus est (shprehja shërben si një kujtesë për natyrën e ndërlikuar të marrëdhënieve njerëzore dhe rrezikun e mundshëm për konflikt e për t’i bërë keq dikujt) (Plauti).

Homo novus / homines novi (hómo nóvus / hómines novi) lat. njeriu i ri / njerëzit e rinj; fig. njeriu që është ngritur në një post a në një detyrë pa e merituar (Ciceroni).

Homo sapiens (hómo sápiens) lat., antrop. njeriu i mençur e i ditur; njeriu i sotëm; njeriu si qenie e arsyeshme (term i pathjeshtë për njeriun në sistematikën e sotme biologjike, si specia e vetme nga familja e primatëve hominidë) (Karl Lineu).

Honoris causa (honóris káuza) lat. për nder, për shkak të nderit; në shenjë nderimi (gradë shkencore e doktorit, që jepet për shërbime të veçanta, pa mbrojtur disertacionin përkatës; një formë e mirënjohjes publike për dikë që ka arritje të mëdha në kontekstin akademik dhe profesional); honoris gratia.

Honoris gratia (honóris grácia) lat. shih Honoris causa.

Horresco referens (horrésko réferens) lat. trembem / më rrënqethet mishi kur e rrëfej; tmerrohem të ta tregoj (fjalët e Eneut për vdekjen tragjike të Laokoontit); fig. ndjenjë e thellë shqetësimi a frike përballë një ngjarjeje të tmerrshme, e cila sjell një ndjesi të fortë emocionuese (Virgjili).

Horribile auditu / dictu (horríbile auditu / díktu) lat. është gjë e tmerrshme ta dëgjosh / ta thuash; fig. të rrëqeth kur e përmend; e frikshme ta shqiptosh; nuk e them dot; s’më bën zemra ta them; nuk ma nxë goja (shprehja përdoret si paralajmërim për diçka që do / mund të thuhet më pas); kund. mirabile dictu.