Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.
Raison d’être (rezón d’étrë) frëngj. shih Ratio essendi.
Rara avis / in terris (rára ávis /in térries) lat. zog i rrallë mbi dhe / mbi tokë; fig. njeri a gjë e rrallë; mizë e bardhë (përdoret për të përshkruar dikë a diçka të veçantë, të pazakontë a të jashtëzakonshme, siç janë njerëzit me talent ose me cilësi të rrallë, duke i krahasuar me një zog të rrallë, që është i vështirë për t'u gjetur (Juvenali).
Ratio agenda (rácio eséndi) lat., logj. baza, thelbi i veprimit; metoda e veprimit; qasje e arsyeshme për të vendosur se si të veprohet në situata të caktuara, duke u bazuar në logjikë, në etikë dhe në rregulla të caktuara.
Ratio cognoscendi (rácio cognoscéndi) lat., logj. baza e njohjes; metoda e njohjes; burimet, mjetet ose mënyrat që përdoren për të fituar njohuri të sakta, si perceptimi, logjika, provat empirike, deduksioni etj.
Ratio decidendi (rácio decidéndi) lat., logj. arsyeja / baza e vendimit.
Ratio dicendi (rácio dicéndi) lat., logj. baza / mënyra e të folurit / e fjalimit.
Ratio essendi (rácio eséndi) lat., logj., filoz. arsye për të qenë, për të ekzistuar; baza e qenies; baza logjike e diçkaje; qëllimi i jetës; misioni i dikujt a i diçkaje; raison d’être.
Ratio legis (rácio légis) lat. themeli / qëllimi, arsyeja / e ligjit (një koncept thelbësor për kuptimin e ligjeve dhe rolit të tyre në shoqëri).
Reculer pour miex sauter (rekylé pur mjë soté) frëngj. të tërhiqesh për të kërcyer më mire; shih Il faut reculer pour mieux sauter!
Refugium peccatorum (rifúgium pekatórum) lat. 1. fet. Strehë për mëkatarët a fajtorët (një vend ose situatë ku njerëzit që kanë bërë mëkate mund të gjejnë falje, shpëtim ose mbrojtje). 2. Vend i sigurt ku individi mund të ndihet i mbrojtur nga dënimi ose ndëshkimi për veprimet e këqija që ka bërë. 3. iron. Vend ku janë mbledhur të paaftët, si një strehë, një institucion etj. ku mund të mbijetojnë, edhe pse janë të pazotë dhe mund të sjellin shumë dëme.
Regnum hominis (régnum hóminis) lat. mbretëria e njeriut; pushteti i njerëzve; sundimi ose autoriteti që njeriu ka mbi botën natyrore, mbi shoqërinë ose mbi vetveten.
Rem acu tetigisti (rem áku tetigísti) lat. ju keni prekur sendin me gjilpërë; godet në shenjë; thotë atë që duhet; i bie pikës; vë pikat mbi “i” (kur dikush dikush ka arritur të saktësojë ose të trajtojë një çështje të rëndësishme në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe efektive).
Rem tene, verba sequentur (rem téne: vérba sekuéntur) lat. zotëroje plotësisht çështjen, fjalët kanë për të ardhur vetë; kur ke gjënë, fjalët vijnë pas; kur e njeh mirë thelbin e asaj që po thua, është më e lehtë të komunikosh dhe të shprehësh mendimet e tua në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme (Kato).
Repetitia est mater studiorum (repetícia est máter studiórum) lat., fj. u. përsëritja është nëna e mësimit / e diturisë, e dijes; përsëritja është një metodë e njohur për përmirësimin e kujtesës, duke ndihmuar njerëzit që të ruajnë informacionin për një periudhë të gjatë kohe.
Requiescat in pace (rekuiéskat in páce) lat. 1. fet. Le të prehet në paqe!; Pushoftë në paqe!; Paqe shpirtit (shprehja përdoret zakonisht në lamtumirën e fundit për dikë që ka ndërruar jetë ose shkruhet në epitafe). 2. Përdoret me ironi, kur vdes një njeri i lig, një kundërshtar politik etj.
Rerum concordia discord (rérum konkórdia diskórd) lat. pajtim / paqe përmes mosmarrëveshjes; harmoni e gjërave në joharmoni; kontradiktat ose dallimet mund të çojnë në një bashkëpunim dhe mirëkuptim mes njerëzve).
Res arta (res arta) lat. gjendje e vështirë / kritike; rrethana të papërshtatshme.
Res cogitans (res kógitans) lat., filoz. gjësendi që mendon; substanca shpirtërore që, sipas Dekartit, përfaqëson mendjen, ndërgjegjen, aftësinë për të menduar; kund. res extensa.
Res dubia (res dúbia) lat., drejt. gjë e pasigurt, çështje e dyshimtë (përdoret për të treguar një situatë ku e drejta ose fakti është i pasigurt ose ka dyshime mbi pronësinë, interpretimin ose vlefshmërinë e diçkaje); kund. res gestae.
Res extensa (res ekstésa) lat. send i shtrirë; gjëja e shtrirë; substanca materiale (që, sipas Dekartit, përfaqëson trupin dhe gjithçka materiale); kund. res cogitans.
Res gestae (res géste) lat. 1. drejt. Punë e kryer, diçka e mbaruar, vepër e realizuar; provë e besueshme; kund. res dubia. 2. lart. Trimëri, vepër heorike; akte / bëma heroike / historike.
Res ipsa loquitur (res ípsa lókuitur) lat. vetë gjëja flet; fakti / puna flet vetë; puna tregon; nuk duhen dëshmi të tjera; fshati që duket s’do kullauz (për të nënkuptuar se një fakt ose ngjarje është aq e qartë dhe e dukshme, sa nuk ka nevojë për dëshmi të tjera për të provuar fajin ose përgjegjësinë e dikujt).
Res nullius (res núlius) lat. 1. Gjë e askujt; mall pa zot; pronë pa pronar (në të drejtën ndërkombëtare shënon një territor, i cili është jashtë çdo sovranitetit). 2. fig. Gjë pa rëndësi, e papërfillshme. 3. Diçka tërësisht e paidentifikuar ose e panjohur.
Res publica litterarum (res públika literárum) lat. republika e letrave; shih République de lettres.
Res unius aetatis (res únius etátis) lat. çështje / punë e një brezi; diçka që kërkon gjithë jetën e njeriut.
Res, non verba (res, non vérba) lat. punë, jo llafe; vepra, jo fjalë; veprat flasin më mirë se fjalët; më shumë punë e pak fjalë.
Reservatio mentalis (reservácio mentális) lat., logj. mendim i thënë tjetër për tjetër; ngatërresë mendimesh / gjykimesh; lapsus mentis.
Respice finem (respíce fínem) lat. ki parasysh fundin, kujto fundin; mendo për fundin; shih fundin; mos harro se ku duhet të arrish; duhet të jemi të matur në veprime e në vendime, sepse ato ndikojnë në të ardhmen (Bibla).
Restitutio ad / in integrum (restitúcio ad / in intégrum) lat., drejt. rregullim i plotë; kthim në gjendjen e mëparshme / fillestare; rivendosje në tërësi; kthesë e plotë (shprehja përdoret zakonisht në drejtësi, kur kërkohet kthimi i një prone a i diçkaje tjetër në gjendjen fillestare, në kushtet e origjinës).
Retro me, Satana! (rétro me, Satana!) lat., fet. Tërhiqu, Satana! (shprehja përdoret kur duam të largojmë diçka të keqe, që nuk e dëshirojmë kurrë) (Bibla).
Revenons à nos moutons (rëvënô a no mutô) frëngj. të kthehemi te delet tona; pas fjalës hyrëse, pa e zgjatur shumë, duhet të kthehemi te objekti kryesor i diskutimit, te çështja që na intereson më shumë; mos u largo (mos dil) nga tema (sipas një komedie franceze të shekullit XV.
Rex regnat, non gubernat (reks régnat, non gubérnat) lat., drejt. mbreti mbretëron, por nuk qeveris / nuk drejton (një koncept i lidhur me monarkitë kushtetuese, ku mbreti përfaqëson unitetin dhe vazhdimësinë e shtetit, ndërsa qeverisja e përditshme dhe vendimmarrja u delegohen institucioneve të tjera, si parlamenti dhe qeveria).
Ridendo castigat mores (ridéndo kastígat móres) lat. me të qeshur fshikullon / vë në lojë zakonet / karakteret; shih Castigat ridendo mores.
Ridendo dicere severum (ridéndo dícere séverum) lat. duke qeshur / me të qeshur them të vërtetën; të thuash të vërtetën e ashpër duke qeshur; duke e paraqitur diçka si me shaka e me thumba; duke e qortuar e duke e sharë dikë ose duke i bërë një të keqe si me shaka; qesh e ngjesh; me të qeshur e me të ngjeshur (Jean de Santeul).
Rira bien qui rira le dernier (rirá biên, ki rirá le derné) frëngj. qesh mirë kush qesh i fundit (për të theksuar se, ndonjëherë, fitorja apo kënaqësia e vërtetë vjen në fund të një situate, pavarësisht se kush qesh ose gëzohet në fillim).
Risum teneatis, amici! (rízum teneátis amíci!) lat. A mund ta mbani të qeshurën, miq?! A mund të mos qeshni, miq?! (shprehje ironike, e cila përdoret kur dikush tregon diçka kaq qesharake dhe absurde, sa është e pamundur të mos qeshësh) (Horaci).
Roma locuta est, causa finita est (Róma lokúta est, káuza finíta est) lat. 1. Roma ka folur, çështja është mbyllur; foli Roma çështja ka marrë fund; drejt. u shpreh pala, e cila nuk mund të kundërshtohet dot (shprehje e njohur, që përdoret për të theksuar autoritetin dhe fuqinë e Romës, veçanërisht në çështje të drejtësisë dhe vendimmarrjes). 2. fig. Thuhet edhe me ironi për një vendim arbitrar të dikujt, i cili nuk mund të vihet në diskutim.
Rostris et unguibus (róstris et ungúibus) lat. me sqepa e me thonj; shih Unguibus et rostris.
Rubiconem transire (Rubikónem tranzíre) lat. kaloj Rubikonin; fig. kaloj një kufi ose një cak që nuk duhej kaluar; kapërcej një pengesë të madhe; bëj hapin vendimtar dhe të pakthyeshëm, i cili përcakton ngjarjet e mëtejshme; kryej aktin më të madh me rëndësi historike (Rubikon ka qenë emri i një lumi në Apenine, i cili shërbente si kufi midis Galicisë dhe Italisë. Duke e kaluar atë në vitin 149 p. e. s., kundër vendimit të Senatit romak, Jul Cezari nisi luftën civile).
Rumores volant (rumóres vólant) lat. thashethemet fluturojnë; thashethemet përhapen shpejt (për natyrën e thashethemeve dhe informacionit të rremë që përcjellin, të cilat përhapen shpejt dhe mund të jenë të vështira për t'u kontrolluar).
République de lettres (repyblíkë de létrë) frëngj. republika e letrave; fig. njerëzit e letrave në botë; res publica litterarum (shkrimtarë, poetë, filozofë dhe intelektualë të tjerë, të cilët shkëmbejnë ide, mendime dhe veprat e tyre përtej kufijve kombëtarë me anë të letërkëmbimit, të botimeve, të letërsisë, të artit, duke ndikuar në politikë, në kulturë e në shoqëri).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë