Fjalori

SHPREHJE TË HUAZUARA TË PAASIMILUARA

Kërkimi më sipër vepron vetëm në këtë shtojcë. Kliko këtu për t'u kthyer në fjalorin kryesor.
A B C D E F G H I J L M N O P Q R S T U V W

Shprehje që fillojnë me “L”

Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.

L'amour platonique (l'amúr platoníkë) frëngj., 1. filoz. dashuri platonike; fig. dashuri e fortë për dikë pa pasion seksual; dashuri shpirtërore. 2. keq. Prirje për t’u lidhur me dikë për interesa të çastit.

L'appetit vient en mangeant (l'apetí viént an manzhán) frëngj., prov. oreksi vjen duke ngrënë; fig. sa më shumë të përfshihesh në diçka, aq më shumë dëshirë a interes ke për të; sipas shkallës së kënaqësisë lindin edhe dëshira të tjera (F. Rabële).

La commedia é finita (la komédia e finíta) ital., fig. shih Commedia finita est.

La morte saisit le vif (la mórtë sezí le vif) frëngj., prov. vdekja kap të gjallin; fig. forca / pesha e së kaluarës rëndon mbi të tashmen.

La raison d’etre (la rezón d’ étrë) frëngj., filoz. arsye e të qenit; aryeja e ekzistencës, e të jetuarit (qëllimi kryesor ose motivi themelor për të cilin ekziston diçka ose dikush).

Lac gallinaceum (lac galináceum) lat. qumësht pule; fig. diçka shumë e rrallë, që nuk mund të gjendet; qumësht dallëndysheje (thuhet për dikë që kërkon gjëra të pamundura, që do qiqra në hell).

Lacrima cito arescit (lákrima cíto aréscit) lat., prov. loti thahet shpejt; fig. dhembja, trishtimi etj. nuk zgjatin shumë; koha i shëron plagët.

Lacrima nihil citius arescit (lákrima níhil cícius aréscit) lat., prov. shih Lacrima cito arescit.

Lapsus calami (lápsus kálami) lat., gjuh. gabim i penës / i lapsit, shkarja e penës; gabim shkrimi; gabim i bërë prej shkruesit nga hutimi, gabim i rastësishëm; gabim në të shkruar, në shtyp etj.; lapsus linguae (term i pathjeshtë që përdoret shpesh në diskutime rreth gjuhës, rreth shkrimit dhe komunikimit, duke theksuar natyrën njerëzore të gabimeve në gjuhë).

Lapsus linguae (lápsus língue) lat., gjuh. gabim në të folur; gabim i pavullnetshëm; shkarje gjuhe; fjalë që shpëton padashur nga goja; fjalë të shqiptuara gabim pa qëllim, por që ndonjëherë mund të kenë pasoja të papëlqyera; lapsus calami.

Lapsus memoriae (lápsus memórie) lat., logj. gabim i kujtesës, shkarja e kujtesës, lapsus kujtese; moment harrese; lapsus mentis.

Lapsus mentis (lápsus méntis) lat., logj. gabim i mendjes; lapsus i mendimit; ngatërresë, diçka e thënë tjetër për tjetër; lapsus memoriae; reservatio mentalis.

Larga manu (lárga mánu) lat. me dorë të hapur / të gjerë; fig. bujarisht, me zemërgjerësi, pa kursyer asgjë; me dorë të lëshuar, duke harxhuar shumë; me gjithë zemër.

Last, but not least (last, bat not list) angl. i fundit nga numri / nga radha, por jo nga rëndësia / jo nga vlera a meritat që ka për një punë (përdoret kur dikush përmend një listë njerëzish ose gjërash dhe, edhe pse dikush ose diçka përmendet në fund, kjo nuk nënkupton që është më pak i rëndësishëm se të tjerët (Shekspiri).

Latet anguis in herba (látet ánguis in hérba) lat. gjarpri fshihet në bar; fig. kurthi / rreziku / e keqja është, por nuk duket; rreziku mund të jetë atje ku nuk e pret, si gjarpri që qëndron i fshehur në bar dhe pret çastin për të kafshuar; qelb nën thua (Virgjili).

Lato sensu (láto sénsu) lat., gjuh. në kuptimin e gjerë; në kuptimin e përgjithshëm; kund. stricto sensu.

Le mieux est l’ennemi du bien (lë mjë e l’anmí dy bjën) frëngj., prov. më e mira është armiku i së mirës; kush lyp / kërkon copën e madhe, humbet edhe të voglën (shprehja nënkupton se përpjekja për të arritur diçka të përkryer / më të mirën, mund të pengojë arritjen e diçkaje të kënaqshme ose të mirë) (Molieri).

Le revers de la médaille (lë rëvér dë la medájë) frëngj. ana tjetër e medaljes; fig. pjesa më e keqe e më negative e diçkaje; ajo që nuk të intereson në një çështje të caktuar; cilësia më e dobët e më e papranueshme e diçkaje (përdoret shpesh për të treguar situata a fakte të ndërlikuara, për të cilat duhet t’i shqyrtojmë gjithmonë të dyja anët).

Le roi est mort, vive le roi (lë ruá e mor, vívë lë ruá) frëngj., iron. mbreti vdiq, rroftë mbreti! (përdoret në publicistikë etj. për të karakterizuar njerëzit që nuk mbajnë një qëndrim të caktuar, por shkojnë nga të fryjë era dhe kanë njëqind flamurë; ata që për interesa të ngushta dhe të çastit, sakrifikojnë edhe ideale të mëdha).

Le roi regne et ne gouverne pas (le ruá rénjë e në guvérnë pa) frëngj. mbreti mbretëron, por nuk qeveris (shprehja lidhet me praktikat moderne të monarkive kushtetuese, ku mbreti ose mbretëresha nuk kanë fuqi të drejtpërdrejtë në qeverisje) (A. Terom).

Le style c’est l’homme (lë stílë s’e lómë) frëngj., prov. stili është njeriu; në stil pasqyrohet njeriu / shkrimtari; çdo njeri është i ndryshëm nga tjetri (stili vetjak është një anë e rëndësishme e identitetit të njeriut dhe, mënyra se si ne paraqesim veten, ndikon në mënyrën se si na perceptojnë të tjerët) (Buffon).

Le torchon brûle (lë torshón brýlë) frëngj. lecka / peceta po digjet; bie erë leckë; ka plasur grindja (fig. shprehja përdoret për të përshkruar një situatë tensioni, konflikti a përplasjeje mes njerëzve, zakonisht në kontekstin e marrëdhënieve shoqërore ose politike).

Lege artis (shkurt. l. a.) (lége ártis) lat. sipas ligjit / rregullave të artit / të mjeshtërisë; fig. siç e do zanati / profesioni; ashtu siç duhet; sipas standardeve profesionale; në mënyrë të përsosur, si s’ka më mirë.

Legendo discimus (legéndo díscimus) lat. ne mësojmë me të lexuar / duke lexuar; dija vjen përmes leximit.

Leonem mortuum et catuli mordent (leónem mórtuum et cátuli mórdent) lat., prov. luanin e ngordhur e kafshojnë edhe këlyshat; shaka. bëhet trim pas lufte.

Les amis de nos amis sont mes amis (lez amí dë noz amí son noz amí) frëngj. miqtë e miqve tanë janë miqtë e mi; njerëzit e mençur e ndihmojnë njëri-tjetrin (shprehja nënkupton një ndjenjë besimi dhe solidariteti mes grupeve shoqërore, si dhe rëndësinë e lidhjeve të gjera për forcimin e marrëdhënieve shoqërore).

Les beaux esprits se recontrent (le boz esprí se rakóntrë) frëngj., prov. mendjet e ndritura takohen; njerëzit e mençur e kuptojnë njëri-tjetrin.

Les extrèmes se touchent (lez ekstrémë së túshë) frëngj. ekstremet takohen / puqen; të kundërtat puqen; teprimet puqen (Blez Paskali).

Lettre morte (létrë mórtë) frëngj. 1. Letër e vdekur; një dokument që nuk ka efekte ligjore; një letër që nuk ka vlerë dhe që nuk sjell asnjë pasojë. 2. fig. Plan, veprim, taktikë etj. që s’hyn më në punë, që s’mund të përdoret më, se është zbuluar; njeri në shërbim të dikujt, që nuk mund të veprojë më, se është zbuluar ose ka rënë shumë poshtë në sy të të tjerëve; diçka që mbetet në letër e nuk zbatohet.

Lex mala, non lex (leks mála non leks) lat., drejt. një ligj i keq nuk është ligj (shprehje e Thoma Akuinit, i cili kërkonte përsosmërinë e ligjeve për të mos i lënë shteg këqpërdorimit të tyre).

Lex non scripta (leks non skrípta) lat., drejt. ligj i pashkruar; rregull, normë, zakon etj., që, megjithëse nuk janë të shkruara ose të formalizuara në një ligj të kodifikuar, prapë janë të njohura dhe të pranuara në praktikën shoqërore dhe zbatohen prej të gjithëve; kund. lex scripta.

Lex scripta (leks scrípta) lat., drejt. ligj i shkruar; ligji i formuluar dhe i shkruar në tekste zyrtare, si kushtetuta, kodet civile, kodet penale, ligjet e miratuara nga parlamenti etj.; kund. lex non scripta

Liberté, égalité, fraternité (liberté, egalité, fraternité) frëngj. liri, barazi, vëllazëri (një nga parimet themelore të Revolucionit Fracez të vitit 1789, i cili ka bërë histori si moto e Republikës Franceze).

Ligna in silvam ferre (lígna in sílvam férre) lat., prov., fig. çoj / shpie dru në pyll; bën punë kot, që nuk sjell asnjë dobi; mbush / mban ujë me shoshë / me shportë; mari aquam addere.

Lingua franca (língua fránka) lat., gjuh. 1. Lingua franka; gjuha frënge; gjuha e frankëve (fjala frankët përdorej për europianët e Perëndimit, si grupi kryesor tregtar në Mesdhe); “gjuha” që u krijua në Mesdhe shekujt e kaluar, e cila ishte një përzierje gjuhësore me fjalë nga arabishtja, greqishtja, italishtja, spanjishtja dhe frëngjishtja, që përdorej nga tregtarët nga rajone të ndryshme. 2. Gjuhë që përdoret ndërmjet folësve me gjuhë të ndryshme amtare si mjet komunikimi në fusha të tilla si biznesi, shkenca, teknologjia, diplomacia etj.; sot lingua franca është anglishtja.

Littera scripta manet (lítera skrípta mánet) lat. shkronja / fjala e shkruar mbetet; e shkruara mbetet; diçka është e sigurt kur shkruhet; scripta manet (shprehja thekson rëndësinë e të shkruarit si një formë e qëndrueshme e komunikimit dhe si burim informacioni, që mund të ruhet dhe të përdoret në të ardhmen).

Loco citato (shkurt. loc. cit.) (lóko citáto) lat. shih Ibidem.

Loco idoneo (lóko idóneo) lat. në një vend të përshtatshëm; në vendin e duhur; aty ku e ka vendin.

Locus communis (lókus kommúnis) lat. vend i përbashkët; vend publik; fig. temë e zakonshme / e njohur;

Locus delicti (lókus delíkti) lat., drejt. vendi i ngjarjes / krimit, vendi ku është kryer vepra penale (shprehja përdoret kur vendi i ngjarjes ruhet e sillet si provë e aktit që gjykohet).

Locus minoris resistentiae (lókus minóris rezisténcie) lat. vendi i qëndresës / i rezistencës më të vogël; fig. hallka më e dobët.

Locus regit actum (lókus régit áktum) lat., drejt. vendi rregullon / pëcakton veprimin (parim i njohur i së drejtës ndërkombëtare sipas të cilit forma dhe rregullat procedurale të një akti juridik përcaktohen nga ligji i vendit ku kryhet ai akt).

Lucidus ordo (lucídus órdo) lat. rend / rregull i ndriçuar; fig. rend i qartë / i kuptueshëm; renditje e qartë dhe e rregullt e mendimeve, e ideve etj.; shprehje e mendimeve sipas rrjedhës logjike.

Lucta omnium contra omnes (lúcta ómnium cóntra ómnes) lat., pol. lufta e të gjithëve kundër të gjithëve (shprehja përdoret për të përshkruar një situatë kaotike ose një gjendje ku çdokush vepron sipas interesit të tij vetjak, duke krijuar një klimë konflikti dhe rivaliteti të pakuptimtë) (Tomas Hobs).

Luna luce lucet aliena (lúna lúce lúcet aliéna) lat., prov. hëna ndrit me dritë të huaj; fig., iron. thuhet për dikë që është nën mbrojtjen e dikujt, që jeton nën hijen e dikujt tjetër.

Lupo ovem commisisti (lúpo óvem kommizísti) lat., prov., ia beson delen ujkut; iron. ia beson me mendjelehtësi një njeriu të pandershëm e të pabesë që të ruajë pikërisht atë gjë, që ai e lakmon më shumë; beson e shpreson tek i ligu; ia lë në dorë fatin të keqit; vë ujkun bari; vë ujkun të ruajë delet / dhentë; ia var ujkut mëlçitë në qafë.

Lupum auribus tenere (lúpum aúribus tenére) lat. mban ujkun për veshësh; fig. është trim dhe shumë i zoti; hahet me ariun; e çanm arushën.

Lupus et agnus (lúpus et ágnus) lat., fig. ujku dhe qengji (shprehja nënkupton se sa e vështirë është për ata që janë në pozita të dobëta për të mbrojtur veten, kur përballen me akuza të rreme ose me forcën që ushtrojnë ata që janë më të fortë (sipas fabulës së Ezopit “Ujku dhe qengji”).

Lupus hiat (lúpus híat) lat., prov. ujku po hap gojën; ujku është gati për të kafshuar; fig. rreziku është shumë pranë; e keqja është te dera (Horaci).

Lupus in fabula (lúpus in fábula) lat. ujku në fabul; si ujku në përrallë; ai për të cilin po flitet, ja ku është; kujto qenin, rrëmbe shkopin; kujto mikun, bëj gati petanikun (për të përshkruar një situatë ku dikush përmendet në bisedë dhe pastaj ai shfaqet në të vërtetë ose ndodh një ngjarje që lidhet ngushtë me temën që po diskutohet) (Terenci).

Lupus nocturnus obambulat (lúpus noctúrnus obámbulat) lat., prov. ujku shëtit natën!; fig. rreziku shfaqet natën; e keqja vjen në errësirë; ujku mjegull do.

Lupus non curat numerum ovium (lúpus non cúrat númerum óvium) lat., prov. ujku nuk shqetësohet për numrin e deleve; fig. s’tundet mali nga dëbora.

Lupus non mordet lupum (lúpus non mórdet lúpum) lat., prov. ujku nuk e ha ujkun; fig. njerëzit e ligj nuk e sulmojnë njëri-tjetrin; sorra sorrës nuk ia nxjerr sytë.

Lupus pilum mutat, non mentem (lúpus pílum mútat, non méntem) lat., prov. ujku qimen ndërron, por jo mendjen; fig. natyra e njeriut nuk ndryshon lehtë; ujku qimen e ndërron, por zakonin / vesin s’e harron.

Lupus-malus ovium custos (lúpus málus óvium cústos) lat., prov. ujku - rojtar i keq i deleve; fig. ujkun s’e vrasin se i kanë inat trimërinë, po e vrasin se u ha bagëtinë.

Luscinia parva, sed vox magna (luscína párva, sed vox mágna) lat., prov. bilbili është i vogël, por zëri i tij është i madh; fig. nga ferra e vogël del lepuri i madh.

Lusus naturae (lúzus natúre) lat. lojë e natyrës; çudi e natyrës; diçka shumë e rrallë dhe e jashtëzakonshme; gjë që nuk ta rrok / nuk ta kap mendja; të bësh kryq me dorë të majtë / me të dyja duart.

Lux facta est (luks fákta est) lat. shih Fiat lux! (Bibla).

Lux in tenebris (luks in tenébris) lat., bibl., fig. dritë në errësirë; shpresë, besim, optimizëm etj. në kohë të errëta.

Lux veritates (luks veritátes) lat., filoz., teol. drita e së vërtetës; fig. dëshira për dije, për ndriçimin shpirtëror, për zbulimin e së vërtetës absolute; ndriçimi që sjell e vërteta.

L’arme blanche (l’ armë blánshë) frëngj. armë e bardhë; armë tradicionale; armë që pret a që shpon (thika, shpata, shtiza, bajoneta etj.), në dallim nga armët e zjarrit, të cilat përdorin energji shpërthyese (pistoleta, pushka, mortaja etj.).

L’empire c’est moi (l’ampírë s’e muá) frëngj. Perandoria jam unë! (thënia i vishet Luigjit XV të Francës, mbretit Diell ose dhe Napoleonit I); fig., keq. pa mua nuk ka perandori; gjithçka është në duart e mia (shprehje e autoritarizmit absolut, ku udhëheqësi e sheh veten jo si përfaqësues të shtetit, por si vetë shteti).

L’état c’est moi (l’etá s’e muá) frëngj. shih L’Empire c’est moi.